تخطَّ إلى المحتوى
Nelum
قوانين ألبانيا

Law No. 9235 on restitution and compensation of property

صدر في 2004-07-29 · النص بتاريخ 2026-10-01

القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.

البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.

عن هذا القانون

اللغة
Albanian
النوع
قانون
المنظمة
European Union
الدولة
ألبانيا
الموضوعات
Land and soil
الكلمات المفتاحية
land reform, ownership, expropriation, institution, liability/compensation, governance, land tenure, property rights

أين تقرؤه

    لا يوجد رابط مصدر مسجل لهذا القانون.

النص

نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.

  1. REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI L I G J Nr. 9235, datë 29.7.2004 PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS Në mbështetje të neneve 41, 78, 83 pika 1 dhe 181 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Objekti i ligjit Ky ligj ka për objekt: a) rregullimin e drejtë, sipas kritereve të nenit 41 të Kushtetutës, të çështjeve të së drejtës së pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet; b) kthimin dhe, aty ku sipas këtij ligji kthimi i pronës është i pamundur, kompensimin e saj; c) procedurat për realizimin e kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe organet administrative të ngarkuara për realizimin e tyre. Neni 2 E drejta e pronësisë Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të kërkojë, në përputhje me këtë ligj, të drejtën e pronësisë, në rast se i është hequr sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944, si dhe kthimin ose kompensimin e pronës. Neni 3 Përkufizime Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Kompensim” nënkupton shpërblimin e drejtë, sipas vlerës së tregut në momentin e njohjes së shpërblimit, të kryer sipas këtij ligji; 2. “Pronë” nënkupton një send të paluajtshëm, sipas përcaktimit në Kodin Civil; 3. “Subjekt i shpronësuar” nënkupton personat juridikë ose fizikë apo trashëgimtarët e tyre, prona e të cilëve është shtetëzuar, shpronësuar, konfiskuar ose e marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti; 4. “Tjetërsim" nënkupton kalimin e pronësisë ose kalimin e të drejtave të tjera reale nga një person fizik ose juridik te një tjetër, sipas Kodit Civil; 5. “Truall” nënkupton tokën që ndodhet brenda vijave kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kur qendra e banuar nuk ka vijë kufizuese, truall do të jetë sipërfaqja e tokës që zë objekti i ndërtuar mbi të dhe oborri funksional. Sipërfaqja e këtij të fundit llogaritet sa trefishi i sipërfaqes së objektit, por jo më shumë se 500 metra katrorë. Neni 4 Përjashtimet nga ky ligj Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen: a) për pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të ligjit nr.108, datë 29.8.1945 “Për Reformën Agrare”, me ndryshimet e mëvonshme; b) për shpronësimet kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe që përdoren për interesa publikë; c) për pronat që i janë dhuruar shtetit, veprim për të cilin ka dokumente zyrtare. Neni 5 Prona e luajtshme Kthimi dhe kompensimi i pronës së luajtshme kryhet me ligj të veçantë. KREU II NJOHJA E SË DREJTËS SË PRONËSISË DHE KTHIMI I PRONËS Neni 6 Njohja e së drejtës së pronësisë dhe kthimi i pronës 1. Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 60 ha dhe kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe. 2. Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas ligjit “Për shpronësimet për interes publik”. 3. Subjektet e shpronësuara dhe të kompensuara sipas ligjeve në fuqi kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar. Neni 7 Pronat që nuk kthehen 1. Nuk kthehen pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik dhe që: a) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë; b) kanë investime ose përdoren për realizimin e projekteve me shtrirje territoriale ose vendore në fushën e transporteve të çdo lloji, të energjetikës, të telekomunikacionit, të veprave ujore të çdo lloji ose në investime të tjera në interes publik, të përcaktuara sipas ligjit “Për shpronësimet për interes publik”; c) shërbejnë për ruajtjen e mjedisit, shëndetit, kulturës, arsimit publik ose edukimit parashkollor; ç) shërbejnë për mbrojtjen kombëtare dhe që nuk tjetërsohen; d) janë pasuri e veçantë kulturore ose historike, e përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi; dh) janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në Shtojcën 1 të këtij ligji, përveç rasteve kur sipas këtyre ligjeve shteti është pronar dhe prona e paluajtshme nuk i shërben një interesi publik. 2. Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohet të tjetërsohen, ato i kalojnë subjekteve të shpronësuara. 3. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Neni 8 Trualli 1. Në rastin kur trualli u është tjetërsuar personave të tretë dhe mbi të nuk janë ngritur ndërtesa të përhershme dhe të ligjshme, ai u kthehet subjekteve të shpronësuara, ndërsa shteti u kthen të tretëve vlerën, sipas çmimit të blerjes të shumëzuar me indeksin e rritjes së çmimeve. 2. Kur mbi truallin e subjektit të shpronësuar shteti a persona të tretë kanë kryer ndërtime ose investime, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ato llogariten sipas vlerës së tregut në çastin kur i njihet e drejta e pronësisë subjektit të shpronësuar dhe veprohet si më poshtë kur: a) vlera e investimeve përbën deri në 150 për qind të vlerës së truallit, prona i kthehet subjekteve të shpronësuara, pasi ato të kenë paguar kundërvlerën e investimeve të kryera; b) vlera e investimeve përbën më shumë se 150 për qind të vlerës së truallit, shteti apo personat e tretë ruajnë pronësinë dhe subjektet e shpronësuara kompensohen sipas këtij ligji. 3. Në rastet e ndërtimeve mbi truall, të bëra para datës 10.8.1991, për të cilat nuk është regjistruar pronësia e truallit, ai që ka në pronësi ndërtesën detyrohet të paguajë vlerën fillestare të truallit, sipas nenit 10 të ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” të shumëzuar me indeksin e rritjes së çmimeve. 4. Në rastet e ndërtimeve të ligjshme të bëra në truallin e dhënë nga shteti me qira ose koncesion, pronari i ndërtesës paguan vlerën e truallit mbi të cilin është bërë ndërtesa, sipas çmimeve të tregut. Neni 9 Banesat 1. Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara, lirohen nga qiramarrësi brenda një afati trevjeçar. Qiramarrësit vazhdojnë të paguajnë një qira të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave deri në dy vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli i Ministrave ngarkohet të sigurojë strehimin e qiramarrësve, që kanë statusin e të pastrehëve, nëpërmjet banesave me qira të ulët, kredive me interes të ulët ose banesave me qira të kompensuar nga shteti. 2. Në rastet e banesave të ndërtuara në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, banorët e tyre kanë të drejtën e blerjes së truallit gjatë procesit të legalizimit të përcaktuar me ligj të veçantë. Vlerësimi i truallit bëhet sipas vlerës së tregut në momentin e kryerjes së legalizimit të banesave. Neni 10 Prona që nuk përdoret më për interesa publikë Kur një shpronësim është bërë për një interes publik dhe Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave vërteton se prona e paluajtshme nuk përdoret më për këtë qëllim, ajo i kthehet subjektit të shpronësuar, kurse subjekti i shpronësuar, kur është shpërblyer, i kthen shtetit shpërblimin e marrë. KREU III KOMPENSIMI I PRONËS Neni 11 Format e kompensimit 1. Për pronat e përcaktuara në këtë ligj, për të cilat është i pamundur kthimi fizik, shteti kompenson subjektet e shpronësuara me një ose më shumë nga format e mëposhtme: a) me pronë tjetër të paluajtshme të të njëjtit lloj, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; b) me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; c) me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose ku shteti është bashkëpronar, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme; ç) me vlerën e objekteve, të cilat janë objekt i privatizimit; d) me të holla. 2. Subjekti i shpronësuar i paraqet me shkrim komisionit vendor për kthimin dhe kompensimin e pronave formën në të cilën kërkon të realizohet kompensimi. Komisioni, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, me vendim të arsyetuar vendos për pranimin e kërkesës ose refuzimin e saj kur objektivisht plotësimi i kërkesës është i pamundur. Në këtë rast ai i ofron subjektit të shpronësuar një formë tjetër kompensimi, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1 të këtij neni. Kundër vendimit të komisionit për përcaktimin e formës së kompensimit, subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankesë në Komitetin Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit dhe në rast se aty nuk gjen zgjidhje, atëherë i drejtohet gjykatës brenda 30 ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim nga Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. 3.Shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse, tatimi ose ndalese. Neni 12 Vendndodhja e kompensimit fizik Kompensimi fizik, sipas nenit 11 të këtij ligji, bëhet brenda së njëjtës njësi administrativo-territoriale (fshatit, komunës, bashkisë, rrethit, qarkut) dhe kur kjo nuk është e mundur, me vendim të Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave në njësinë më të afërt administrativo-territoriale. Për kryerjen e kompensimit fizik përdoren edhe pronat në pronësi të shtetit në zonat turistike. Sipërfaqet e caktuara për kompensim shpallen publikisht në Fletoren Zyrtare, duke bërë të ditur si kategoritë, ashtu edhe vlerat e tyre. Neni 13 Vlerësimi i pronës 1. Për vlerësimin e pronës që kompensohet komisioni vendor i kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme ngre grupin e ekspertëve. Komisioni cakton në rolin e ekspertit persona me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. 2. Vlera e pronës që kompensohet, sipas këtij ligji, përcaktohet në bazë të vlerës së tregut, në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar me vendim të Kuvendit. 3. Në kryerjen e veprimtarisë së tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të ekspertëve nuk duhet të jetë në kushtet e pengesës ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative. Neni 14 E drejta e parablerjes 1. Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, subjektet e shpronësuara kanë të drejtën e parablerjes mbi këto objekte kur ato të privatizohen. 2. Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, sipas nenit 11 të këtij ligji. KREU IV ORGANET SHTETËRORE PËR PROCESIN E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE Neni 15 Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave 1. Për zbatimin e këtij ligji krijohet Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Komiteti Shtetëror përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen dhe shkarkohen nga Kuvendi. Dy anëtarë propozohen nga pozita dhe dy anëtarë nga opozita parlamentare. Një anëtar i propozohet nga Këshilli i Ministrave Presidentit të Republikës, i cili e dërgon për miratim me dekret në Kuvend. Anëtari i sjellë nga Presidenti dhe i miratuar nga Kuvendi është Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. 2. Anëtar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave mund të emërohet shtetasi shqiptar, i cili: a) ka mbaruar arsimin e lartë për jurist, ekonomist, agronom apo në fushën inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave; b) ka jo më pak se 7 vjet përvojë pune në profesion; c) gëzon reputacion të mirë dhe aftësi profesionale të spikatura në fushën e tij; ç) nuk është anëtar i organeve drejtuese të ndonjë partie politike; d) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; dh) nuk është ndëshkuar me masën disiplinore të shkarkimit nga detyra; e) ka zotësi të plotë për të vepruar; ë) nuk është në konflikt interesash me detyrën e anëtarit të Komitetit. 3. Anëtarësia në Komitetin Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është e papajtueshme me çdo veprimtari tjetër shtetërore ose politike. 4. Paga e anëtarit të Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është e barabartë me pagën e zëvendësministrit, ndërsa ajo e Kryetarit të tij 10 për qind më e lartë se paga e anëtarit. 5. Anëtari i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave shkarkohet me vendim të Kuvendit të Shqipërisë kur: a) me vendim gjykate të formës së prerë është dënuar për një vepër penale dhe/ose është ndaluar apo pezulluar të ushtrojë detyrën si nëpunës publik; b) është në pamundësi fizike dhe mendore për të ushtruar funksionin e vet me raport mjeko-ligjor ose me vendim gjykate; c) mungon katër ose më shumë herë radhazi në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, pa shkaqe të arsyeshme; ç) vërtetohet se ka siguruar përfitime të padrejta, që lidhen me ushtrimin e kompetencave të tij; d) shkel nenet e këtij ligji. Asnjë anëtar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave nuk mund të shkarkohet nga detyra për shkaqe dhe procedura të tjera të papërmendura në këtë pikë, me përjashtim të rastit kur ai jep dorëheqjen. Neni 16 Kompetencat e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave 1. Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ka këto kompetenca: a) shqyrton dhe merr vendim për ankesat ndaj vendimeve të komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 19 të këtij ligji; b) merr vendime për njësimin e praktikave në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në bazë dhe për zbatim të ligjit; c) emëron dhe shkarkon nga detyra kryetarin dhe anëtarët e komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave; ç) drejton dhe kontrollon zbatimin e këtij ligji nga komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave; d) propozon për miratim në Këshillin e Ministrave projektbuxhetin, strukturën organizative, organikën dhe tabelën e pagave për administratën e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, të komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe administratën e tyre; dh) mbledh dhe përpunon të dhëna për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe raporton në Kuvend të paktën një herë në vit ose sa herë kërkohet nga Kuvendi, si dhe informon Këshillin e Ministrave me kërkesë të tij; e) miraton rregulloren për organizimin dhe funksionimin e tij, si dhe të komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave; ë) përcakton dokumentacionin e nevojshëm, mbi bazën e të cilit do të kryhet njohja, kthimi dhe kompensimi i pronës; f) përcakton, në bashkëpunim me Ministrin e Financave, tarifat e shërbimeve që do të paguajë subjekti i shpronësuar në procesin e kthimit e të kompensimit të pronave; g) përcakton mënyrën e bashkëpunimit të komisioneve vendore kur prona që njihet, kthehet ose kompensohet shtrihet në dy apo më shumë juridiksione të komisioneve vendore; gj) përcakton mënyrën e zëvendësimit të ekspertëve ose anëtarëve të komisioneve vendore kur ata janë në kushtet e pengesës ligjore për kryerjen e veprimtarisë. 2. Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave verifikon vendimet e komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave, të ngritura sipas ligjit nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”. Kërkesa për verifikimin e vendimeve të dhëna paraqitet në mënyrë të motivuar nga organet e qeverisjes vendore ose subjektet e shpronësuara brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Komisioni ka të drejtë të shfuqizojë vendimin administrativ të dhënë ose të kërkojë shfuqizimin e tij në rrugë gjyqësore. 3. Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shfuqizon vendimet e komisioneve vendore kur: a) komisioni vendor për kthimin dhe kompensimin e pronave ka shkelur dispozitat që rregullojnë juridiksionin dhe kompetencat e tij; b) vendimi është dhënë mbi bazën e dokumentacionit dhe verifikimeve të paplota; c) nuk është kërkuar dokumentacioni i nevojshëm, mbi bazën e të cilit duhet të kryhej njohja, kthimi ose kompensimi i pronës. 4. Procedura për kthimin dhe kompensimin e pronave hartohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe duhet të përfshijë: a) disponimin ligjor të pronës që do të përdoret për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara; b) njohjen e së drejtës së pronësisë për subjektet e shpronësuara; c) miratimin nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të studimeve paraprake në nivel qarku për kthimin dhe kompensimin e pronave, sipas propozimit të komisioneve vendore; ç) botimin në Fletoren Zyrtare të vendimeve të miratuara për kthimin dhe kompensimin e pronave në nivel qarku. Neni 17 Komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave 1. Komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave krijohen dhe ushtrojnë veprimtarinë aty ku funksionojnë qarqet. Kompetencat tokësore për secilin komision shtrihen në të gjithë territorin e mbuluar nga qarqet. 2. Komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave përbëhen nga 5 anëtarë, të cilët emërohen në detyrë nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mbi bazën e kritereve të konkurrimit që përcakton ligji “Për shërbimin civil”. 3. Anëtar i komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave mund të emërohet shtetasi shqiptar, i cili: a) ka mbaruar shkollën e lartë për jurist, ekonomist, agronom pedolog ose në fushën inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave; b) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; c) ka jo më pak se 5 vjet përvojë pune në profesion; ç) nuk është ndëshkuar me masën disiplinore të shkarkimit nga puna; a)ka zotësi të plotë për të vepruar; dh) nuk është në konflikt me detyrën e anëtarit të komisionit vendor. 4. Anëtarësia në komisionin vendor të kthimit dhe kompensimit të pronave është e papajtueshme me çdo veprimtari tjetër shtetërore ose politike. Neni 18 Kompetencat e komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave 1. Komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave kanë këto kompetenca: a) kontrollojnë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqesin subjektet e shpronësuara dhe e ballafaqojnë atë me aktet ligjore, nënligjore ose vendimet penale, sipas nenit 2 të këtij ligji, që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë nga shteti të pronës; b) verifikojnë dhe llogarisin detyrimet financiare që lindin për shtetin, subjektin e shpronësuar ose të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj; c) caktojnë ekspertë, të cilët ndihmojnë komisionin për anën teknike në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave; ç) u konfirmojnë të drejtën e pronësisë subjekteve të shpronësuara, duke lëshuar dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit, sipas modelit të përcaktuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave; d) urdhërojnë institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike të paraqesin dokumente ose të dhëna, të cilat ata i konsiderojnë të nevojshme; dh) në përputhje me ligjin dhe në bazë të dokumentacionit, përcaktojnë rastet kur nuk përfitohet nga zbatimi i këtij ligji. 2. Vendimet e komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit te pronave duhet të jenë në formë të shkruar, të marra në mbledhjet e tij, të arsyetuara dhe të përmbajnë kërkesat e parashikuara në Kodin e e Procedurave Administrative. 3. Në përcaktimin e kthimit ose kompensimit të pronës, komisionet vendore bazohen në vërtetimin me shkrim të Zyrës së Regjistimit të Pasurive të Paluajtshme për gjendjen juridike të pronës së paluajtshme që do të kthehet apo pronës së paluajtshme ku do të kompensohet subjekti i shpronësuar. Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i drejtohet kërkesa nga kryetari i komisionit vendor me shkrim dhe përpara marrjes së vendimit nga komisioni. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet të kthejë përgjigje me shkrim brenda 5 ditëve pune nga marrja e kërkesës dhe përgjigjja e saj depozitohet në dosjen përkatëse. 4. Nëse në përfundim të afatit ankimor, sipas këtij ligji, nuk është bërë ankim, komisionet duhet të dërgojnë një kopje origjinale të vendimit të tyre për njohjen, kthimin ose kompensimin e pronës së paluajtshme në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Neni 19 Afatet kohore 1. Subjektet e shpronësuara, për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të paraqesin kërkesat e reja brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 2. Komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave fillimisht njohin të drejtën e pronësisë dhe e kthejnë atë brenda 45 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Vendimi për njohjen ose kthimin e pronës njoftohet publikisht. Pas kalimit të këtij afati, komisionet vendore, brenda 45 ditëve, kompensojnë pronën kur, sipas këtij ligji, është i pamundur kthimi i saj. Në rastet kur brenda këtij afati komisionet vendore e kanë të pamundur të vendosin, me vendim të arsyetuar, mund të shtyjnë afatin e dhënies së vendimit, por jo më shumë se 30 ditë. 3. Në rastet kur komisionet vendore nuk marrin vendim brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, për çështjen vendos Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda 30 ditëve nga mbarimi i afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni. 4. Nëse vendimi i dhënë nga komisioni vendor ose Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave nuk është ankimuar brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, ai është titull ekzekutiv. Ngarkohen zyrat e përmbarimit për ekzekutimin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile. Neni 20 E drejta e ankimit 1. Kundër vendimit të komisionit vendor të kthimit dhe kompensimit të pronave, subjekti i shpronësuar mund të bëjë ankim në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në afatet dhe mënyrën e përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative. 2. Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave duhet të marrë vendim për ankesat brenda 30 ditëve nga çasti i depozitimit të tyre, duke lënë në fuqi ose kthyer rastin për rishqyrtim në komisionin vendor të kthimit dhe kompensimit të pronave. KREU V DISPOZITA TË FUNDIT Neni 21 Ngritja dhe funksionimi i komisioneve 1. Subjektet e përcaktuara në nenin 15, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i propozojnë Kuvendit kandidatët për anëtarë të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kuvendi emëron anëtarët e Komitetit Shtetëror brenda 30 ditëve nga paraqitja e të gjitha kandidaturave. 2. Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda 30 ditëve nga data e emërimit së tij, emëron anëtarët e komisioneve vendore. Brenda 60 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Këshilli i Ministrave merr masa dhe siguron buxhetin dhe mjediset e punës për Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave. 3. Subjektet e shpronësuara paraqesin kërkesat e tyre për njohjen, kthimin ose kompensimin e pronave 90 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 22 Vendimet e mëparshme 1. Në rast se në dosjet e depozituara në komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, të ngritura sipas ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, ekziston dokumentacioni i nevojshëm për vërtetimin e pronësisë për pronën që do të përfitohet sipas këtij ligji, subjekti i shpronësuar paraqet vetëm kërkesën me shkrim për njohjen, kthimin ose kompensimin e pjesës së mbetur të pronës së paluajtshme. Vendimet e dhëna në bazë të ligjit nr.7699, datë 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë ose me troje të ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve” që nuk janë realizuar, konsiderohen të vlefshme për njohjen e së drejtës së pronësisë dhe komisioni përcakton nëse është i mundur kthimi i pronës së paluajtshme apo kompensimi i saj. 2. Procesi i kthimit dhe kompensimit te pronave rifillon në mënyrën, formën dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj. Neni 23 Fondi i kompensimit 1. Për zbatimin e kompensimit financiar, krijohet Fondi i Kompensimit të Pronave. Ky fond përbëhet nga të ardhurat buxhetore, nga të ardhurat e krijuara nga ky ligj dhe të ardhura nga donatorë të ndryshëm. 2. Duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare rresht, Kuvendi, për propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton Fondin e Kompensimit, i cili administrohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara. Për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit në formën e kompensimit në të holla, subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë. 3. Bazuar në vendimet e komisioneve vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ndan Fondin për Kompensimin në mënyrë proporcionale. Neni 24 Afati i përfundimit të procesit Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2006, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji. Neni 25 Përdorimi i dokumenteve shtetërore Për efekt të zbatimit të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, institucionet shtetërore vënë në dispozicion të subjekteve të shpronësuara dhe komisioneve shtetërore, kundrejt shpërblimit, kopje të të gjitha dokumenteve që disponojnë. Neni 26 Ruajtja e dokumentacionit Dokumentacioni i procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave ruhet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat. Me përfundimin e procesit, sipas nenit 24 të këtij ligji, ky dokumentacion i dorëzohet Arkivit Qendror të Shtetit. Neni 27 Kontrolli Kontrolli ekonomik dhe financiar i veprimtarisë së Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe i komisioneve vendore kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të paktën një herë në gjashtë muaj. Përfundimet e kontrolleve bëhen kurdoherë publike. Neni 28 Dispozitë kalimtare Për tokat që janë në pronësi të shtetit, organet kompetente të administratës publike ndalohen të lidhin kontrata posedimi a pronësie me të tretë deri në përfundim të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Neni 29 Aktet nënligjore Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave nxjerr aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të tij. Neni 30 Shfuqizime Ligji nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, me ndryshimet e mëvonshme, ligji nr. 7699, datë 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve”, dekreti nr.1254, datë 19.10.1995 “Për kompensimin e ish-pronarëve të tokës bujqësore dhe jobujqësore dhe të trojeve të zëna, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara”, neni 10 i ligjit nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha”, shkronja “ç” e nenit 7 dhe neni 13 të ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, si dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen. Neni 31 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E T A R I Servet Pëllumbi SHTOJCA 1 1. Ligji nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”. 2. Ligji nr. 7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”. 3. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 378, datë 2.12.1992 “Për faljen e studiove të punës piktorëve dhe skulptorëve”. 4. Ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”. 5. Ligji nr. 7665 datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”. 6. Ligji nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”. 7. Ligji nr. 7980, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e tokave”. 8. Ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. 9. Ligji nr. 8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”.

Law No. 9235 on restitution and compensation of property · Nelum