Law No. 74/2025 on the extended responsibilities of producing entities of products that generate waste
صدر في 2025-12-04 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- العنوان الأصلي
- Ligj Nr. 74/2025 për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetj.
- اللغة
- Albanian
- النوع
- قانون
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Environment, Waste and hazardous substances
- الكلمات المفتاحية
- circular economy, ecofriendly products/ecofriendly processes, education, environmental fees/charges, environmental planning, environmental standards, recycling/reuse, sustainable development, transport/storage, waste disposal, waste management, policy/planning, standards, protection of environment, access-to-information, basic legislation, business/industry/corporations, consumer protection, cooperative/producer organization, data collection/reporting, equipment, fees/royalties, hazardous substances, inspection, institution, integrated management, inventory, legal proceedings/administrative proceedings, local government, monitoring, offences/penalties, oil pollution, packaging/labelling, polluter pays principle, pollution control, procedural matters, processing/handling, public participation, registration, special fund, waste non-domestic sources, decentralization, liability/compensation, traceability, governance, enforcement/compliance
- الفئات
- *
أين تقرؤه
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
1. “Mbetje bashkiake” janë: a) mbetje shtëpiake të përziera dhe mbetje të grumbulluara në mënyrë të diferencuar, duke përfshirë letrën dhe kartonin, qelqin, metalet, plastikën, mbetjet bio, drurin, tekstilet, ambalazhet, pajisjet elektrike dhe elektronike, përfshirë të gjitha pjesët përbërëse të tyre individuale apo të bashkuara dhe materialet e konsumit, që janë pjesë përbërëse e këtyre pajisjeve, mbetjet e baterive, mbetjet e vëllimshme, duke përfshirë mobiliet, dyshekët dhe të ngjashme; b) mbetje të përziera dhe mbetje të grumbulluara në mënyrë të diferencuar nga burime të tjera, kur këto mbetje kanë natyrë dhe përbërje të ngjashme me mbetjet shtëpiake. 1 Ky ligj është përafruar pjesërisht me direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 19 nëntor 2008, “Mbi mbetjet”, e cila shfuqizon disa direktiva. Numri CELEX: 32008L0098, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 312, datë 22.11.2008, faqe 3–30. Mbetjet bashkiake nuk përfshijnë mbetjet nga prodhimi, bujqësia, pyjet, peshkimi, gropat septike, rrjetin e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, sistemin e kullimit, si dhe llumrat e ujërave të ndotura, automjetet në fund të jetës, mbetjet nga ndërtimi.
2. “Përdorues i fundit” është çdo person fizik ose juridik, që përdor produktin për konsum final.
3. “Subjekt prodhues” është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin tregtar, i cili mbi baza profesionale zhvillon, prodhon, përpunon, trajton, shet ose importon produkte që gjenerojnë mbetje pas përdorimit.
4. “Subjekt prodhues i kontraktuar” është prodhuesi i produkteve, pjesë e sistemit PZP, detyrimet e të cilit për PZP-në janë marrë përsipër nga SHPZP-ja nëpërmjet një kontrate të nënshkruar dhe të regjistruar.
5. “Produkt PZP” është produkti, pjesë e sistemit PZP, që pas konsumit krijon mbetje dhe për të cilin aplikohet përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit sipas përcaktimeve të këtij ligji.
6. “Rryma specifike e mbetjeve” nënkupton të gjitha rrymat e mbetjeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
7 — “Sistemi i PZP-së” është tërësia e rregullave, që kanë qëllim të sigurojnë që subjekti prodhues,
7. “Sistemi i PZP-së” është tërësia e rregullave, që kanë qëllim të sigurojnë që subjekti prodhues, i cili hedh në treg produkte, pjesë e regjimit të rrymave specifike të mbetjeve, të mbajë përgjegjësi financiare dhe organizative për të menaxhuar stadin e mbetjeve në ciklin e jetës së produktit.
8. “Shoqëri për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues” është personi juridik i organizuar në formën e shoqërisë tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare që përmbush detyrimet e PZP-së për subjekte prodhuese.
9. “Vendosje në treg” është furnizimi ose vënia në dispozicion për qarkullim për herë të parë në tregun shqiptar të produktit, pjesë e sistemit të PZP-së. Neni 4 Fusha e zbatimit Ky ligj zbatohet për:
1. Të gjitha subjektet prodhuese, që ushtrojnë në Republikën e Shqipërisë aktivitete ekonomike, të cilat lidhen me qëllimin e këtij ligji, nën sistemin e PZP-së dhe hedhin për herë të parë në treg produkte, që pas përdorimit të tyre krijojnë mbetje në përputhje me legjislacionin në fuqi për rrymat specifike të mbetjeve.
2. Të paktën rrymat specifike të mbetjeve të parashikuara sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve si më poshtë: a) ambalazhet e mbetjet e tyre; b) bateritë dhe akumulatorët; c) automjetet në fund të jetës; ç) mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike; d) vajrat e përdorura.
3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në ushtrim të funksioneve të tyre, me qëllim arritjen e objektivave kombëtarë në fushën e mbetjeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe atë për vetëqeverisjen vendore. KREU II SISTEMI I PËRGJEGJËSIVE TË ZGJERUARA TË SUBJEKTEVE PRODHUESE Neni 5 Detyrimet e subjekteve prodhuese
1. Çdo subjekt prodhues, që zhvillon, prodhon, përpunon, trajton, shet ose importon mbi baza profesionale produkte që gjenerojnë mbetje, pas përdorimit përfshihet në sistemin e përgjegjësisë së zgjeruar të subjekteve prodhuese.
2. Subjekti prodhues ka këto detyrime: 2 a) regjistrohet si subjekt i PZP-së në regjistrin përkatës, që administron Agjencia Kombëtare e Mjedisit; b) krijon dhe mban regjistrin për sasitë e produkteve të prodhuara ose të importuara, të vendosura në treg; c) raporton për produktet e vendosura në treg në sasi dhe peshë sipas përcaktimeve të këtij ligji; ç) pranon pa pagesë produktet e kthyera dhe mbetjet e krijuara pas përdorimit të tyre; d) menaxhon mbetjet e produkteve të vendosura në treg të parashikuara në shkronjën “c” të kësaj pike dhe merr/mbart përgjegjësi financiare për këto veprimtari; dh) zbaton detyrimet e sistemit PZP, veçanërisht lidhur me pagesën e kontributeve financiare dhe mbledhjen e të dhënave për produktet e vendosura në treg, nëse vendosja e sistemit PZP parashikohet në përputhje me nenin 6 të këtij ligji; e) informon konsumatorët për mënyrën e ripërdorimit, dorëzimit, sistemet e ngritura, pikat më të afërta të grumbullimit, ndikimet në mjedis dhe shëndet, në përputhje me parashikimet e nenit 7 të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e konsumatorëve.
3. Subjekti prodhues paraqet çdo vit një vetëdeklarim për vërtetimin e përmbushjes së detyrimeve për vitin paraardhës pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin së bashku me bilancin vjetor. Vetëdeklarimi përmban, ndër të tjera, edhe të dhënat për sasitë e kthyera të mbetjeve dhe për çdo lloj e kategori të tyre, për një vit të caktuar, si dhe të dhënat për dorëzimin e tyre ricikluesve ose trajtuesve të licencuar, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
4. Subjekti, prodhuesi i kontraktuar, nëpërmjet SHPZP-së paraqet në ministri një raport vjetor për sasinë e produkteve PZP të hedhura në tregun vendas, përfshirë të dhënat për sasitë e kthyera të mbetjeve, si dhe për çdo lloj e kategori të tyre për një vit të caktuar, si dhe të dhënat për dorëzimin e tyre ricikluesve ose trajtuesve të licencuar brenda datës 30 prill të vitit pasardhës financiar.
5. Rregullat për mbajtjen, paraqitjen dhe formatin e vetëdeklarimit të subjektit prodhues dhe raportit vjetor të SHPZP-së për subjektin prodhues të kontraktuar, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për mjedisin.
6. Subjekti prodhues kontribuon për përmbushjen e objektivave kombëtarë për mbetjet e gjeneruara nga produktet që ka vendosur për herë të parë në treg, në masën e përcaktuar në Dokumentin e Politikave Strategjike dhe në Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.
7. Duke filluar nga data 1 dhjetor 2026 minimumi i objektivave kombëtarë, që duhen përmbushur nga çdo subjekt prodhues për vitin ekzistues, është i barabartë me pjesën që ka prodhuesi në sasitë totale të produkteve PZP të vendosura në treg në vitin paraardhës, të cilat i përkasin të njëjtës kategori mbetjesh për të cilën është subjekt i PZP-ve. Neni 6 Sistemi për përgjegjësinë e zgjeruar të subjekteve prodhuese
1. Subjekti prodhues që vendos për herë të parë në treg produkte PZP, objekt i këtij ligji, krijon sistemin e përgjegjësisë së zgjeruar të subjekteve prodhuese.
2. Përveç detyrimeve të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji, subjekti prodhues siguron: a) grumbullimin e mbetjeve, që dalin nga këto produkte si mbetje bashkiake; b) trajtimin e mbetjeve të grumbulluara nga produktet sipas pikës 1 të këtij neni; c) përmbushjen e objektivave të grumbullimit të veçantë, përgatitjes për ripërdorim, riciklimit ose procedurave të tjera të rikuperimit të mbetjeve, që dalin nga produktet sipas pikës 1 të këtij neni; ç) përmbushjen e objektivave kombëtarë sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Minimumi i objektivave kombëtarë, që duhen përmbushur për vitin ekzistues, është i barabartë me pjesën që ka subjekti prodhues në sasitë totale të produkteve PZP të vendosura në treg në vitin paraardhës, sipas rrymave përkatëse të mbetjeve.
3. Subjektet prodhuese zbatojnë detyrimet e tyre sipas mënyrave të mëposhtme: a) organizojnë vetë sistemin e marrjes mbrapsht, të grumbullimit e të trajtimit të mbetjeve; 3 b) së bashku me subjektet prodhuese të tjera organizojnë një sistem kolektiv të organizuar të marrjes mbrapsht, grumbullimit e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet një subjekti të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie; ose c) krijojnë SHPZP për marrjen mbrapsht, grumbullimin e trajtimin e mbetjeve në përputhje me këtë ligj.
4. Subjektet prodhuese, të parashikuara në shkronjën “b” të pikës 3 të këtij neni, përgjigjen financiarisht dhe nga ana organizative për përmbushjen e detyrimeve të parashikuara në këtë pikë sipas pjesës takuese përkatëse, të përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet tyre, si dhe me subjektin e licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
5. Subjektet prodhuese, të parashikuara në shkronjën “c” të pikës 3 të këtij neni, përgjigjen financiarisht dhe nga ana organizative për përmbushjen e detyrimeve të parashikuara në këtë pikë sipas pjesës takuese përkatëse, të përcaktuar në kontratat e lidhura ndërmjet tyre dhe parashikimeve të këtij ligji.
6. Kontributi financiar, në zbatim të pikave 4 dhe 5 të këtij neni, përfshin: a) kthimin e të gjitha produkteve të përdorura dhe të mbetjeve të gjeneruara prej tyre; b) grumbullimin e diferencuar, magazinimin e përkohshëm të mbetjeve të paktën për sasinë minimale të objektivit të grumbullimit të përcaktuar, sipas parashikimeve të këtij ligji; c) transportin, rikuperimin, ripërdorimin ose riciklimin e rrymave specifike të mbetjeve të paktën për sasinë minimale të objektivit të trajtimit të përcaktuar, sipas parashikimeve të nenit 10 të këtij ligji; ç) zhvillimin e aktiviteteve të përshtatshme të informimit, ndërgjegjësimit, udhëzimit ose trajnimit për t’u ofruar qytetarëve informacion për ushtrimin e të drejtave të tyre si konsumatorë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji. d) investimet në infrastrukturën e grumbullimit, me qëllim që të përballojë përzgjedhjen e çdo lloj produkti PZP dhe/ose rrymat specifike të mbetjeve ose kategorinë për të cilin prodhuesi ka detyrime, që lindin nga sistemi i PZP-së; dh) kostot administrative për përmbushjen e detyrimeve të vendosura në zbatim të këtij neni.
7. Kontributi financiar i përcaktuar në pikën 5 të këtij neni nuk tejkalon kostot e kërkuara për ofrimin e shërbimeve në këtë pikë. Neni 7 Detyrimi për informim
1. Subjekti prodhues, vetë apo nëpërmjet SHPZP-së, informon konsumatorët për: a) mënyrat e ripërdorimit të produktit si të plotë ose për pjesët përbërëse të tij, mënyrat e çmontimit të produktit, si dhe të trajtimit të mbetjeve të gjeneruara pas përdorimit; b) dorëzimin e produkteve që gjenerojnë mbetje në pika të afërta grumbullimi lehtësisht të aksesueshme prej tyre e të sugjeruara nga prodhuesi; c) sistemet e ngritura për marrjen mbrapsht dhe grumbullimin e mbetjeve deri në asgjësim; ç) vendin më të afërt për të dorëzuar mbetjet në rast refuzimi për të kthyer mbetjet; d) ndikimin që kanë mbetjet e gjeneruara në mjedis dhe shëndetin e njeriut.
2. Informacioni jepet në mënyrë të qartë në etiketën e produktit ose/dhe në faqen zyrtare të SHPZP-së. Formati i etiketës dhe modalitetet e gjurmueshmërisë së produktit në të gjithë ciklin e tij në treg përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës.
3. Subjekti prodhues, vetë apo nëpërmjet SHPZP-së, informon tregtarët për mënyrën e kthimit të produkteve të përdorura ose të mbetjeve të krijuara nga konsumatorët, duke përfshirë edhe tregtarin e fundit, që shet dhe/ose i dorëzon produktet konsumatorit. Neni 8 Detyrimi për regjistrim dhe kontrata me shoqërinë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues 4
1 — Çdo subjekt prodhues, në cilësinë e zotëruesit të rrymës specifike të mbetjeve, në rast se nuk e
1. Çdo subjekt prodhues, në cilësinë e zotëruesit të rrymës specifike të mbetjeve, në rast se nuk e organizon vetë sistemin e marrjes mbrapsht, të grumbullimit e të trajtimit të mbetjeve, regjistrohet në SHPZP sipas rrymës përkatëse për të cilën është subjekt i detyrimeve të PZP-së.
2. Subjekti prodhues, subjekt i PZP-së, nënshkruan një kontratë me SHPZP-në për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga sistemi i PZP-së, sipas parashikimeve të shkronjave “b” dhe “c” të pikës 3 të nenit 6 të këtij ligji për të paktën një vit fiskal.
3. Subjekti prodhues lidh kontratë të veçantë vetëm me një SHPZP për çdo rrymë mbetjeje të caktuar dhe në kontratë, përveç të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet palëve, parashikohen shprehimisht rastet kur SHPZP-ja nuk arrin të përmbushë detyrimet e subjektit prodhues për PZP-në dhe objektivat e lidhur me to, si dhe/ose është në pamundësi financiare për të paguar penalitetet për mospërmbushjen e detyrimeve. Në çdo rast, detyrimet paguhen në përputhje me përqindjen e produkteve të vendosura në tregun vendas për vitin në të cilin objektivi nuk është përmbushur. Neni 9 Detyrimi për raportim pranë shoqërisë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues
1. Subjekti prodhues i kontraktuar i paraqet SHPZP-së një raport tremujor për sasinë e produkteve PZP të vendosura në treg brenda datës 15 të muajit pasardhës. Ky afat zbatohet edhe në rastin kur prodhuesi nuk ka hedhur në treg asnjë produkt për atë periudhë trimujore.
2. Raportet trimujore për sasinë totale të produkteve të vendosura në treg gjatë një tremujori nga të gjitha subjektet prodhuese të kontraktuara nga SHPZP-ja i dërgohen AKM-së nga SHPZP-ja jo më vonë se dita e fundit e muajit pasardhës të atij tremujori. KREU III PËRGJEGJËSITË E SHOQËRISË PËR PËRGJEGJËSINË E ZGJERUAR TË SUBJEKTIT PRODHUES Neni 10 Detyrimet e shoqërisë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues
1. SHPZP-ja merr përsipër detyrimet PZP të subjekteve prodhuese për një rrymë të caktuar mbetjesh, për sasitë e produkteve PZP të hedhura në treg për çdo vit të ushtrimit të veprimtarisë.
2 — SHPZP-ja ka detyrimin të pajiset me autorizim në zbatim të nenit 11 të këtij ligji për ushtrimin
2. SHPZP-ja ka detyrimin të pajiset me autorizim në zbatim të nenit 11 të këtij ligji për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
3. SHPZP-ja nënshkruan një kontratë me subjektin prodhues të kontraktuar, që përcakton detyrimet kryesore që përmbush secila palë sipas kërkesave të këtij ligji dhe përmban parashikime për sasitë e planifikuara për çdo rrymë e çdo lloj mbetjesh, si dhe mënyrën e raportimit dhe të mbikëqyrjes së zbatimit.
4. SHPZP-ja nënshkruan me subjekte të licencuara për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve sipas përcaktimeve të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.
5. SHPZP-ja njofton subjektet prodhuese të kontraktuara për veprimtaritë lidhur me mbledhjen e trajtimin e mbetjeve gjatë vitit paraardhës, duke specifikuar përmbushjen e objektivave minimalë dhe pjesën e tregut që mbulon secili produkt PZP brenda datës 30 prill të vitit pasardhës.
6. SHPZP-ja mbledh dhe raporton të dhëna pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin, sipas parashikimeve të këtij ligji, nëpërmjet të cilave vërtetohet qartë se detyrimet PZP janë përmbushur për secilin subjekt prodhues dhe për rrymat e veçanta të mbetjeve. Neni 11 Autorizimi i shoqërisë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues 5
1. Për pajisjen me autorizim, SHPZP-ja plotëson kriteret e mëposhtme: a) regjistrohet pranë QKB-së si shoqëri tregtare, me objekt veprimtarie menaxhimin e mbetjeve dhe përgjegjësitë e zgjeruara të subjektit prodhues; b) vërteton dakordësinë e përfaqësimit të subjekteve prodhuese për secilën rrymë mbetjesh, objekt i këtij ligji; c) paguan tarifën për pajisjen me autorizim.
2. SHPZP-ja, para fillimit të çdo aktiviteti për përmbushjen e detyrimeve PZP, aplikon në portalin unik qeveritar “e-Albania” për pajisjen me autorizim vetëm për një rrymë mbetjesh sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
3. SHPZP-ja pajiset me autorizim nga ministria përgjegjëse për mjedisin sipas modelit të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin për ushtrimin e veprimtarisë për një rrymë specifike, në përputhje me parimet e procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë.
4. Autorizimi është i vlefshëm për një periudhë 5-vjeçare.
5. Në rast mospërmbushjesh të detyrimeve të SHPZP-së ndaj subjekteve prodhuese, SHPZP-së i pezullohet ose i anulohet autorizimi përkatës nga ministria sipas parashikimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
6. Dokumentacioni për pajisjen me autorizim, procedurat e shqyrtimit të aplikimit, afatet dhe tarifa për pajisjen me autorizim për SHPZP-në miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin. Neni 12 Zgjidhja e kontratës së shoqërisë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues me subjektin prodhues
1. Në rast se SHPZP-ja nuk përmbush objektivat minimalë për mbledhjen e trajtimin e një rryme specifike mbetjeje me më shumë se 10 (dhjetë) për qind nën kufirin e detyrueshëm, SHPZP-ja paguan një gjobë të barabartë me dyfishin e vlerës së kontributit financiar përkatës.
2. SHPZP-ja zgjidh kontratën me subjektin prodhues në rast se ky i fundit nuk paguan kontributin financiar përkatës të autorizimit për dy periudha të njëpasnjëshme pagesash.
3. SHPZP-ja, e cila zgjidh kontratën sipas pikës 1 të këtij neni, shkarkohet nga detyrimi për mbledhjen e trajtimin e mbetjeve në përpjesëtim me sasinë për të cilën prodhuesi nuk ka paguar kontributin financiar takues.
4. Nëse subjekti prodhues e ka paguar kontributin financiar takues te SHPZP-ja, së cilës i hiqet autorizimi, ky subjekt prodhues nuk paguan detyrime të tjera financiare për këtë pjesë të vitit për të cilën ka paguar.
5. AKM-ja njofton strukturat inspektuese për mospërmbushjen e objektivave nga SHPZP-ja dhe prodhuesit e kontraktuar brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga dita e konstatimit të mospërmbushjes së tyre. Struktura inspektuese kompetente merr masa për vendosjen e gjobës brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit. Neni 13 Kontributi financiar për shoqërinë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues
1. SHPZP-ja njofton me shkrim ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe AKM-në për përmbushjen e detyrimeve financiare nga ana e subjekteve prodhuese për çdo rrymë dhe lloj mbetjeje, si dhe kushtet e përgjithshme të kontratës me secilin prej tyre brenda datës 15 nëntor të çdo viti, duke nisur nga viti i themelimit të SHPZP-së.
2. Subjekti prodhues i paguan SHPZP-së kontributin financiar çdo tre muaj, sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet tyre, për sasinë e produkteve dhe të rrymave specifike të mbetjeve, në përputhje me nenin 15 të këtij ligji. 6
3. Kontributi financiar, që subjekti prodhues ka detyrimin t’i paguajë SHPZP-së, nuk duhet të jetë më pak se 50 (pesëdhjetë) për qind e kontributit financiar për atë produkt, subjekt i PZP-së.
4. SHPZP-ja bën publike të dhënat për kontributin financiar të autorizimit dhe kontratat e nënshkruara me subjektin prodhues, lehtësisht të aksesueshme dhe transparente.
5. Kontributi financiar i paguar nga subjekti prodhues te SHPZP-ja mbulon kostot për përmbushjen e detyrimeve të tyre PZP si më poshtë: a) kostot për grumbullimin dhe trajtimin për çdo lloj mbetjeje, përfshirë kostot e eliminimit të tepricave të mbetjeve, nëse ka; b) kostot operative për veprimtarinë e SHPZP-së; c) kostot për komunikimin me publikun dhe aktivitetet për rritjen e ndërgjegjësimit; ç) kostot për investimet në infrastrukturën e mbledhjes së mbetjeve në mënyrë që të mundësohet përzgjedhja e rrymave specifike dhe llojeve të mbetjeve për të cilat është autorizuar SHPZP-ja. Neni 14 Detyrimi për informim i shoqërisë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues
1. SHPZP-ja shpenzon një shumë në masën nga 10 (dhjetë) deri në 15 (pesëmbëdhjetë) për qind të të ardhurave totale të vitit paraardhës për aktivitete nxitëse dhe promovuese, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit te konsumatorët për zbatimin e këtij ligji dhe për menaxhimin e rrymave specifike të mbetjeve, si dhe ndarjen në burim e trajtimin e tyre.
2. Përjashtimisht për 3 (tre) vjetët e parë të autorizimit, SHPZP-ja shpenzon deri në 20 (njëzet) për qind të të ardhurave totale të vitit paraardhës për aktivitetet e përmendura në pikën 1 të këtij neni.
3. SHPZP-ja bashkëpunon me SHPZP të tjera, subjektet prodhuese, tregtarë, persona të tjerë juridikë, institucione shtetërore e private, si dhe me ministrinë për të zhvilluar aktivitete të përshtatshme informimi, ndërgjegjësimi, udhëzimi ose trajnimi për të informuar qytetarët në ushtrimin e të drejtave të tyre si konsumatorë. Neni 15 Bashkëpunimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore
1. SHPZP-ja dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet lidhjes së një kontrate bashkëpunojnë dhe financojnë së bashku infrastrukturën për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, duke garantuar që përdoruesit e fundit t’i dorëzojnë mbetjet pa pagesë në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe për vetëqeverisjen vendore.
2. Njësia e vetëqeverisjes vendore bashkëpunon me SHPZP-në në mënyrë që kjo e fundit të ofrojë shërbimet e veta në territorin, që ka nën juridiksion njësia e vetëqeverisjes vendore, dhe të organizojë e të zbatojë grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.
3. SHPZP-ja dhe njësia e vetëqeverisjes vendore lidhin një kontratë me shkrim për mënyrën e bashkëpunimit në të cilën mund të përcaktohet që ngritja dhe funksionimi i skemës së PZP-së të kryhet vetëm nga SHPZP-ja për atë rrymë mbetjesh që ka autorizim apo vetëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose të dyja së bashku.
4. Kontrata që lidhet sipas pikës 3 të këtij neni mbulon detyrimet kryesore të secilës palë, sipas kërkesave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Kontrata përmban të paktën elementet e mëposhtme: a) kërkesat për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, duke përfshirë rrymën specifike të mbetjeve, numrin e popullsisë për zonën ku ofrohet shërbimi, vendndodhjen e mbetjeve, si dhe periodicitetin e ofrimit të shërbimit; b) objektivat për grumbullimin e diferencuar, riciklimin dhe rikuperimet e tjera të mbetjeve, si dhe mënyrën e raportimit për përmbushjen e këtyre objektivave; c) kushtet dhe afatet për monitorimin e zbatimit të kërkesave të këtij ligji në territorin që ka nën juridiksion njësia e vetëqeverisjes vendore; ç) kushtet për zhvillimin e aktiviteteve të përshtatshme: informimi, ndërgjegjësimi, udhëzimi ose trajnimi për të informuar qytetarët në territorin që ka nën juridiksion njësia e vetëqeverisjes vendore; 7 d) kushtet për bashkëfinancimin e infrastrukturës për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.
5. Formati i kontratës tip ndërmjet SHPZP-së dhe njësive të vetëqeverisjes vendore miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi për vetëqeverisjen vendore dhe të menaxhimit të integruar të mbetjeve. KREU IV INSTITUCIONET PËRGJEGJËSE Neni 16 Institucionet përgjegjëse
1. Strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji janë: a) ministria përgjegjëse për mjedisin; b) Agjencia Kombëtare e Mjedisit; c) struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit; ç) struktura përgjegjëse për inspektimin për mbikëqyrjen e tregut; d) institucioni përgjegjës për doganat; dh) institucioni përgjegjës për tatimet; e) njësitë e vetëqeverisjes vendore.
2. Institucionet përgjegjëse ushtrojnë detyrat sipas legjislacionit përkatës dhe bashkëpunojnë ndërmjet tyre. Neni 17 Ministria përgjegjëse për mjedisin Ministria përgjegjëse për mjedisin është institucioni përgjegjës për: a) mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij; b) koordinimin ndërinstitucional lidhur me zbatimin e mirëfunksionimin e sistemit PZP; c) pajisjen me autorizim për SHPZP-në për ushtrimin e veprimtarive lidhur me grumbullimin e diferencuar të mbetjeve të krijuara nga produktet dhe rrymave specifike të mbetjeve për rikuperimin, ripërdorimin ose riciklimin e tyre; ç) përgatitjen dhe propozimin e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji; d) informimin e publikut të gjerë në lidhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij për zbatimin e sistemit PZP, kur konsiderohet e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit të njeriut ose mjedisit. Neni 18 Institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe inspektimin Institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe kontrollin e sistemit të përgjegjësive të zgjeruara të subjekteve prodhuese janë:
1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (në vijim AKM), si institucioni përgjegjës i kontrollit në fushën e mbrojtjes së mjedisit lidhur me produktet PZP për: a) krijimin, funksionimin dhe administrimin e regjistrit të produkteve PZP për prodhuesit PZP dhe SHPZP, sipas përcaktimeve të nenit 19 të këtij ligji; b) verifikimin e të dhënave dhe kontrollin e tregtarit, të subjekteve prodhuese PZP dhe SHPZP në lidhje me informacionin e përfshirë në raportimet përkatëse pranë Agjencisë, sipas parashikimeve të këtij ligji; c) monitorimin e strukturave dhe hapësirave, ku prodhohen, ruhen, përdoren ose shiten produktet PZP; ç) kryerjen e kontrollit të tërheqjes së produkteve në rast se nuk plotësojnë kërkesat e këtij ligji; d) kur i kërkohet, asistimin e institucioneve përgjegjëse për identifikimin e produkteve PZP. 8
2 — Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit, e cila inspekton subjektet prodhuese
2. Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit, e cila inspekton subjektet prodhuese për zbatimin e kërkesave të këtij ligji dhe vendosjen e masave administrative përkatëse;
3. Struktura përgjegjëse për inspektimin për mbikëqyrjen e tregut, që kryen këto veprime: a) ushtron kontrolle të përshtatshme për karakteristikat e produkteve PZP, përfshirë dhe pikat e shitjes së produkteve PZP, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore; b) organizon në bashkëpunim me operatorët ekonomikë kthimin/tërheqjen nga tregu të produkteve PZP, në rast se nuk plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi; c) siguron marrjen e masave për ndalimin e tregtimit ose ndalimin apo kufizimin e bërjes së disponueshme të produkteve PZP në treg, kur nuk plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi.
4. Autoriteti doganor është përgjegjës për kontrollin e produkteve, pjesë e sistemit të PZP-së në pikat doganore të hyrjes e të daljes.
5. Kontrollet e përcaktuara në këtë nen kryhen sipas parimeve, procedurave dhe në mënyrën e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për inspektimin, legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, atë doganor dhe atë për mbikëqyrjen e tregut. KREU V REGJISTRIMI DHE RAPORTIMI Neni 19 Regjistri i sistemit për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Agjencia Kombëtare e Mjedisit administron bazën e të dhënave shtetërore të Sistemit të Informacionit të Integruar Mjedisor, pjesë e të cilave janë edhe të dhënat për subjektet prodhuese për çdo produkt PZP dhe të SHPZP-ve.
2. Subjektet prodhuese PZP dhe SHPZP-të raportojnë pranë Agjencisë çdo ndryshim të të dhënave.
3. Struktura përgjegjëse në AKM verifikon të paktën çdo 5 (pesë) vjet të dhënat e prodhuesve PZP dhe SHPZP-ve.
4. AKM-ja publikon e përditëson çdo vit regjistrin me të dhënat për sasinë totale të produkteve PZP, sipas llojit dhe rrymave të mbetjeve të krijuara.
5. Rregullat e detajuara në zbatim të pikës 1 të këtij neni, të dhënat parësore dhe dytësore, si dhe niveli i aksesueshmërisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin. Neni 20 Procedura për regjistrimin e subjekteve prodhuese
1. Subjekti prodhues aplikon për regjistrim në portalin unik qeveritar “e-Albania” dhe pajiset nga AKM-ja me certifikatën e regjistrimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune nga dita e aplikimit.
2. Rregullat për procedurën e regjistrimit dhe të çregjistrimit, afatet, dokumentacioni, mbajtja e të dhënave dhe përditësimi i tyre miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin. Neni 21 Raportimi vjetor
1. Subjektet prodhuese PZP dhe SHPZP raportojnë në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe AKM çdo 6 (gjashtë) muaj, në dy vitet e para të regjistrimit dhe të autorizimit të tij dhe pas këtij afati raportimi bëhet një herë në vit sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij neni. 9
2. Subjektet prodhuese PZP dhe SHPZP paraqesin brenda datës 30 prill të çdo viti në strukturën përgjegjëse për mbetjet në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe në AKM raportin vjetor për produktet PZP të hedhura në treg, të audituara nga audituesi i licencuar.
3. Raporti përmban të dhëna për sasinë totale të produkteve PZP të vendosura në treg, sasitë e mbledhura dhe të trajtuara sipas produktit PZP dhe rrymave specifike të mbetjeve, si dhe përmbushjen e objektivave kombëtarë të mbetjeve.
4. Formati dhe mënyra e përgatitjes dhe e dorëzimit të raportit vjetor përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për mjedisin.
5. Ministria përgjegjëse për mjedisin dhe AKM-ja marrin masat e nevojshme për ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit të dorëzuar sipas këtij neni, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. KREU VI KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE, MASAT DHE EKZEKUTIMI Neni 22 Kundërvajtjet administrative
1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë sipas kufijve dhe përcaktimeve në pikën 2 të këtij neni, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative dhe inspektimin.
2. Dënohen me gjobë shkeljet e mëposhtme: a) mospërmbushja e detyrimit për regjistrim të subjektit prodhues në regjistrin që administron AKM-ja, mosmbajtja e regjistrit të produkteve dhe raportimi për sasinë e produkteve të prodhuara ose të importuara, sipas parashikimeve të shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 2 të nenit 5 të këtij ligji, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë; b) mospërmbushja e detyrimit të subjektit prodhues të produkteve PZP lidhur me pagesën e kontributit financiar të sistemit PZP, sipas parashikimeve të shkronjës “dh” të pikës 2 të nenit 5 të këtij ligji, nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; c) mospërmbushja e detyrimeve për informimin e konsumatorëve nga subjekti prodhues, sipas parashikimeve të shkronjës “e” të pikës 2 të nenit 5 dhe të nenit 7 të këtij ligji, nga 100 000 lekë deri në 200 000 lekë; ç) mosparaqitja e vetëdeklarimit për vërtetimin e përmbushjes së detyrimeve, sipas parashikimeve të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji, nga 100 000 lekë deri në 200 000 lekë; d) mospërmbushja e detyrimit nga subjekti prodhues lidhur me regjistrimin dhe kontratat me SHPZP, sipas parashikimeve të nenit 8 të këtij ligji, nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; dh) mospajisja me autorizim e SHPZP-së, në zbatim të parashikimeve të këtij ligji, nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; e) mospërmbushja e detyrimit për raportimin periodik dhe vjetor nga ana e subjekteve prodhuese PZP dhe SHPZP dënohet me gjobë përkatësisht 200 000 lekë për subjektin prodhues dhe 500 000 lekë për SHPZP-në; ë) mospërmbushja e detyrimit nga SHPZP-ja në përputhje me pikën 1 të nenit 12 të këtij ligji nga 200 000 lekë deri në 500 000 lekë; f) dhënia e informacionit të pasaktë nga ana e subjektit prodhues PZP dhe SHPZP nga 100 000 deri në 200 000 lekë; g) hedhja në treg dhe tregtimi i produkteve, që nuk plotësojnë kërkesat e këtij ligji nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; gj) mospërmbushja e detyrimeve për informimin e konsumatorëve nga SHPZP-ja sipas parashikimeve të nenit 14 të këtij ligji nga 200 000 lekë deri në 300 000 lekë; h) mospajisja me certifikatë regjistrimi e subjektit prodhues sipas parashikimeve të nenit 20 të këtij ligji nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë; 10 i) mospërmbushja e minimumit të objektivave kombëtarë nga SHPZP-ja për mbledhjen dhe trajtimin e një rryme specifike mbetjeje me më shumë se 10 (dhjetë) për qind, të barabartë me dyfishin e vlerës së kontributit financiar.
3. Gjoba e vendosur në zbatim të këtij ligji përbën titull ekzekutiv pas shterimit të ankimit administrativ, sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurave Administrative. Gjoba paguhet brenda 10 ditëve kalendarike nga data kur është njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë që përbën titull ekzekutiv. Në rast mosekzekutimi vullnetar, për ekzekutimin e saj ngarkohet zyra e përmbarimit, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Civile dhe në ligjin për kundërvajtjet administrative.
4. Të ardhurat e mbledhura nga gjobat derdhen 100 (njëqind) për qind në buxhetin e shtetit. Neni 23 Procedura e kundërvajtjeve administrative
1. Kontrolli i zbatimit të këtij ligji dhe i akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, si dhe vendosja e gjobës dhe/apo pezullimi ose ndërprerja e veprimtarisë, sipas legjislacionit në fuqi për inspektimin, kryhet nga struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit dhe struktura përgjegjëse inspektuese për mbikëqyrjen e tregut sipas fushës së përgjegjësisë së tyre.
2. Konstatimi i shkeljeve që përbëjnë kundërvajtjeve administrative të parashikuara në nenin 22 të këtij ligji dhe vendosja e gjobës bëhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin në mjedis dhe struktura përgjegjëse inspektuese për mbikëqyrjen e tregut sipas fushës së përgjegjësisë së tyre.
3. Kundër vendimit të masës administrative të vendosur nga struktura përgjegjëse inspektuese për mbikëqyrjen e tregut bëhet ankim në përputhje me legjislacionin e posaçëm në fuqi për inspektimin e mbikëqyrjes së tregut.
4. Kundër vendimit të masës administrative të vendosur nga struktura përgjegjëse për inspektimin në mjedis bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin dhe shqyrtimi e marrja e vendimit përfundimtar, ekzekutimi dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për inspektimin. Neni 24 Pezullimi dhe anulimi i autorizimit
1. Pavarësisht nga dënimet e parashikuara në shkronjat “a” deri në “dh” të pikës 2 të nenit 22 të këtij ligji, Agjencia Kombëtare e Mjedisit i propozon ministrit përgjegjës për mjedisin: a) pezullimin e autorizimit për SHPZP-në në rastet kur: i. paraqitet kërkesë nga SHPZP-ja; ii. SHPZP-ja nuk përmbush kushtet e parashikuara në autorizim dhe në kërkesat e këtij ligji; b) anulimin e autorizimit të SHPZP-së në rastet kur: i. paraqitet kërkesë nga SHPZP-ja; ii. SHPZP-ja ka shkelur në mënyrë të përsëritur dispozitat e këtij ligji, gjë që ka çuar në vënien e gjobave administrative, në përputhje me nenin 22 të këtij ligji; iii. SHPZP-ja nuk ka zbatuar brenda afatit të pezullimit detyrimet e përcaktuara si shkaqe të pezullimit; iv. SHPZP-ja nuk ka paguar gjobat administrative të vëna sipas këtij ligji.
2. Ministri përgjegjës për mjedisin nxjerr urdhrin e pezullimit të autorizimit, duke i lënë subjektit një afat prej 20 (njëzet) ditësh për ripërmbushjen e shkaqeve të pezullimit.
3. Subjekti ndaj të cilit vendoset urdhri i pezullimit ka të drejtën e ankimit administrativ te titullari i strukturës përgjegjëse për mjedisin, sipas legjislacionit në fuqi për procedurat administrative.
4. Në rast se subjekti plotëson detyrimet për shkaqet e pezullimit, ministri shfuqizon urdhrin e pezullimit.
5. Në rast se subjekti nuk përmbush brenda afatit të pezullimit detyrimet e përcaktuara në shkaqet e pezullimit, ministri nxjerr urdhrin e anulimit të autorizimit përkatës. 11
6. Agjencia Kombëtare e Mjedisit publikon aktin e pezullimit apo të anulimit në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.
7. SHPZP-ja, ndaj të cilit vendoset masa administrative, ka të drejtën e ankimit administrativ, sipas afateve dhe procedurave të legjislacionit në fuqi.
8. Kundër vendimit përfundimtar të ministrit, SHPZP-ja ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatën kompetente për çështje administrative në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. KREU VII DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT Neni 25 Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 2 vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, pika 2; 11, pika 6; 15, pika 5; 19, pika 5, dhe 20, pika 2, të tij.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për mjedisin që brenda 2 vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 5, pika 5, 11, pika 3 dhe 21, pika 4, të tij. Neni 26 Dispozita kalimtare
1. Subjektet prodhuese, të cilat në bazë të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, kanë detyrimin e pagesës së taksës për materiale/artikuj plastikë dhe të taksës së ambalazheve prej plastike/qelqi, përjashtohen nga detyrimi i pagesës së kontributit financiar, sipas këtij ligji për të njëjtat produkte, për periudhën kur mbetet në fuqi detyrimi tatimor përkatës sipas ligjit të mësipërm.
2. Kërkesat dhe proceduarat administrative për shërbimet që preken nga ky ligj zbatohen në momentin që përfundojnë zhvillimet teknike për pritjen e aplikimeve në Sistemin e Informacionit të Integruar Mjedisor. Neni 27 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i fillon efektet nga data 1 dhjetor 2026. Miratuar në datën 4.12.2025. Shpallur me dekretin nr. 501, datë 23.12.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. 12