Law no. 29/2024 on water resources
صدر في 2024-04-04 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- العنوان الأصلي
- Ligj Nr. 29/2024 për burimet ujore.
- اللغة
- Albanian
- النوع
- قانون
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Water
- الكلمات المفتاحية
- basic legislation, water resources management, coastal zone management, sustainable development, flood, freshwater pollution, groundwater, inland waters, legal proceedings/administrative proceedings, monitoring, offences/penalties, pollution control, protected area, protection of environment, risk assessment/management, water abstraction, water quality standards, water supply, waterworks, standards, hazards
أين تقرؤه
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
1 Ky ligj është përafruar pjesërisht me: Direktivën 2000/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 23 tetor 2000, “Për krijimin e një kuadri për veprimin e komunitetit në fushën e politikës së ujërave”, e ndryshuar. Numri CELEX 32000L0060, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 327, datë 22.12.2000, faqe 1–73. Direktivën 2008/105/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 16 dhjetor 2008, “Mbi standardet e cilësisë mjedisore në fushën e politikës së ujit, që ndryshon dhe më pas shfuqizon direktivat e Këshillit 82/176/KEE, 83/513/KEE, 84/156/KEE, 84/491/KEE, 86/280/KEE dhe që ndryshon direktivën 2000/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit”, e ndryshuar. Numri CELEX 32008L0105, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 348, datë 24.12.2008, faqe 84–97. Direktivën 2006/118/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 12 dhjetor 2006, “Për mbrojtjen e ujërave nëntokësore nga ndotja dhe përkeqësimi”, e ndryshuar. Numri CELEX 32006L0118, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 372, datë 27.12.2006, faqe 19–31. Direktivën 2010/75/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 24 nëntor 2010, “Mbi emetimet industriale (parandalimi dhe kontrolli i integruar i ndotjes)”. Numri CELEX 32010L0075, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 334, datë 17.12.2010, faqe 17–119. Direktivën e Këshillit 91/676/KEE, datë 12 dhjetor 1991, “Për mbrojtjen e ujërave nga ndotja e shkaktuar nga nitratet nga burimet bujqësore”, e ndryshuar. Numri CELEX 31991L0676, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 375, datë 31.12.1991, faqe 1–8. Direktivën 2007/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 23 tetor 2007, “Për vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga përmbytjet”. Numri CELEX 32007L0060, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 288, datë 6.11.2007, faqe 27–34. Direktivën e Këshillit 91/271/KEE, datë 21 maj 1991, “Për trajtimin e ujërave të ndotura urbane”, e ndryshuar. Numri CELEX 31991L0271, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 135, datë 30.5.1991, faqe 40–52. Direktivën e Komisionit 2009/90/KE, datë 31 korrik 2009, “Për përcaktimin në përputhje me direktivën 2000/60/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të specifikimeve teknike për analizat kimike dhe monitorimin e statusit të ujërave”. Numri CELEX 32009L0090, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 201, datë 1.8.2009, faqe 36–38. LIGJ Nr. 29/2024 PËR BURIMET UJORE1 Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi i ligjit Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e burimeve ujore dhe përmirësimi i mjedisit ujor të Republikës së Shqipërisë, duke siguruar ruajtjen, zhvillimin dhe shfrytëzimin sa më racional të tyre, të domosdoshme për jetën dhe për zhvillimin social-ekonomik të vendit. Neni 2 Objekti i ligjit Objekti i këtij ligji është përcaktimi i kuadrit ligjor dhe institucional për administrimin dhe menaxhimin e burimeve ujore, me synim: a) mbrojtjen, përmirësimin dhe parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të statusit të ekosistemeve ujore lidhur me nevojat e tyre për ujë, ekosistemeve tokësore dhe ligatinave, që janë në varësi të drejtpërdrejtë nga këto ekosisteme; b) promovimin e përdorimit të qëndrueshëm të ujit, bazuar në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore të disponueshme; 2 c) përforcimin e mbrojtjes dhe përmirësimin e mjedisit ujor, ndër të tjera, përmes zbatimit të masave të veçanta për: i. uljen progresive të shkarkimeve, emetimeve dhe humbjeve të substancave prioritare, ndërprerjen ose uljen graduale të shkarkimeve, emetimeve dhe humbjeve të substancave prioritare të rrezikshme nga burimet dhe veprimtaritë industriale; ii. kontrollin e ndotjes nga burimet e ujërave të ndotura urbane; iii. kontrollin e ndotjes nga nitratet nga burimet me origjinë bujqësore. ç) uljen progresive të ndotjes së ujërave nëntokësore dhe parandalimin e ndotjes së mëtejshme të tyre; d) zbutjen e efekteve të përmbytjeve dhe thatësirave, duke kontribuuar në: i. sigurimin e furnizimit të mjaftueshëm me ujëra sipërfaqësore dhe ujëra nëntokësore të cilësisë së mirë, sipas nevojave për përdorimin e qëndrueshëm, të ekuilibruar dhe të drejtë të ujit; ii. uljen e ndjeshme të ndotjes së ujërave nëntokësore; iii. mbrojtjen e ujërave territoriale dhe detare; dhe iv. përmbushjen e objektivave të marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare, përfshirë ato që synojnë parandalimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit detar përmes veprimeve për të ndaluar ose pakësuar gradualisht deri në zero shkarkimet, emetimet dhe humbjet e substancave prioritare, duke pasur si qëllim përfundimtar arritjen e përqendrimeve në mjedisin detar afër vlerave bazë për substancat natyrale dhe afër zeros për substancat sintetike të krijuara nga njeriu. dh) përcaktimin e koordinimit të plotë të të gjitha veprimtarive ndërmjet autoriteteve kompetente lidhur me dhënien e autorizimeve përkatëse mjedisore, lejeve dhe koncesioneve për shfrytëzimin e mbrojtjen e trupave ujorë. Neni 3 Përkufizime Për qëllimet e këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Aglomerat” është një zonë ku popullsia dhe veprimtaritë apo një prej tyre janë të përqendruara në atë masë sa lejojnë që ujërat e ndotura urbane të mblidhen dhe të drejtohen në një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura urbane ose në një pikë fundore shkarkimi. 2. “Akuifer” është një apo disa shtresa nënsipërfaqësore të shkëmbinjve a formacioneve të tjera gjeologjike të tokës, me porozitet dhe përshkueshmëri të mjaftueshme, që mundësojnë rrjedhje të konsiderueshme të ujërave nëntokësore ose nxjerrjen e sasive të konsiderueshme të ujërave nëntokësore. 3. “Autoriteti kompetent” është autoriteti apo autoritetet e përcaktuara sipas nenit 14 të këtij ligji, për zbatimin e dispozitave të këtij ligji në çdo rajon të basenit lumor në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të nenit 13 të këtij ligji. 4. “Autoriteti përgjegjës i vetëqeverisjes vendore” është bashkia në territorin e së cilës do të kryhet veprimtaria përkatëse e lidhur me ujin. 5. “Autorizim”, “leje” dhe “licencë” kanë të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. 6. “Bagëti” janë të gjitha kafshët e mbajtura për përdorim ose fitim. 7. “Basen lumor” është sipërfaqja e tokës prej ku përmes një sërë përrenjsh, lumenjsh apo edhe liqenesh, të gjitha rrjedhat sipërfaqësore derdhen në det, në një grykëderdhje të vetme, estuar apo deltë. 8. “Brigjet” janë rripat anësorë të tokës përgjatë deteve, liqeneve, rezervuarëve, lagunave dhe pellgjeve, si dhe përgjatë rrjedhës së lumenjve e përrenjve. 9. “Burime të disponueshme të ujërave nëntokësore” janë norma mesatare shumëvjeçare të rimbushjes së përgjithshme të ujërave nëntokësore, duke i zbritur prurjen mesatare shumëvjeçare të nevojshme për përmbushjen e objektivave të cilësisë mjedisore për ujërat sipërfaqësore përkatëse. 10. “Burimet ujore” janë të gjitha ujërat e brendshme detare dhe ujërat territoriale, vija bregdetare, zona ekonomike ekskluzive, shelfi kontinental, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, së bashku me shtresat ujëmbajtëse dhe reshjet atmosferike në territorin e Republikës së Shqipërisë. 11. “Burimet ujore gjeotermale” janë ujërat që kanë në mënyrë të qëndrueshme temperatura më të larta se temperaturat mesatare vjetore atmosferike të rajonit, ndikuar nga temperatura e nëntokës, në varësi të strukturave gjeologjike, që mund të përmbajnë materiale të shkrira dhe gaz në një sasi më të 3 madhe se burimet ujore përreth, ku uji natyror, avujt dhe gazi natyror shpërthejnë ose dalin nga vendet ku ato mbahen si pasojë e nxehtësisë në nëntokë ose shkëmbinjtë e thatë dhe të nxehtë përmes strukturave nëntokësore të modifikuara nga njeriu. 12. “Burimet ujore minerale dhe termominerale” janë ujërat e ngrohta dhe të ftohta natyrore që gjenden natyrshëm në thellësi të ndryshme të nëntokës e në kushte të përshtatshme gjeologjike dhe që dalin ose gjenden në sipërfaqe të tokës në formën e një ose shumë burimeve, e që falë përmbajtjes së tyre minerare apo komponentëve të tjerë përkufizohen si ujë i pijshëm, ujë kurativ apo ujëra të tjera të ngjashme. 13. “Injektim i ndotësve në ujëra nëntokësore” është hyrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e ndotësve në ujërat nëntokësore, si pasojë e aktivitetit njerëzor. 14. “Dheu” është shtresa e sipërme e kores së tokës që ndodhet midis shtresës shkëmbore dhe sipërfaqes. Dheu është i përbërë nga copëza minerale, përbërje organike, ujë, ajër dhe organizma të gjallë. 15. “Emetim” është lëshimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i substancave, dridhjeve, nxehtësisë apo zhurmës nga burime individuale apo të shpërndara të instalimit, në ajër, ujë dhe tokë. 16. “Estuar” është zona kalimtare në grykëderdhjen e një lumi midis ujërave të ëmbla dhe ujërave bregdetare. 17. “Eutrofikim” është pasurimi i ujit me elemente ushqyese, veçanërisht me komponime të fosforit dhe azotit, çka shkakton zhvillim të shtuar të algave dhe llojeve të bimëve ujore, që krijojnë shqetësim të padëshirueshëm të bilancit të organizmave të pranishëm në ujë dhe të cilësisë së ujit në fjalë. Për qëllimet e zbatimit të neneve 111–117 të këtij ligji, përkufizimi i termit “eutrofikim” përfshin vetëm komponimet e azotit. 18. “Informacion i mbajtur nga autoritetet publike” është informacioni mjedisor i zotëruar nga autoriteti publik, që është prodhuar ose marrë nga ky autoritet. 19. “Informacioni mjedisor” është çdo informacion në formë të shkruar, pamore, të shprehur, elektronike ose çfarëdo materiali tjetër për: a) gjendjen e elementeve të mjedisit, të tilla si: ajri dhe atmosfera, uji, toka, dheu, peizazhi dhe vendet natyrore, përfshirë ligatinat, zonat bregdetare dhe detare, diversitetin biologjik dhe përbërësit e tij, përfshirë organizmat e modifikuar gjenetikisht dhe ndërveprimin midis këtyre elementeve; b) faktorë të tillë, si: substanca, energji, zhurmë, rrezatim ose mbetje, përfshirë mbetjet radioaktive, emetimet, shkarkimet dhe lëshimet e tjera në mjedis, që ndikojnë ose ka të ngjarë të ndikojnë në elementet e mjedisit të përmendur në shkronjën “a” të kësaj pike; c) masa, përfshirë masat administrative të tilla si: politika, legjislacioni, plane, programe, marrëveshje mjedisore dhe veprimtari, që ndikojnë ose ka të ngjarë të ndikojnë në elementet dhe faktorët e përmendur në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, si dhe masa ose veprimtari të hartuara për të mbrojtur ato elemente; ç) raporte për zbatimin e legjislacionit mjedisor; d) analiza kosto-përfitim, analiza dhe supozime të tjera ekonomike të përdorura në kuadër të masave dhe veprimtarive të përmendura në shkronjën “c” të kësaj pike; dhe dh) gjendjen e shëndetit dhe të sigurisë së njeriut, përfshirë ndotjen e zinxhirit ushqimor, kur është rasti, kushtet e jetës së njeriut, vendet kulturore dhe strukturat e ndërtuara, për aq sa ato janë ose mund të preken nga gjendja e elementeve të mjedisit, referuar në shkronjën “a” të kësaj pike, ose përmes atyre elementeve, nga ndonjëra prej çështjeve të përmendura në shkronjat “b” dhe “c” të kësaj pike. 20. “Instalim” është një njësi e palëvizshme teknike në të cilën mund të ndërmerren një ose më shumë veprimtari të renditura në legjislacionin për kontrollin e emetimeve industriale, si dhe veprimtari të tjera me lidhje të drejtpërdrejtë në të njëjtin vend, të cilat kanë lidhje teknike me veprimtaritë e përcaktuara sipas legjislacionit përkatës dhe që mund të kenë ndikim në emetime apo në ndotje. 21. “Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore” është inventari publik për regjistrimin e të gjitha të dhënave për ujërat në Republikën e Shqipërisë. 22. “Kërkues” (konkretisht në kontekstin e procedurës së dhënies së lejes) është çdo person fizik ose juridik që kërkon informacione mjedisore. 23. “Komponim azoti” është çdo substancë që përmban azot, përveç azotit molekular të gaztë. 24. “Koncesion” ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin për koncesionet. 4 25. “Kontrollet e emetimeve” janë kontrollet që kërkojnë një kufizim specifik të emetimit, për shembull një vlerë kufi të emetimit ose përndryshe përcaktimin e kufijve apo të kushteve lidhur me efektet, llojin apo karakteristika të tjera të një emetimi ose kushtet operacionale, të cilat ndikojnë në emetime. 26. “Kufi hidrografik i basenit ujëmbledhës” është vija imagjinare, e cila formohet duke lidhur pikat më të larta të relievit, si majat e maleve, kodrave, kreshtave që ndajnë luginat nga njëra-tjetra, duke lënë jashtë saj të gjitha degët e përrenjve dhe lumenjve që rrjedhin në drejtime të kundërta. 27. “Kufiri i kuantifikimit” është një shumëfish i deklaruar i kufirit të zbulimit në një përqendrim të përcaktorit, që mund të përcaktohet në mënyrë të arsyeshme me një nivel të pranueshëm saktësie dhe përpikërie. Kufiri i kuantifikimit mund të llogaritet duke përdorur një standard ose mostër të përshtatshme dhe mund të merret nga pika më e ulët e kalibrimit në kurbën e kalibrimit, duke përjashtuar “kampionin blank”. 28. “Kufiri i zbulimit” është sinjali i nxjerrë ose vlera e përqendrimit për të cilën mund të pohohet me një nivel besimi të deklaruar se një kampion është i ndryshëm nga një “kampion blank”, që nuk përmban përcaktues të interesit. 29. “Leje mjedisi” është leja mjedisore, siç përcaktohet në ligjin për lejet e mjedisit. 30. “Liqen” është një trup me ujëra të brendshme sipërfaqësore dhe nëntokësore të qëndrueshme. 31. “Listë vëzhgimi” është lista e substancave e hartuar nga Komisioni Evropian, për të cilën duhet të mblidhen të dhëna monitorimi në stacione të përzgjedhura monitorimi të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. 32. “Lum” është një trup ujor i brendshëm, me ujë, që në pjesën më të madhe të tij rrjedh mbi sipërfaqen e tokës, por që në një pjesë të rrjedhës së tij mund të rrjedhë edhe nën tokë. 33. “Llum” është mbetja e trajtuar ose e patrajtuar e llumit nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane. 34. “Matricë” është një ndarje e mjedisit ujor, përkatësisht ujë, sediment ose biotë. 35. “Ministri përgjegjës” është ministri që mbulon fushën e veprimtarisë së përcaktuar në legjislacionin në fuqi. 36. “Mjedis” janë përbërësit natyrorë, si ajri toka, uji, klima, flora dhe fauna në tërësinë e ndërveprimit të tyre, së bashku me trashëgiminë kulturore, si pjesë të mjedisit të krijuar nga njeriu, sipas përcaktimit të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit. 37. “Ndotës” është çdo substancë e rrezikshme që shkakton ndotje, në veçanti ato të përcaktuara në zbatim të nenit 80 të këtij ligji. 38. “Ndotje” është futja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, si rezultat i aktivitetit njerëzor, e substancave ose nxehtësisë në ajër, ujë apo tokë, në atë masë që mund të jetë e dëmshme për shëndetin e njeriut ose cilësinë e ekosistemeve ujore ose ekosistemeve tokësore që varen drejtpërsëdrejti nga ekosistemet ujore, që mund të çojë në dëmtimin e pronës materiale apo të përkeqësojë dhe të ndërhyjë në shërbimet e përdorimet e tjera të ligjshme të mjedisit, sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin për mjedisin. Për qëllimet e zbatimit të neneve 111 - 117 të këtij ligji, do të zbatohet përkufizimi: “Ndotje” është shkarkimi në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i komponimeve të azotit nga burimet bujqësore në mjedisin ujor, rezultatet e të cilave janë të tilla që shkaktojnë rreziqe për shëndetin e njeriut, dëmtim të burimeve jetësore dhe ekosistemeve ujore, si dhe dëmtim të shërbimeve ose ndërhyrje në përdorimet e ligjshme të ujit. 39. “Nënbasen” është sipërfaqja e tokës nga e cila rrjedhin të gjitha prurjet sipërfaqësore të përrenjve, lumenjve dhe, kur është e mundur, të liqeneve në një pikë të caktuar të një rrjedhe uji, zakonisht një liqen ose një bashkim lumenjsh. 40. “Niveli bazë” është vlera mesatare e matur të paktën gjatë viteve të referencës bazuar në programe të monitorimit të zbatuara sipas neneve 41 dhe 65 të këtij ligji, ose në rastin e substancave të identifikuara pas këtyre viteve të referencës, gjatë periudhës së parë, për të cilën është në dispozicion një periudhë përfaqësuese me të dhëna monitorimi. 41. “Niveli fillestar” është përqendrimi i një lënde ose vlera e një treguesi në një trup ujor nëntokësor që nuk korrespondon ose korrespondon shumë pak me ndryshimet antropogjene në kushte normale. 5 42. “Norma e cilësisë mjedisore” është përqendrimi i një substance ndotëse të veçantë ose i një grupi substancash ndotëse në ujë, në sedimente ose në biotë, i cili nuk duhet të tejkalohet me qëllim mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit. 43. “Normat teknike të shkarkimit në mjedis” janë vlerat kufi të emetimit për ujërat e ndotura nga burime industriale që shkarkohen në sistemet e mbledhjes së ujërave të ndotura dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane në përputhje me nenin 105 të këtij ligji. 44. “nj.p. (një popullsi ekuivalent)” është ngarkesa organike që shpërbëhet biologjikisht dhe që ka kërkesë biokimike oksigjeni pesëditore (BOD5) prej 60 g oksigjen në ditë. 45. “Objektivat mjedisorë” janë objektivat e përcaktuar në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji. 46. “Operator” është personi fizik apo juridik, që operon apo kontrollon plotësisht apo pjesërisht instalimin apo impiantin e incenerimit, impiantin e incenerimit të mbetjeve ose impiantin e bashkincenerimit të mbetjeve ose personi të cilit i është deleguar fuqi ekonomike vendimmarrëse për funksionet teknike të instalimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 47. “Pasiguria e matjes” është një parametër jonegativ që karakterizon shpërndarjen e vlerave të sasisë, të cilat po i caktohen një matjeje, bazuar në informacionin e përdorur. 48. “Përdorimi i ujit” janë shërbimet, si dhe çdo veprimtari tjetër e identifikuar në nenin 28 të këtij ligji, që ka ndikim të rëndësishëm në statusin e ujit. Ky përkufizim zbatohet për qëllimet e këtij ligji, sipas përcaktimeve të nenit 2, dhe analizës ekonomike të kryer në përputhje me nenin 28 të këtij ligji. 49. “Përdorues” është çdo bashki, shoqatë e përdoruesve të ujit, ndërmarrje shtetërore apo private, person fizik dhe juridik, që merret me eksplorimin, prodhimin dhe përdorimin e burimeve ujore, që shkarkon, trajton apo kryen çdo lloj veprimtarie tjetër në fushën e menaxhimit të ujërave, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 50. “Përmbytje” është mbulimi i përkohshëm nga uji i një toke që në kushte normale nuk mbulohet nga uji. Kjo përfshin përmbytjet nga lumenjtë, përrenjtë malorë nga rrjedha ujore kalimtare e Mesdheut dhe përmbytjet nga deti në zonat bregdetare, me përjashtim të përmbytjeve nga sistemet e kanalizimeve të ujërave të ndotura. 51. “Pleh” është çdo substancë që përmban një komponim azoti ose disa komponime azoti dhe që përdoret për të ndihmuar rritjen e bimëve dhe mund të përfshijë pleh bagëtish, mbetjet nga fermat e peshkut dhe llumrat e ujërave të ndotura. 52. “Pleh bagëtish” janë mbetje që ekskretohen nga bagëtitë ose një përzierje e mbeturinave dhe produkteve të mbetjeve që ekskretohen nga bagëtitë, madje edhe në formë të përpunuar. 53. “Pleh kimik” është çdo pleh që prodhohet me një proces industrial. 54. “Plehërimi i tokës” është shtimi i materialeve në tokë, qoftë duke përhapur në sipërfaqen e tokës, duke injektuar në tokë, duke vendosur nën sipërfaqen e tokës ose duke përzier shtresat sipërfaqësore të tokës. 55. “Potencial i mirë ekologjik” është statusi i një trupi ujor tepër të modifikuar ose i një trupi ujor artificial, kur ai klasifikohet si i tillë sipas pikës 5 të nenit 41 të këtij ligji. 56. “Prirje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme në rritje” është çdo rritje statistikore dhe mjedisore e konsiderueshme e përqendrimit të një ndotësi, grupi ndotësish ose treguesi të ndotjes në ujërat nëntokësore, për të cilin përmbysja e prirjes është identifikuar si e nevojshme në përputhje me nenin 64 të këtij ligji. 57. “Prurje me qëndrueshmëri 355 ditë (Q355)” është prurja bazuar në prurjet mesatare ditore të studimit hidrologjik, i cili nuk tejkalon më shumë se 355 ditë në një vit. Kjo nënkupton se mesatarisht prurja natyrore është më e vogël se vlera e Q355 vetëm për 10 ditë në një vit. 58. “Person i interesuar” është subjekti i prekur ose që ka të ngjarë të preket nga ose ka interes në procedurat e vendimmarrjes për dhënien ose përditësimin e një lejeje apo të kushteve të lejes; për qëllimet e këtij përkufizimi, organizatat joqeveritare që nxisin mbrojtjen e mjedisit dhe që përmbushin kërkesat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si person që ka interes. 59. “Qasja e kombinuar” është kontrolli i shkarkimeve dhe emetimeve në ujërat sipërfaqësore, sipas mënyrës së trajtimit të përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji. 60. “Rajon i basenit lumor” është sipërfaqja e tokës dhe e detit, e përbërë nga një ose më shumë basene lumore fqinje, së bashku me ujërat e tyre përkatëse nëntokësore dhe bregdetare, që identifikohen dhe i caktohen atij rajoni (individual) të basenit lumor. 6 61. “Regjistri Kombëtar i Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve” është regjistri siç përcaktohet në ligjin “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”. 62. “Risku nga përmbytjet” është kombinimi i probabilitetit të ngjarjes së përmbytjes dhe të pasojave negative të mundshme për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe veprimtarinë ekonomike që lidhet me ngjarjen e përmbytjes. 63. “Rregulla të përgjithshme detyruese” janë vlera kufi të emetimeve ose kushte të tjera, të paktën në nivel sektorial, që janë miratuar me qëllim përdorimin e drejtpërdrejtë për përcaktimin e kushteve të lejeve. 64. “Rrjedhje minimale ekologjike” është regjimi i rrjedhjes në një trup ujor sipërfaqësor, shtrat lumor, basen lumor apo zonë bregdetare, e nevojshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e ekosistemit natyror dhe përfitimeve të tyre. 65. “Servitut” ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. 66. “Sistem kolektor” është një sistem kanalizimesh që mbledh dhe transporton ujërat e ndotura urbane. 67. “Sistemi i kanalizimeve” janë të gjitha tubacionet, kolektorët, pajisjet, ndërtesat dhe strukturat, që shërbejnë për mbledhjen e ujërave të ndotura, stacionet e pompimit ose para trajtimit të ujërave të ndotura nga autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore, që nuk përfshijnë ujërat e shiut. Instalimet e të tretëve për shkarkimin e ujërave të ndotura janë gjithashtu pjesë e sistemit të kanalizimeve, si dhe pajisjet që duhen për zbatimin, zgjerimin, rehabilitimin ose mirëmbajtjen e sistemit. 68. “Standardi i cilësisë së ujërave nëntokësore” është një standard i cilësisë mjedisore si përqendrimi i një ndotësi të caktuar apo një grupi ndotësish, apo tregues ndotësi në ujërat nëntokësore, që nuk duhet të tejkalohet në kuadër të mbrojtjes së shëndetit njerëzor dhe mjedisit. 69. “Status ekologjik” është shprehja e cilësisë së strukturës dhe funksionimit të ekosistemeve ujore, që lidhen me ujërat sipërfaqësore, të klasifikuara në zbatim pikës 5 të nenit 41 të këtij ligji. 70. “Statusi i mirë ekologjik” është statusi i një trupi ujor sipërfaqësor, i klasifikuar në zbatim të pikës 2 të nenit 41 të këtij ligji. 71. “Status i mirë kimik i ujërave nëntokësore” është statusi kimik i një trupi ujor nëntokësor, që përmbush të gjitha kushtet e përcaktuara në zbatim të neneve 59, 60, 61, 62, 63 të këtij ligji. 72. “Status i mirë kimik i ujërave sipërfaqësore” është statusi kimik i nevojshëm për përmbushjen e objektivave mjedisorë për ujërat sipërfaqësore, sipas përcaktimeve në nenin 20 të këtij ligji, që është statusi kimik i arritur nga trupi ujor sipërfaqësor, në të cilin përqendrimet e ndotësve nuk tejkalojnë standardet cilësore mjedisore, të përcaktuara në zbatim të pikës 2 të nenit 67 të këtij ligji. 73. “Status i mirë i ujërave nëntokësore” është statusi i arritur nga një trup me ujëra nëntokësore, kur si statusi i tij sasior, ashtu edhe statusi i tij kimik vlerësohen të paktën po aq “të mirë” sa përcaktimet e akteve ligjore në fuqi. 74. “Status i mirë i ujërave sipërfaqësore” është gjendja e arritur nga një trup ujor sipërfaqësor, ku si gjendja e tij ekologjike, ashtu edhe gjendja e tij kimike janë vlerësuar të paktën po aq “të mira”, sa përcaktimet në aktet ligjore në fuqi. 75. “Status i mirë sasior i ujërave nëntokësore” është statusi sasior i një trupi ujor nëntokësor, i përcaktuar në zbatim të neneve 59, 60, 61, 62, 63 të këtij ligji. 76. “Status i ujërave nëntokësore” është shprehja në mënyrë të përgjithshme e statusit të një trupi ujor nëntokësor, që përcaktohet nga statusi i tij më i ulët sasior dhe kimik. 77. “Status i ujërave sipërfaqësore” është shprehja e përgjithshme e gjendjes së një trupi ujor sipërfaqësor, që përcaktohet nga gjendja e tij ekologjike, cilësore dhe kimike më e ulët. 78. “Status sasior” është shprehja e masës në të cilën një trup ujor nëntokësor ndikohet nga shfrytëzimi i drejtpërdrejtë ose jo i drejtpërdrejtë. 79. “Subjekt ndotës” është çdo subjekt, siç përcaktohet në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”. 80. “Substanca prioritare” janë substancat e përcaktuara në zbatim të pikës 2 të nenit 67 të këtij ligji. Ndërmjet këtyre substancave janë përcaktuar “substancat prioritare të rrezikshme” për të cilat duhet të merren masa në zbatim të parashikimeve të këtij neni. 81. “Substancë” është çdo element apo përbërje kimike, me përjashtim të substancave në vijim: a) substancat radioaktive, sipas përkufizimit në legjislacionin për rrezatimin jonizues; b) mikroorganizmat e modifikuar gjenetikisht, sipas përkufizimit në legjislacionin përkatës; 7 c) organizmat e modifikuar gjenetikisht, sipas përkufizimit në legjislacionin për hedhjen e qëllimshme në mjedis. 82. “Substancë e rrezikshme” është një substancë apo grup substancash që janë toksike, të qëndrueshme dhe me prirje për t’u grumbulluar biologjikisht, si dhe substanca apo grupe substancash, që rezultojnë në një nivel të barabartë grumbullimi. 83. “Shelfi kontinental” ka kuptimin që jepet në dispozitat e ligjit nr. 9055, datë 24.4.2003, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën “Mbi të drejtën e detit” të OKB-së. 84. “Shërbimet e ujit” janë të gjitha shërbimet që ofrojnë për familjarë, institucione publike dhe çdo aktivitet ekonomik: a) nxjerrje, grumbullim, depozitim, trajtim dhe shpërndarje të ujërave sipërfaqësore ose nëntokësore; b) impiante mbledhjeje dhe përpunimi të ujërave të ndotura, të cilat më pas shkarkohen në ujërat sipërfaqësore. 85. “Shkarkim i drejtpërdrejtë në ujëra nëntokësore” është shkarkimi i ndotësve në ujërat nëntokësore pa u filtruar në të gjitha shtresat e tokës apo të nëntokës. 86. “Shkarkim në ujë” janë shkarkimet e ujërave të ndotura nga burimet urbane, përfshirë vërshimet sipërfaqësore dhe burimet industriale, në trupat ujorë. 87. “Taksoni i biotës” është një takson i veçantë ujor në rendin e taksonomisë “nënklasa”, “klasa” apo një shkallë të barasvlershme. 88. “Titullar i licencës, autorizimit, lejes” është personi fizik apo juridik që ka marrë licencë, autorizim apo leje. 89. “Trajtim dytësor” është trajtimi i ujërave të ndotura urbane përmes një procesi që në përgjithësi përfshin trajtimin biologjik përmes dekantimit dytësor apo proceseve të tjera që përmbushin kërkesat e përcaktuara, në zbatim të neneve 97, 98, 99, 100 dhe 107 të këtij ligji. 90. “Trajtim i përshtatshëm” është trajtimi i ujërave të ndotura urbane me anë të çdo procesi ose sistemi largimi që pas shkarkimit u mundëson ujërave pritëse të përmbushin objektivat përkatës të cilësisë mjedisore dhe dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera përkatëse. 91. “Trajtim parësor” është trajtimi i ujërave të ndotura urbane përmes një procesi fizik ose kimik apo përmes të dyja këtyre proceseve, që përfshin dekantimin e lëndës së ngurtë pezull ose procese të tjera, përmes të cilave BOD5 e ujërave të ndotura hyrëse pakësohet me të paktën 20% përpara shkarkimit dhe lëndës së ngurtë pezull e përgjithshme e ujërave të ndotura hyrëse pakësohet me të paktën 50% përpara shkarkimit. 92. “Trup ujor artificial” është trupi ujor sipërfaqësor, i krijuar nga aktiviteti njerëzor. 93. “Trup ujor nëntokësor”, është trupi ujë nëntokësor, me vëllim të veçantë, brenda një akuiferi ose akuifereve. 94. “Trup ujor sipërfaqësor” është një element i dallueshëm dhe i rëndësishëm i ujërave sipërfaqësore, si një liqen, rezervuar, përrua, lum ose kanal, një pjesë e një përroi, lumi ose kanali, ujëra tranzitore ose një segment i ujërave bregdetare. 95. “Trup ujor tepër i modifikuar” është trupi ujor sipërfaqësor, i cili, si rezultat i ndryshimeve fizike nga aktiviteti njerëzor, ka ndryshuar rrënjësisht karakterin e tij, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës të autoritetit kompetent. 96. “Thatësirë” është periudha e gjatë kohore me prurje të vogla, të cilat janë të pamjaftueshme për të plotësuar nevojat për ujë të një kategorie përdoruesish. 97. “Ujë i ëmbël” është uji që gjendet në mënyrë natyrale dhe ka një përqendrim të ulët të kripërave, i cili shpesh është i përshtatshëm për nxjerrje dhe trajtim për të prodhuar ujë të pijshëm. 98. “Ujë i pijshëm” është uji i përcaktuar për konsum njerëzor, që përfshin sa më poshtë: a) ujërat e trajtuara ose të patrajtuara, të përcaktuara për qëllim pirjeje, gatimi, përgatitjeje të ushqimeve dhe për nevojat e higjienës, pavarësisht nga origjina e tyre dhe nga fakti nëse janë furnizuar prej një rrjeti shpërndarës, publik apo privat, prej depozitave, prej autoboteve, prej puseve, individuale apo kolektive apo të ambalazhuara në shishe ose enë; b) ujërat që përdoren në ndërmarrjet e prodhimit të ushqimeve për prodhimin, fabrikimin, përpunimin, ruajtjen apo tregtimin e prodhimeve ose të lëndëve të përcaktuara për përdorim nga njerëzit, si dhe ujërat për pastrimin e sipërfaqeve, objekteve apo materialeve, që mund të jenë në kontakt me artikuj ushqimorë; 8 c) akujt ushqimorë me origjinë ujore; ç) ujërat e furnizuara për përdorim nga njerëzit, si pjesë e një aktiviteti tregtar apo publik, pavarësisht nga sasia mesatare e ujit të furnizuar në ditë. 99. “Ujëra bregdetare” janë ujërat sipërfaqësore, të cilat ndodhen në brendësi të një vije imagjinare, e cila është e baraslarguar në secilën nga pikat e saj 1 milje detare nga pjesa e jashtme e pikës më të afërt të vijës bazë dhe që shërben si referim për të përcaktuar shtrirjen e ujërave territoriale dhe që shtrihen rrjedhimisht deri në kufirin e jashtëm të ujërave tranzitore. Për qëllimet e zbatimit të neneve 96 – 110 të këtij ligji, termi “ujëra bregdetare” ka kuptimin e ujërave jashtë vijës së ulët të ujit apo të kufirit të jashtëm të një estuari. 100. “Ujërat e brendshme detare” janë ujërat e porteve detare, ngushticave, ujërat brenda arkipelagëve, detet e brendshme, hapësirat ujore mes vijës më të lartë të baticës dhe më të ulët të zbaticës, si dhe deltat e lumenjve. 101. “Ujëra të brendshme” janë të gjitha ujërat e ndenjura ose ujërat e rrjedhshme mbi sipërfaqen e një terreni dhe të gjitha ujërat nëntokësore në drejtim të bazamentit të tokës për të cilën është matur gjerësia territoriale e ujërave. 102. “Ujëra ndërkufitare” janë ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, të cilat përshkojnë ose ndodhen në kufijtë midis dy ose më shumë shteteve. 103. “Ujëra nëntokësore” janë të gjitha ujërat që ndodhen nën sipërfaqen e tokës në zonën e ngopjes dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me terrenin dhe nëntokën. 104. “Ujëra të ndotura industriale” është çdo sasi uji që shkarkohet nga objekte që përdoren për të zhvilluar veprimtari tregtare ose industriale, përveç ujërave të ndotura shtëpiake dhe ujërave të reshjeve. 105. “Ujëra të ndotura shtëpiake” janë ujërat e përdorura nga zonat rezidenciale dhe sektori i shërbimeve, që e kanë origjinën kryesisht nga metabolizmi i njeriut dhe veprimtaritë familjare. 106. “Ujëra të ndotura urbane” janë ujërat e ndotura shtëpiake ose përzierja e ujërave të ndotura shtëpiake me ujërat e ndotura industriale apo ujërat rrjedhëse të reshjeve. 107. “Ujëra sipërfaqësore” janë ujërat e brendshme, me përjashtim të ujërave nëntokësore, ujërave të përkohshme dhe ujërave bregdetare, përveç rasteve kur statusi kimik përkatës mund të përfshijë edhe ujërat territoriale. 108. “Ujërat territoriale” ka kuptimin që jepet në dispozitat e ligjit nr. 9055, datë 24.4.2003, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën “Mbi të drejtën e detit” të OKB-së. 109. “Ujëra tranzitore” janë trupat ujorë sipërfaqësorë në afërsi të grykëderdhjeve të lumenjve, që janë pjesërisht me karakter të kripur, si rezultat i afërsisë së tyre me ujërat bregdetare, por që kryesisht ndikohen nga rrjedha me ujëra të ëmbla. 110. “Veprimtari industriale” (që shkaktojnë rritje të ndotjes) janë veprimtaritë e përcaktuara në legjislacionin mjedisor. 111. “Vlera prag” është standardi i cilësisë së ujërave nëntokësore, i përcaktuar në përputhje me pikën 1 të nenit 61 e këtij ligji. 112. “Vlera kufi e emetimit” është masa e shprehur në termat e parametrave specifikë të sigurt, përqendrimit ose nivelit të emetimit, që nuk duhet të tejkalohet gjatë një ose më shumë periudhave kohore. Vlerat kufi të emetimit mund të përcaktohen edhe për grupe, familje apo kategori të caktuara substancash të renditura në vendimin e Këshillit të Ministrave, në zbatim të pikës 3 të nenit 80 të këtij ligji. Vlerat kufi të emetimit për substancat zbatohen zakonisht në pikën ku emetimet dalin nga instalimi, duke mos marrë parasysh hollimin për përcaktimin e tyre. Në lidhje me lëshimin e tërthortë në ujë, efekti i një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura mund të merret parasysh gjatë përcaktimit të vlerave kufi të emetimit të instalimeve të përfshira me kusht që të garantohet një nivel ekuivalent për mbrojtjen e mjedisit në tërësi dhe me kusht që kjo të mos çojë në nivele më të larta të ndotjes në mjedis. 113. “Zona të veçanta ruajtjeje” janë zonat e përcaktuara sipas kuptimit të dhënë në ligjin “Për zonat e mbrojtura”. 114. “Zonë e mbrojtur ujore” është çdo zonë e identifikuar në përputhje me nenin 31 të këtij ligji. 115. “Zonë e ndjeshme”, trupat ujorë të identifikuar në përputhje me nenin 99 të këtij ligji. 116. “Zonë më pak e ndjeshme”, trupat ujorë të identifikuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me nenin 100, të këtij ligji. 9 117. “Zonë termominerale” është ajo zonë, kufijtë e së cilës janë përcaktuar me anë të studimeve të kryera nga institucionet e specializuara, kombëtare ose ndërkombëtare, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që përmbajnë burime termominerale së bashku me ujëra natyrore minerale. 118. “Zonë vulnerabël” është një zonë e caktuar toke, e përcaktuar nga autoriteti përgjegjës në bashkëpunim me autoritete të tjera, e cila derdhet në ujërat e prekura nga ndotja dhe në ujërat, që mund të preken nga ndotja nëse nuk ndërmerren veprimet në zbatim të neneve 114 dhe 115 të këtij ligji, dhe ujërat e të cilave janë identifikuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të pikës 7 të nenit 111 të këtij ligji. Neni 4 Pronësia e burimeve ujore 1. Janë në pronësi publike dhe në administrim të organeve shtetërore: a) të gjitha burimet ujore të Republikës së Shqipërisë; b) të gjithë shtretërit dhe brigjet e deteve, lumenjve, përrenjve dhe rrjedhave të tjera natyrore, qofshin të përkohshme apo të përhershme, ujërat kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale, kanalet, liqenet, pellgjet, lagunat dhe zonat ujëmbajtëse natyrore apo artificiale, ishujt dhe grumbullimet e rërës, gurëve dhe dherave në shtretërit e lumenjve, liqeneve dhe zonave ujëmbajtëse, si dhe formacionet gjeologjike të ujërave nëntokësore; c) toka e përftuar nga tërheqja e ujit ose nga përparimi i tokës në drejtim të ujit, kur ajo lidhet me tokën, që është në pronësi të shtetit; ç) të gjitha strukturat dhe punimet hidroteknike të realizuara nga shteti, si digat, sistemet e ujitjes, kullimit dhe lundrimit, stacionet e ujit të pijshëm dhe kanalet, si dhe punimet që lidhen me to. 2. E drejta e pronësisë publike, sipas përcaktimeve në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, është e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme. Neni 5 Parimet e menaxhimit të burimeve ujore Menaxhimi i burimeve ujore bazohet në parimet e mëposhtme: a) respektimi i integritetit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore, bazuar në kërkesat sociale dhe ekonomike për burimet ujore, duke mbrojtur dhe ruajtur cilësinë e këtyre burimeve dhe cilësinë e mjedisit për brezat e ardhshëm; b) koordinimi i kontrollit publik të burimeve ujore përmes planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe projekteve të zhvillimit socio-ekonomike, në nivel kombëtar dhe vendor; c) përdorimi racional i burimeve ujore dhe kontrolli i shkarkimeve, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i tyre; ç) respektimi i parimit të rikuperimit të kostove të shërbimeve të ujit, përfshirë edhe kostot mjedisore, në përputhje me parimin “ndotësi paguan”; d) parimet e mbrojtjes së mjedisit, të përcaktuara në ligjin për mbrojtjen e mjedisit; dh) sigurimi i sasisë së mjaftueshme me ujëra sipërfaqësore dhe nëntokësore të cilësisë së mirë, sipas natyrës dhe nevojave për përdorim të qëndrueshëm, të ekuilibruar dhe të drejtë të ujit; e) ndërmarrja e masave parandaluese për të mos dëmtuar burimet ujore, si një përparësi, e cila duhet të korrigjohet që në burim. KREU II MENAXHIMI I BURIMEVE UJORE Seksioni 1 Autoritetet e administrimit dhe të menaxhimit të burimeve ujore 10 Neni 6 Organet kombëtare të administrimit dhe të menaxhimit të burimeve ujore 1. Organet qendrore për administrimin dhe menaxhimin e burimeve ujore janë: a) Këshilli i Ministrave; b) Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit; c) Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore. 2. Administrimi dhe menaxhimi i burimeve ujore në nivel baseni bëhet nëpërmjet: a) këshillave të baseneve lumore; b) zyrave të administrimit të baseneve lumore, degë territoriale të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, në nivel baseni lumor. Neni 7 Këshilli i Ministrave 1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit: a) miraton përbërjen dhe rregulloren e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit; b) miraton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore; c) emëron komisione të posaçme për administrimin e ujërave ndërkufitare; ç) miraton Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore; d) përcakton kufijtë territorialë të çdo baseni lumor të Republikës së Shqipërisë, qendrën e përbërjen e këshillit të secilit prej tyre; dh) miraton kufijtë hidrografikë të baseneve lumore; e) miraton planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet në basenet lumore; ë) përcakton zonat, distancat dhe gjerësinë e brigjeve të burimeve ujore; f) përcakton ujërat bregdetare në përputhje me këtë ligj; g) përcakton kriteret për shpalljen e gjendjes së thatësirës dhe shpall gjendjen e thatësirës. 2. Këshilli i Ministrave, pas miratimit paraprak nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me propozimin e Kryeministrit, miraton: a) planet e menaxhimit të baseneve lumore; b) planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet. Neni 8 Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit 1. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është organi qendror vendimmarrës, përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e burimeve ujore. 2. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është organ kolegjial që kryesohet nga Kryeministri dhe që trajton çështjet e administrimit dhe të menaxhimit të burimeve ujore. 3. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, në funksion të zbatimit të kompetencave lidhur me fushën e burimeve ujore: a) jep autorizime për kryerjen e veprimeve në burime ujore dhe leje për përdorimin e burimeve ujore dhe për shkarkimet kur veprimtaria për të cilën kërkohet leja apo autorizimi kërkon pajisjen me leje ndërtimi për miratimin e së cilës organ kompetent është Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, sipas parashikimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; b) jep autorizime për ndërtimin e strukturave ankoruese dhe portuale, veprat e mbrojtjes bregdetare dhe ishujt artificialë në det; c) jep miratimin, në parim, për përdorimin e burimeve ujore, pas kërkesës së çdo autoriteti kontraktor, përpara se të nisë një procedurë koncesioni; ç) shpall zonat vulnerabël në përputhje me parashikimet e nenit 111 të këtij ligji; d) miraton vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet; dh) miraton hartat e riskut nga përmbytjet dhe hartat e rrezikut nga përmbytjet; 11 e) vendos kufizime për përdorimin e zonave të përmbytura ose të zonave që janë nën efektin e dëmshëm të ujit; ë) miraton paraprakisht planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet; f) miraton paraprakisht planet e menaxhimit të baseneve lumore; g) miraton akte rregullatore të përkohshme për zona të caktuara apo në të gjithë territorin, rregullat dhe kriteret për ndalimin apo lejimin e shfrytëzimit të burimeve ujore, shkarkimeve apo aktiviteteve të tjera, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në burimet ujore. 4. Aktet me karakter normativ të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit botohen në Fletoren Zyrtare. Neni 9 Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është person juridik publik që financohet nga buxheti i shtetit dhe çdo burim tjetër i ligjshëm. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore organizohet në nivel qendror dhe në nivel baseni lumor nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve lumore. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka këto kompetenca: a) harton dhe zbaton politika, strategji, plane, programe dhe projekte, që synojnë menaxhimin e burimeve ujore, ruajtjen sasiore dhe cilësore, si dhe konsolidimin e mëtejshëm të tyre; b) harton planet e menaxhimit të baseneve lumore, planet e menaxhimit të riskut të përmbytjeve ose planet, programet dhe instrumentet e tjera të menaxhimit të përcaktuara në dispozitat e këtij ligji; c) siguron bashkërendimin e dispozitave të këtij ligji në lidhje me përmbushjen e objektivave mjedisorë dhe veçanërisht të programeve të masave me autoritetet e tjera; ç) përcakton kërkesat e veta, me qëllim arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuar në përputhje me këtë ligj, lidhur me kontrollin e ndotjes së ujërave; d) harton akte ligjore dhe nënligjore lidhur me menaxhimin e integruar të burimeve ujore; dh) zbaton dispozitat e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare dhe ato ndërkufitare për burimet ujore, palë e të cilave është edhe Republika e Shqipërisë; e) kryen të gjitha veprimet përgatitore në lidhje me materialet që do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjet e KKTU-së, brenda fushës së përgjegjësisë që ka ky organ lidhur me menaxhimin e burimeve ujore sipas përcaktimeve të këtij ligji, duke koordinuar marrëdhëniet me sekretariatin teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; ë) administron Kadastrën Kombëtare të Burimeve Ujore dhe harton inventarin kombëtar të burimeve ujore, si në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor; f) është përgjegjëse për veprimtarinë ekonomike të burimeve ujore; g) nxit studime e kërkime për sjelljen e risive teknike, që lidhen me përdorimin, zbulimin, ruajtjen, përpunimin, mbrojtjen, menaxhimin dhe përdorimin efikas të burimeve ujore; gj) në bashkëpunim me institucionet kërkimore-shkencore, përcakton fushat e kërkimit dhe të studimit për burimet ujore, si dhe fondet përkatëse për to; h) koordinon dhe kontrollon punën e organeve të menaxhimit të burimeve ujore në nivel baseni; i) miraton kërkesat për autorizime apo leje për veprimtari të caktuara, sipas përcaktimeve në këtë ligj; j) harton, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, politika për trajtimin e ujërave të ndotura urbane dhe industriale përpara derdhjes së tyre në trupat ujorë; k) mirëmban dhe rehabiliton trupat ujorë të dëmtuar, me qëllim mbrojtjen e tyre dhe arritjen e objektivave mjedisorë; l) miraton rregulloren e funksionimit të Këshillit të Basenit Lumor. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton kompetenca të tjera për Agjencinë e Burimeve Ujore, përveç atyre të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. 12 Neni 10 Këshilli i Basenit Lumor 1. Këshilli i Basenit Lumor është organi përgjegjës për menaxhimin e burimeve ujore në territorin e basenit lumor të përcaktuar. 2. Këshilli i Basenit Lumor ka këto detyra: a) siguron ruajtjen dhe përdorimin sa më racional të burimeve ujore, brenda kufijve të basenit lumor, në përputhje me planin e menaxhimit të basenit lumor përkatës; b) siguron shpërndarjen e drejtë të burimeve ujore brenda kufirit të basenit lumor përkatës, sipas qëllimeve të përdorimit, si dhe menaxhimin dhe administrimin efikas të tyre, në përputhje me planin e menaxhimit të basenit lumor përkatës; c) siguron mbrojtjen e burimeve ujore nga ndotjet, shpërdorimet dhe dëmtimet që prekin cilësinë dhe sasinë e tyre; ç) jep autorizime për kryerjen e veprimeve në burime ujore dhe leje për përdorimin e burimeve ujore për aktivitetet brenda basenit përkatës, për veprimtari të caktuara, sipas përcaktimeve në këtë ligj; d) miraton indekset e tarifave të përdorimit të burimeve ujore dhe shkarkimeve, në nivel baseni, bazuar në analizat e performancës dhe presioneve të menaxhimit të burimeve ujore, të propozuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore; dh) miraton raportet vjetore të zbatimit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore, atyre të riskut nga përmbytjet dhe planin e veprimit të detajuar për vitin pasardhës. 3. Anëtarët e këshillave të baseneve lumore shpërblehen sipas legjislacionit në fuqi për shpërblimin e anëtarëve të këshillave, të bordeve ose të komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore, por jo më shumë se gjashtë pagesa në vit. Neni 11 Zyra e Administrimit të Basenit Lumor 1. Zyra e Administrimit të Basenit Lumor është strukturë në varësi të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, e cila funksionon për rajonet e baseneve lumore. 2. Zyra e Administrimit të Basenit Lumor ka këto detyra: a) mbledh të dhëna dhe informacione për hartimin e planeve të menaxhimit të basenit lumor, lidhur me basenin përkatës, bazuar në kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore; b) harton inventarin sasior dhe cilësor të burimeve ujore, si dhe e përditëson atë periodikisht; c) nxit pjesëmarrjen e përdoruesve të burimeve ujore në menaxhimin dhe administrimin e burimeve ujore; ç) përgatit raporte, jep opinione për burimet ujore dhe i paraqet ato për ndjekje të mëtejshme në Këshillin e Basenit Lumor; d) përgatit materialet për mbledhjet e Këshillit të Basenit Lumor; dh) monitoron në terren zbatimin e kushteve të lejeve dhe autorizimeve; e) evidenton problematika dhe kërcënime të ndryshme kundrejt burimeve ujore për të cilat harton raporte dhe njofton organet ligjzbatuese për marrjen e masave; ë) është përgjegjëse për faturimin e përdoruesve të burimeve ujore; f) ndjek zbatimin e vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe Këshillit të Basenit Lumor. Seksioni 2 Ndarja e territorit për qëllimet e menaxhimit të burimeve ujore Neni 12 Basenet lumore kryesore 1. Territori i Shqipërisë ka këto basene kryesore lumore: a) baseni lumor Drin–Bunë; 13 b) baseni lumor Vjosë; c) baseni lumor Erzen; ç) baseni lumor Shkumbin; d) baseni lumor Seman; dh) baseni lumor Mat; e) baseni lumor Ishëm. 2. Baseni lumor Drin–Bunë dhe baseni lumor Vjosë janë pjesë të baseneve lumore ndërkufitare: a) baseni lumor ndërkufitar Drin-Bunë; b) baseni lumor ndërkufitar Vjosë. 3. Në basenin lumor Drin–Bunë ndodhen këto pjesë të baseneve apo nënbaseneve liqenore ndërkufitare: a) baseni liqenor ndërkufitar Shkodër; b) baseni liqenor ndërkufitar Ohri; c) baseni liqenor ndërkufitar Prespa e Vogël dhe Prespa e Madhe. Neni 13 Rajonet e baseneve lumore 1. Për qëllimet e këtij ligji, ngrihen rajonet e baseneve lumore ose liqenore, në të cilat rrjedhin ujërat e baseneve kryesore lumore dhe liqenore të renditura në nenin 12 të këtij ligji. 2. Përveç baseneve kryesore lumore dhe liqenore të renditura në nenin 12 të këtij ligji, në rajonet e baseneve lumore do të caktohen edhe: a) basenet e vogla lumore; b) trupat e tjerë ujorë sipërfaqësorë; c) ujërat nëntokësore; ç) ujërat bregdetare, që ndodhen në territorin e rajonit të basenit lumor më të afërt. Kur ujërat nëntokësore u përkasin dy a më shumë baseneve lumore, ato identifikohen dhe caktohen në rajonin më të afërt ose më të përshtatshëm të basenit lumor. Ujërat bregdetare identifikohen dhe caktohen në rajonin më të afërt ose më të përshtatshëm të basenit lumor. Kufiri i jashtëm (detar) i estuarëve përcaktohet me qëllim zbatimin e masave të duhura në përputhje me këtë ligj. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton përbërjen dhe kufijtë e rajoneve të baseneve lumore dhe trupave të tjerë ujorë sipërfaqësorë, ujërave nëntokësore dhe ujërave bregdetare në rajonet individuale të baseneve lumore, në përputhje me këtë nen, jo më vonë se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 14 Autoritetet kompetente 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është autoriteti kompetent për zbatimin e këtij ligji, brenda secilit rajon të basenit lumor, në bashkëpunim me organet e tjera qendrore dhe vendore të parashikuara në këtë ligj. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është autoriteti kompetent për zbatimin e këtij ligji, brenda pjesëve të rajoneve ndërkombëtare të baseneve lumore dhe liqenore që ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me organet e tjera qendrore dhe vendore, të përcaktuara në këtë ligj. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton të gjitha elementet e informacionit për secilin autoritet kompetent në rajonet e baseneve lumore të krijuara në përputhje me nenin 13 të këtij ligji, të cilët do t’i vihen në dispozicion publikut përmes faqes zyrtare të internetit. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton të gjitha elementet e informacionit për secilin autoritet kompetent, të përcaktuara sipas pikës 3 të këtij neni, jo më vonë se 12 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 14 Seksioni 3 Dokumentet për planifikimin e menaxhimit të burimeve ujore Neni 15 Politikat për burimet ujore Politikat për burimet ujore janë niveli më i lartë i planifikimit dhe i menaxhimit të burimeve ujore, dokumentet e të cilave përmbajnë: a) qëllimin e planifikimit dhe drejtimet kryesore për menaxhimin e burimeve ujore, në harmoni me zhvillimin ekonomik, demografik, social, mjedisor, kulturor dhe historik; b) programin e masave; c) planin e punës dhe buxhetin e nevojshëm për zbatimin e tyre. Neni 16 Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore 1. Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore është një dokument planifikimi, që përcakton në plan afatgjatë vizionin e politikave, misionin, qëllimet dhe objektivat e Republikës së Shqipërisë në fushën e menaxhimit të burimeve ujore. 2. Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore bazohet në kërkimet shkencore, vëzhgimin e vazhdueshëm të situatës dhe dukurive që lidhen me ujin dhe përdorimin e tij, duke respektuar problemet specifike të ujit dhe mbrojtjen e integruar të mjedisit në çdo basen lumor. 3. Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore është dokumenti kuadër për menaxhimin e burimeve ujore, për hartimin e programeve, të planeve dhe të dokumenteve të tjera strategjike në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, mbrojtjes së mjedisit, diversitetit biologjik dhe peizazhit, bujqësisë, pyjeve, peshkimit, transportit, turizmit, shëndetit publik, si dhe përmban edhe dokumente të tjera përkatëse. 4. Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore rishikohet çdo 15 vjet. Strategjia rishikohet dhe përditësohet edhe para përfundimit të këtij afati, në qoftë se një gjë e tillë diktohet nga ndryshimet në gjendjen e burimeve ujore dhe zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit. 5. Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore hartohet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me organet publike, fusha e përgjegjësisë së të cilave lidhet me sektorin e burimeve ujore. 6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton kërkesat për përmbajtjen, hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore. Neni 17 Bashkëpunimi ndërkufitar 1. Republika e Shqipërisë lidh marrëveshje me vendet fqinje, me qëllim vendosjen dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet këtyre vendeve për mbrojtjen e ujërave ndërkufitare, forcimin e veprimeve kombëtare dhe dypalëshe, si dhe për parandalimin e ndotjes së burimeve ujore. 2. Bashkëpunimi ndërkufitar synon ruajtjen e ujërave ndërkufitare në gjendjen e tyre natyrore, garantimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e jetës dhe të ekosistemeve në këto ujëra, duke nxitur zhvillimin e veprimtarive të dobishme, në përputhje me kërkesat e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm. 15 Neni 18 Zbatimi i marrëveshjeve, i konventave dhe i protokolleve ndërkombëtare 1. Për ruajtjen e gjendjes natyrore të ujërave ndërkufitare zbatohen të gjitha aktet ligjore e nënligjore në fuqi për mbrojtjen e mjedisit në Republikën e Shqipërisë, si dhe marrëveshjet, konventat, protokollet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. 2. Ujërat ndërkufitare përdoren vetëm në mënyrë të kontrolluar dhe sipas kufijve të përcaktuar, pa dëmtuar kushtet natyrore dhe balancat e tyre biologjike dhe ekologjike. 3. Personat fizikë e juridikë, vendas ose të huaj, që shfrytëzojnë pasuritë ujore, natyrore dhe biologjike të burimeve ujore ose ushtrojnë veprimtari të ndryshme në to, kanë detyrimin të mbrojnë ujërat ndërkufitare nga dëmtimet e mundshme dhe të zbatojnë dispozitat e këtij ligji. 4. Subjektet përkatëse për projektet dhe veprimtaritë, që kërkojnë të ushtrojnë në ujërat ndërkufitare duhet të pajisen me vlerësimin e ndikimit në mjedis ndërkufitar, sipas legjislacionit në fuqi për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Neni 19 Komisioni i posaçëm për menaxhimin e ujërave ndërkufitare 1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, emëron komisionin e posaçëm që ngarkohet me menaxhimin e ujërave ndërkufitare dhe administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, sipas legjislacionit shqiptar dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë. 2. Në vendimin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, Këshilli i Ministrave përcakton përbërjen, përgjegjësitë dhe detyrat e komisionit të posaçëm. KREU III OBJEKTIVAT E CILËSISË MJEDISORE Neni 20 Objektivat e cilësisë mjedisore për ujërat sipërfaqësore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ndjek zbatimin e programeve të masave të përcaktuara në planet e menaxhimit të baseneve lumore për ujërat sipërfaqësore, duke siguruar: a) zbatimin e masave të nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e statusit të të gjithë trupave ujorë sipërfaqësorë, që janë objekt i zbatimit të neneve 24 dhe 25 të këtij ligji; b) mbrojtjen, përmirësimin dhe rehabilitimin e të gjithë trupave ujorë sipërfaqësorë, në përputhje me shkronjën “c” të kësaj pike, për trupat ujorë artificialë dhe tepër të modifikuar, me qëllim arritjen e statusit të mirë kimik të ujërave sipërfaqësore, brenda 15 vjetësh pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me parashikimet e pikës 2 të këtij neni, që janë objekt i zbatimit të shtyrjeve të afateve të përcaktuara sipas nenit 23 dhe zbatimit të neneve 24, 25 dhe 26 të këtij ligji; c) mbrojtjen dhe përmirësimin e të gjithë trupave ujorë artificialë dhe tepër të modifikuar, me qëllim arritjen e potencialit të mirë ekologjik dhe statusit të mirë kimik të ujërave sipërfaqësore, brenda 15 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, në zbatim të pikës 2 të këtij neni dhe në përputhje me nenet 24, 25 dhe 26 të këtij ligji; ç) zbatimin e masave të nevojshme në përputhje me dispozitat e këtij ligji, që përcaktojnë standardet mjedisore të cilësisë për substancat prioritare dhe ndotës të tjerë të caktuar, me qëllim uljen progresive të ndotjes nga substancat prioritare dhe ndërprerjen apo pakësimin deri në eliminim të emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve të substancave prioritare të rrezikshme. 2. Për zbatimin e pikës 1 të këtij neni, Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, brenda 6 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji miraton: a) elementet e cilësisë për klasifikimin e statusit ekologjik të lumenjve, liqeneve, ujërave tranzitore, ujërave bregdetare dhe trupave ujorë sipërfaqësorë artificialë dhe tepër të modifikuar; si dhe b) klasifikimet e statusit ekologjik për: 16 i. statusin ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të lumenjve; ii. statusin ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të liqeneve; iii. statusin ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të ujërave tranzitore; iv. statusin ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar të ujërave bregdetare; v. potencialin ekologjik shumë të mirë, të mirë dhe mesatar për trupat ujorë tepër të modifikuar apo artificialë; dhe vi. procedurën për përcaktimin e standardeve të cilësisë kimike. Neni 21 Përputhshmëria me objektivat e cilësisë mjedisore për zonat e mbrojtura ujore Për zonat e mbrojtura ujore, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për zonat e mbrojtura, siguron arritjen e përputhshmërisë me të gjitha standardet dhe objektivat, në bazë të këtij ligji brenda 15 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveçse kur parashikohet ndryshe në legjislacionin përkatës, përmes të cilit janë krijuar zonat e mbrojtura individuale. Neni 22 Trupat ujorë artificialë dhe tepër të modifikuar 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton një trup ujor sipërfaqësor, si artificial apo tepër të modifikuar kur: a) ndryshimet e karakteristikave hidro-morfologjike të trupit, të cilat do të ishin të nevojshme për arritjen e statusit të mirë ekologjik, do të kishin ndikim negativ të konsiderueshëm në: i. mjedisin rrethues; ii. lundrim, përfshirë ambientet portuale apo zbavitëse; iii. veprimtari për të cilat grumbullohet ujë, si: për furnizim me ujë të pijshëm, për prodhim energjie ose ujitje; iv. regjimin ujor, mbrojtjen nga përmbytjet, kullimin: ose v. veprimtari të tjera po aq të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të aktivitetit njerëzor. b) objektivat mjedisorë të vendosur për trupat ujorë, për arsye të fizibilitetit teknik ose kostove të pajustifikuara, nuk mund të arrihen edhe me metoda të tjera, që janë alternativë shumë më e mirë mjedisore. 2. Çdo përcaktim i bërë sipas pikës 1 të këtij neni dhe arsyet përkatëse përfshihen në planet e menaxhimit të baseneve lumore. 3. Në përcaktimin e trupit ujor sipërfaqësor si artificial apo tepër të modifikuar, sipas pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të mos përjashtojë apo cenojë në mënyrë të përhershme arritjet e objektivave mjedisorë, të përcaktuara në përputhje me këtë ligj, në trupat e tjerë ujorë, brenda të njëjtit rajon baseni lumor dhe në përputhje me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Neni 23 Shtyrja e afateve kohore 1. Afatet kohore të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 20 të këtij ligji mund të shtyhen për qëllimet e arritjes së objektivave për trupat ujorë me faza, me kusht që të mos ketë përkeqësim të mëtejshëm të statusit të trupit ujor të ndikuar, kur përmbushen të gjitha kushtet në vijim: a) Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore arrin në përfundimin se përmirësimet e nevojshme të statusit të trupit ujor nuk mund të arrihen të gjitha brenda afateve të përcaktuara për shkak të të paktën një prej këtyre arsyeve: i. shkalla e përmirësimeve të nevojshme mund të arrihet vetëm në faza që shkojnë përtej afateve për arsye të fizibilitetit teknik; ii. arritja e përmirësimeve brenda afateve do të kërkonte kosto joproporcionale; iii. kushtet natyrore nuk lejojnë përmirësimin në kohë të statusit të trupit ujor; 17 b) shtyrja e afateve dhe arsyet për shtyrjen e tyre janë të përfshira në planet e menaxhimit të baseneve lumore; c) shtyrja e afateve kohore kufizohet në jo më shumë se dy përditësime të mëtejshme të planeve të menaxhimit të baseneve lumore, përveçse kur kushtet natyrore nuk lejojnë arritjen e objektivave brenda periudhës së përcaktuar; ç) një përmbledhje të masave të kërkuara sipas nenit 48 të këtij ligji, të cilat shihen si të nevojshme që trupat ujorë të arrijnë statusin e kërkuar në mënyrë progresive, brenda afatit të shtyrë, arsyet për çdo vonesë të konsiderueshme në zbatimin e këtyre masave dhe afati kohor i pritshëm për zbatimin e tyre përcaktohen në planin e menaxhimit të basenit lumor. Rishikimi i zbatimit të këtyre masave dhe një përmbledhje e çdo mase shtesë përfshihet në përditësimet e planit të menaxhimit të basenit lumor. 2. Për shtyrjen e afateve sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të mos përjashtojë apo cenojë në mënyrë të përhershme arritjet e objektivave mjedisorë, të përcaktuara në përputhje me këtë ligj, në trupat e tjerë ujorë brenda të njëjtit rajon baseni lumor dhe në përputhje me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Neni 24 Objektivat më pak shtrëngues të cilësisë mjedisore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, mund të vendosë objektiva më pak shtrëngues të cilësisë mjedisore, krahasuar me ato të përcaktuara në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji, për trupa ujorë të veçantë kur ndikohen nga aktiviteti njerëzor, sipas përcaktimeve të nenit 27 të këtij ligji, kur kushtet e tyre natyrore e bëjnë të parealizueshme ose kur kostot për arritjen e këtyre objektivave nuk janë proporcionale dhe kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme: a) nevojat mjedisore dhe socio-ekonomike të plotësuara nga aktiviteti njerëzor nuk mund të arrihen me mënyra të tjera, që janë alternativa shumë më të mira mjedisore dhe kostot për arritjen e tyre nuk janë proporcionale; b) agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron: i. për ujërat sipërfaqësore arritjen e statusit më të lartë të mundshëm ekologjik dhe kimik, duke marrë në konsideratë ndikimet që nuk mund të shmangen në mënyrë të arsyeshme, për shkak të natyrës së aktivitetit njerëzor apo ndotjes; ii. për ujërat nëntokësore, ndryshimet sa më të pakta të statusit të mirë të ujërave nëntokësore, duke marrë në konsideratë ndikimet që nuk mund të shmangen në mënyrë të arsyeshme për shkak të natyrës së aktivitetit njerëzor apo ndotjes; c) ndalimin e mëtejshëm të përkeqësimit të statusit të trupit ujor të ndikuar; ç) objektivat më pak shtrëngues mjedisorë dhe arsyet për vendosjen e tyre përfshihen në planin e menaxhimit të baseneve lumore. 2. Kur vendosen objektiva më pak shtrëngues të cilësisë mjedisore sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të mos përjashtojë apo cenojë në mënyrë të përhershme arritjet e objektivave mjedisorë, të përcaktuara në përputhje me këtë ligj, në trupat e tjerë ujorë brenda të njëjtit rajon baseni lumor dhe në përputhje me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Neni 25 Përkeqësimi i përkohshëm i statusit të trupave ujorë 1. Përkeqësimi i përkohshëm i statusit të trupave ujorë nuk përbën shkelje të kërkesave të këtij ligji nëse përkeqësimi është rezultat i rrethanave të jashtëzakonshme për shkaqe natyrore ose të forcës madhore apo që nuk mund të parashikoheshin, veçanërisht në raste përmbytjesh ekstreme ose thatësire të tejzgjatur dhe kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme: 18 a) janë marrë të gjithë hapat e mundshëm për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të statusit dhe për të mos cenuar arritjen e objektivave mjedisorë sipas këtij ligji në trupat e tjerë ujorë që nuk ndikohen nga rrethanat e lartpërmendura; b) kriteret sipas të cilave mund të deklarohen rrethanat e jashtëzakonshme ose rrethanat që nuk mund të parashikohen janë përfshirë në planin e menaxhimit të basenit lumor; c) masat që do të merren në këto rrethana të jashtëzakonshme janë përfshirë në programin e masave dhe nuk cenojnë përmirësimin e cilësisë së trupit ujor, pasi këto rrethana kanë përfunduar; ç) pasojat e rrethanave të jashtëzakonshme ose që nuk mund të parashikoheshin rishikohen çdo vit, dhe në varësi të arsyeve të përcaktuara në shkronjën “a” të nenit 23 të këtij ligji, merren të gjitha masat me qëllim rikthimin e trupit ujor në statusin e mëparshëm, sa më shpejt të jetë e mundur; dhe d) një përmbledhje e pasojave të rrethanave dhe të masave të marra ose që do të merren në të ardhmen, sipas shkronjave “a” dhe “ç” të këtij neni, të përfshihet në përditësimin e radhës të planit të menaxhimit të basenit lumor. 2. Në rastin e përkeqësimit të përkohshëm të statusit të trupave ujorë sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të mos përjashtojë apo të cenojë në mënyrë të përhershme arritjet e objektivave mjedisorë, të përcaktuara në përputhje me këtë ligj, në trupat e tjerë ujorë brenda të njëjtit rajon baseni lumor dhe në përputhje me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Neni 26 Pamundësia e ndalimit të përkeqësimit të statusit të trupave ujorë 1. Nuk përbën shkelje të dispozitave të këtij ligji në rastin kur: a) pamundësia për të arritur statusin e mirë të ujërave nëntokësore, statusin e mirë ekologjik ose kur është e përshtatshme, potencialin e mirë ekologjik ose për të parandaluar përkeqësimin e statusit të një trupi ujor sipërfaqësor apo një trupi ujor nëntokësor, vjen si pasojë e modifikimeve të reja të karakteristikave fizike të një trupi ujor sipërfaqësor ose ndryshimeve të nivelit të trupave ujorë nëntokësore; ose b) pamundësia për të parandaluar përkeqësimin nga status shumë i mirë në status të mirë për një trup ujor sipërfaqësor vjen si pasojë e zhvillimit të aktiviteteve të reja të qëndrueshme njerëzore. 2. Në rastin e pikës 1 të këtij neni duhet të përmbushen këto kushte: a) janë marrë të gjithë hapat për zbutjen e ndikimit të pakthyeshëm në statusin e trupit ujor; b) arsyet për këto modifikime apo ndryshime janë të përcaktuara në planin e menaxhimit të basenit lumor dhe objektivat rishikohen çdo 6 vjet; c) arsyet për këto modifikime apo ndryshime përbëjnë interes të lartë publik ose përfitimet mjedisore dhe sociale për arritjen e objektivave të përcaktuar në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji prevalojnë mbi përfitimet nga modifikimet apo ndryshimet e reja lidhur me shëndetin njerëzor, ruajtjen e sigurisë njerëzore ose zhvillimin e qëndrueshëm; dhe ç) objektivat e përmbushur nga modifikimet apo ndryshimet e trupave ujorë nuk mund të arrihen me mjete të tjera, që janë alternativë shumë më e mirë mjedisore, për arsye të fizibilitetit teknik ose të kostove joproporcionale. 3. Në rastin e pamundësisë së parandalimit të përkeqësimit të statusit të trupave ujorë sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të mos përjashtojë apo cenojë në mënyrë të përhershme arritjet e objektivave mjedisorë, të përcaktuar në përputhje me këtë ligj, në trupat e tjerë ujorë brenda të njëjtit rajon baseni lumor dhe në përputhje me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. 19 KREU IV ANALIZAT E RAJONEVE TË BASENEVE LUMORE Neni 27 Karakteristikat e rajoneve të baseneve lumore dhe vlerësimi i ndikimit të aktivitetit njerëzor 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për çdo rajon të basenit lumor apo pjesë të një baseni lumor ose liqenor ndërkombëtar, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e përcaktuara sipas pikës 3 të këtij neni kryen: a) analizën e karakteristikave të tij; b) vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor në statusin e ujërave sipërfaqësore. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore analizon dhe kryen vlerësimet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni brenda 4 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe, nëse është e nevojshme, kryen rishikimin e tyre çdo 6 vjet në kuadër të përditësimit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton kërkesat për kryerjen e analizës së karakteristikave dhe vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor në statusin e ujërave sipërfaqësore për çdo basen lumor ose liqenor jo më vonë se 90 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 28 Analiza ekonomike 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore kryen, rishikon dhe përditëson analizën ekonomike të përdorimit të ujit për çdo basen lumor ose liqenor, sipas afateve për kryerjen e analizës dhe vlerësimeve të përcaktuara në pikën 2 të nenit 27 të këtij ligji. 2. Analiza ekonomike përmban informacion të mjaftueshëm dhe të detajuar (duke marrë në konsideratë edhe kostot për mbledhjen e të dhënave përkatëse), me qëllim: a) kryerjen e përllogaritjeve përkatëse të nevojshme për marrjen në konsideratë të parimit të rikuperimit të kostos për shërbimet e ujit; dhe b) marrjen në konsideratë të parashikimeve afatgjata të ofertës dhe kërkesës për ujë në çdo basen lumor ose liqenor dhe kur është e nevojshme: i. përllogaritjen e volumit, çmimeve dhe kostove që lidhen me këto shërbime të ujit; dhe ii. parashikimin e investimeve përkatëse, përfshirë parashikimet për investime të tilla në këto shërbime të ujit. 3. Analiza ekonomike duhet të përmbajë një vlerësim të atyre masave që kanë kosto më efektive për përdorimin e ujit, të cilat do të përfshihen në masat e përcaktuara në nenin 44 të këtij ligji, bazuar në përllogaritjen e kostove të mundshme të këtyre masave. Neni 29 Rikuperimi i kostos së përdorimit të burimeve ujore 1. Në përputhje me parimin “Ndotësi paguan” dhe duke u bazuar në analizat ekonomike të kryera sipas nenit 28 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore promovon parimin e rikuperimit të kostos së përdorimit të burimeve ujore, me qëllim që deri në vitin 2030: a) politikat e vendosjes së tarifave të përdorimit të burimeve të garantojnë stimuj të përshtatshëm që përdoruesit ta përdorin ujin me efikasitet, duke dhënë kështu kontribut për objektivat e cilësisë mjedisore, të përcaktuar në përputhje me këtë ligj; b) për përdorime të ndryshme të burimeve ujore të jepet kontribut proporcional për rikuperimin e kostove, të paktën për përdorimet familjare, bujqësore dhe industriale. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për nxitjen e parimit të rikuperimit të kostos së përdorimit të burimeve ujore, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, mund të marrë në konsideratë efektet sociale, mjedisore dhe ekonomike, si dhe kushtet klimatike dhe gjeografike të rajonit apo rajoneve të ndikuara. 20 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton metodologjinë e llogaritjes së tarifave për përdorimin e burimeve ujore. Neni 30 Përputhshmëria me ligjin dhe raportimi 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përfshin në planet e menaxhimit të baseneve lumore hapat e planifikuar, në zbatim të nenit 29 të këtij ligji, të cilat i shërbejnë arritjes së objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuara në këtë ligj, si dhe kontributit që japin përdorimet e ndryshme të burimeve ujore lidhur me rikuperimin e kostove të shërbimeve të ujit. 2. Nuk konsiderohet shkelje e këtij ligji nëse Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore nuk zbaton dispozitat e nenit 29 të këtij ligji dhe të pikës 1 të këtij neni për një veprimtari të caktuar të përdorimit të burimeve ujore, kur diçka e tillë nuk vë në rrezik qëllimet dhe arritjen e objektivave mjedisorë. 3. Në rastin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore parashtron arsyet përkatëse në planet e menaxhimit të baseneve lumore. 4. Parashikimet në nenin 29 të këtij ligji dhe në këtë nen nuk pengojnë financimin e masave të veçanta parandaluese apo korrigjuese që kanë si qëllim arritjen e objektivave të këtij ligji. KREU V REGJISTRI I ZONAVE TË MBROJTURA Neni 31 Zonat e mbrojtura ujore 1. Zonat e mbrojtura ujore në kuptim të këtij ligji përfshijnë: a) zonat e mbrojtjes higjieno-sanitare të burimeve ujore të caktuara për prodhimin e ujit të pijshëm; b) zonat për mbrojtjen e llojeve të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë me rëndësi ekonomike, sipas legjislacionit për peshkimin; c) zonat e ndjeshme dhe zonat vulnerabël; ç) zonat e veçanta të ruajtjes, sipas përcaktimeve në legjislacionin për zonat e mbrojtura mjedisore. 2. Autoritetet përgjegjëse, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, identifikon zonat e mbrojtura ujore, sipas pikës 2 të këtij neni. 3. Zonat e mbrojtura ujore shpallen sipas përcaktimeve në legjislacionin për zonat e mbrojtura, për peshkimin, për furnizimin me ujë dhe kanalizime, për bujqësinë dhe për shëndetësinë. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura, të ministrit përgjegjës për mjedisin, të ministrit përgjegjës për bujqësinë, të ministrit përgjegjës për furnizimin me ujë dhe kanalizime dhe të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, shpall zonat e mbrojtura ujore, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni. 4. Në rastet kur ka një plan menaxhimi për një zonë të mbrojtur, elemente apo masa të tij përfshihen në planin e menaxhimit të basenit lumor përkatës. Neni 32 Zonat e mbrojtjes higjieno-sanitare 1. Zonat e mbrojtjes higjieno-sanitare përcaktohen përreth burimeve ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore që furnizojnë me ujë popullsinë urbane dhe rurale, me qëllim ruajtjen e cilësisë së ujit në burim dhe afërsi të tij. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për shëndetësinë, për zonat e mbrojtura, për shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizime dhe autoritetin përgjegjës për hidrogjeologjinë, përcakton rast pas rasti kufijtë e zonave të mbrojtjes higjieno-sanitare, si dhe kërkesat që duhet të respektohen në lidhje me distancat dhe karakteristikat e zonave. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë, miraton kufijtë e këtyre zonave. 21 4. Zonat e mbrojtjes higjieno-sanitare përbëhen nga zona e parë, zona e dytë dhe zona e tretë. 5. Kufijtë e zonave të mbrojtjes higjieno-sanitare merren në konsideratë nga autoriteti përkatës i njësive të vetëqeverisjes vendore gjatë hartimit të planeve zhvillimore. Neni 33 Zonat për mbrojtjen e llojeve të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë me rëndësi ekonomike 1. Ministri përgjegjës për peshkimin, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, identifikon zonat e peshkimit për llojet me rëndësi ekonomike sipas parashikimeve në legjislacionin për peshkimin. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për peshkimin, miraton zonat e peshkimit për llojet me rëndësi ekonomike sipas përcaktimit në pikën 1 të këtij neni. Neni 34 Zona të veçanta ruajtjeje 1. Ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, identifikon zonat e veçanta të ruajtjes, sipas parashikimeve të legjislacionit për zonat e mbrojtura. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore, miraton zonat e veçanta të ruajtjes, sipas përcaktimit në pikën 1 të këtij neni. Neni 35 Bashkërendimi i planeve të rregullimit të territorit dhe planeve të menaxhimit të baseneve lumore Autoritetet që hartojnë plane dhe studime për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, që lidhen me planifikimin hapësinor, duhet të marrin në konsideratë planet e menaxhimit të baseneve lumore. Neni 36 Zonat e rrezikshme për shëndetin e njeriut Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe të ministrit përgjegjës për mjedisin, përcakton zonat që përbëjnë rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut dhe i shpall ato si të dëmshme për interesin publik. Neni 37 Rastet e pashmangshme për shpalljen e zonave të mbrojtura ujore Bazuar në prova, autoritetet përgjegjëse për zonat e mbrojtura ujore, në kuptim të këtij ligji, përcaktojnë dhe shpallin zonat e mbrojtura ujore në çdo moment kur ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore preken rëndë në sasi dhe cilësi ose kur ka risk për shpërthimin e një sëmundjeje ngjitëse. Neni 38 Regjistri i zonave të mbrojtura ujore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore krijon dhe përditëson një regjistër të të gjitha zonave, brenda secilit rajon të baseneve lumore që janë shpallur si zona, të cilat kërkojnë mbrojtje të veçantë, sipas këtij ligji, brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 2. Regjistri i zonave të mbrojtura ujore, i përmendur në pikën 1 të këtij neni, përfshin të gjithë trupat ujorë dhe të gjitha zonat e mbrojtura ujore të mëposhtme: 22 a) zonat e përcaktuara për shfrytëzimin e ujit për konsum njerëzor, në përputhje me nenin 39, pika 1, të këtij ligji; b) zonat e përcaktuara për mbrojtjen e specieve ujore me rëndësi ekonomike; c) trupat ujorë të përcaktuar si ujëra për zbavitje, përfshi zonat e përcaktuara si ujëra për larje, në përputhje me legjislacionin përkatës; ç) zonat me ndjeshmëri ndaj lëndëve ushqyese, përfshi zonat e shpallura si zona të rrezikuara, sipas legjislacionit për parandalimin e ndotjes nga ushqyesit që vijnë nga burime bujqësore dhe zonat e shpallura si zona të ndjeshme, sipas legjislacionit për ujërat e ndotura urbane; d) zonat e përcaktuara për mbrojtjen e habitateve apo specieve, ku mirëmbajtja ose përmirësimi i statusit të ujit janë faktorë me rëndësi për mbrojtjen e tyre, përfshirë sitet NATURA 2000, të përcaktuara sipas ligjit. 3. Përmbledhja e regjistrit, që duhet të përfshihet si pjesë e planit të menaxhimit të basenit lumor, përfshin hartat që tregojnë vendndodhjen e secilës zonë të mbrojtur dhe një përshkrim të legjislacionit, sipas të cilit janë shpallur. 4. Për çdo rajon baseni lumor, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore shqyrton vazhdimisht ose përditëson regjistrin ose regjistrat e hartuar në përputhje me pikën 2 të këtij neni. Neni 39 Përdorimi i burimeve ujore për ujë të pijshëm 1. Bazuar në masterplanin e ujësjellës-kanalizimeve dhe studimet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon për çdo rajon të basenit lumor: a) të gjithë trupat ujorë që përdoren për ujë të pijshëm dhe që sigurojnë mesatarisht më shumë se 10 m3 në ditë ose që furnizojnë më shumë se 50 persona; dhe b) trupat ujorë që synohen për këtë përdorim në të ardhmen. 2. Për secilin trup ujor, të identifikuar në përputhje me pikën 1 të këtij neni, përveç përmbushjes së objektivave të cilësisë mjedisore në përputhje me nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji, autoritetet përgjegjëse për shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizime për shëndetësinë sigurojnë që cilësia e ujit pas regjimit të trajtimit të aplikuar të jetë në përputhje me kërkesat e legjislacionit për cilësinë e ujit të pijshëm. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për shëndetësinë, për shërbimin e ujësjellës-kanalizimeve dhe Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, siguron mbrojtjen e nevojshme për trupat ujorë të identifikuar, me synim shmangien e përkeqësimit të cilësisë së tyre. Kjo mbrojtje mund të përfshijë krijimin e zonave të mbrojtura higjieno-sanitare për këta trupa ujorë nga përdoruesit e këtyre burimeve. Neni 40 Cilësia e ujit të pijshëm 1. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, harton kriteret dhe standardet e cilësisë për ujin e pijshëm. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë, miraton kriteret dhe standardet e cilësisë për ujin e pijshëm. 3. Çdo person fizik a juridik, publik apo privat, që ofron ose tregton ujë të pijshëm në publik, duhet të pajiset me lejen apo autorizimin përkatës, si dhe të përmbushë kriteret dhe standardet e cilësisë së ujit të pijshëm, sipas legjislacionit për cilësinë e ujit të pijshëm. 4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe çdo institucion tjetër, publik apo privat, që ka sistemin e vet të ujësjellësit, duhet të marrë rregullisht masa për kontrollin e cilësisë së ujit të furnizuar. 5. Në rast se uji i pijshëm nuk i përmbush kriteret dhe standardet e cilësisë, strukturat rajonale të shëndetësisë njoftojnë strukturën përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit, e cila në bashkëpunim me strukturat rajonale të shëndetësisë dhe në rastet kur nevojitet ekspertizë, mbështetur nga Instituti i Shëndetit Publik, si institucion reference, merr vendim për ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe njofton për zbatim institucionin qendror, përgjegjës për furnizimin me ujë të popullatës së rrezikuar, si dhe njofton autoritetin përkatës të vetëqeverisjes vendore. 23 KREU VI MONITORIMI DHE MASAT PËR ARRITJEN E OBJEKTIVAVE TË CILËSISË MJEDISORE Neni 41 Monitorimi i ujërave sipërfaqësore, ujërave nëntokësore dhe zonave të mbrojtura ujore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton programin e monitorimit të statusit të ujërave, për çdo rajon të basenit lumor, me qëllim vlerësimin e statusit të trupave ujorë. Programi i monitorimit përfshin: a) për ujërat sipërfaqësore: i. volumin dhe nivelin ose normën e rrjedhës në mënyrë që të jetë e përshtatshme për përcaktimin e statusit ekologjik dhe kimik dhe potencialit ekologjik, dhe ii. statusin ekologjik dhe kimik dhe potencialin ekologjik; b) për ujërat nëntokësore statusin kimik dhe sasior; c) për zonat e mbrojtura ujore specifikimet e përcaktuara në legjislacionin për zonat e mbrojtura, sipas kuptimit të këtij ligji. 2. Programi i monitorimit të statusit të ujërave sipërfaqësore, i përmendur në pikën 1 të këtij neni, hartohet dhe zbatohet bazuar në elementet cilësore për klasifikimin e statusit ekologjik dhe përkufizimet e klasifikimit të statusit ekologjik, sipas përcaktimeve të pikës 2 të nenit 20 të këtij ligji, si dhe në rregulloren për monitorimin dhe vlerësimin e statusit të ujërave, e cila përcakton: a) metodologjinë për planin e monitorimit mbikëqyrës të statusit ekologjik dhe të statusit kimik të ujërave sipërfaqësore; b) metodologjinë për planin e monitorimit operacional; c) metodologjinë për planin e monitorimit hetues; ç) standardet e cilësisë kimike për të gjithë trupat ujorë sipërfaqësorë; d) shpeshtësinë e monitorimit; dh) kërkesat shtesë për monitorimin e zonave të mbrojtura; e) standardet e monitorimit të elementeve të cilësisë, klasifikimin dhe paraqitjen e statusit ekologjik (krahasueshmërinë e rezultateve të monitorimit biologjik); ë) mënyrën e paraqitjes së rezultateve të monitorimit dhe klasifikimin e statusit ekologjik dhe potencialit ekologjik; dhe f) mënyrën e paraqitjes së rezultateve të monitorimit dhe klasifikimit të statusit kimik. 3. Këto programe vihen në zbatim brenda 6 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përveçse kur përcaktohet ndryshe në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit. 4. Zbatimi i programit të monitorimit, përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, sigurohet përmes planeve vjetore të monitorimit, të cilat hartohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për monitorimin e ujërave sipërfaqësore, ujërave nëntokësore dhe zonave të mbrojtura, si dhe përfshihen në Programet vjetore Kombëtare të Monitorimit të Mjedisit. 5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton rregulloren për monitorimin dhe vlerësimin e statusit të ujërave brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 42 Specifikimet teknike për analizën kimike dhe monitorimin 1. Autoritetet përgjegjëse për monitorimin e ujërave sipërfaqësore, ujërave nëntokësore dhe zonave të mbrojtura, me qëllim garantimin e cilësisë dhe krahasueshmërisë së rezultateve analitike të gjeneruara nga laboratorët e caktuar për të kryer monitorimin kimik të ujërave, në përputhje me nenin 41, pika 5, të këtij ligji, sigurojnë që të gjitha metodat e analizës, përfshirë metodat laboratorike dhe ato online, që përdoren për qëllimet e programeve të monitorimit kimik të kryera në përputhje me nenin 41 të këtij ligji, të vërtetohen dhe të dokumentohen në përputhje me standardin EN ISO/IEC-17025 ose standarde të tjera të barasvlershme, që pranohen në rang ndërkombëtar. 24 2. Kriteret minimale të performancës për metodat e analizës, përllogaritja e vlerave mesatare dhe sigurimi i kontrollit të cilësisë, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, specifikohen në rregulloren për monitorimin dhe vlerësimin e statusit të ujërave, siç përcaktohet në pikën 5 të nenit 41 të këtij ligji. Neni 43 Qasja e kombinuar për burimet e ndotjes pikësore dhe jopikësore (difuze) 1. Autoriteti përgjegjës për mjedisin, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, për të gjitha shkarkimet dhe emetimet në ujërat sipërfaqësore, të përmendura në pikën 2 të këtij neni, zbaton qasje të kombinuar për kontrollin e tyre. 2. Autoriteti përgjegjës për mjedisin, në bashkëpunimme Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore: a) vendosin standardet për kontrollin e shkarkimeve dhe emetimeve, bazuar në teknikat më të mira të disponueshme; ose b) përcaktojnë vlerat kufi përkatëse të shkarkimeve dhe emetimeve; ose c) në rastin e ndikimeve të shpërndara, standardet e kontrolleve duhet të përfshijnë, sipas rastit, praktikat më të mira mjedisore, të përcaktuara në legjislacionin për: i. ujërat e ndotura industriale; ii. trajtimin e ujërave të ndotura urbane; iii. mbrojtjen e ujërave nga ndotja e shkaktuar nga nitratet me origjinë bujqësore; iv. standardet e cilësisë mjedisore; dhe v. në akte të tjera ligjore lidhur me shkarkimet dhe emetimet në ujërat sipërfaqësore. 3. Kur një objektiv apo standard i cilësisë, i vendosur në përputhje me këtë ligj ose në përputhje me akte të tjera ligjore, nuk arrihet sipas kushteve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, do të përcaktohen kushte më shtrënguese kontrolli. 4. Autoriteti përgjegjës për mjedisin, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, merr masa për zbatimin e qasjes së kombinuar në përputhje me pikat 1 dhe 2 të këtij neni, brenda 12 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 44 Programi i masave 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, me qëllim arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuara në përputhje me nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji, për çdo rajon baseni lumor ose një pjesë të rajonit ndërkufitar të basenit lumor ose liqenor, brenda territorit të tij harton një program masash, të cilat janë themelore ose plotësuese, bazuar në rezultatet e analizave të përcaktuara në nenin 27 të këtij ligji. 2. Programet e masave të përmendura në pikën 1 të këtij neni mund t’u referohen masave të përcaktuara në nivel kombëtar dhe që mbulojnë të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe gjithashtu mund të jenë të zbatueshme për të gjitha rajonet e baseneve lumore ose basenet lumore dhe liqenore ndërkombëtare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Neni 45 Masat themelore Masat themelore janë kërkesat minimale, të cilat duhet të përmbushen dhe të përfshijnë: a) masat e nevojshme për zbatimin e këtij ligji për mbrojtjen e burimeve ujore, përfshirë masat e kërkuara sipas qasjes së kombinuar, të përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji dhe legjislacionin për: i. cilësinë e ujërave larës; ii. shpendët; iii. ujin e pijshëm; iv. aksidentet industriale; v. vlerësimet e ndikimit në mjedis; vi. trajtimin e llumit nga trajtimi i ujërave të ndotura; vii. trajtimin e ujërave të ndotura urbane; 25 viii. produktet për mbrojtjen e bimëve; ix. mbrojtjen e ujërave kundër ndotjes së shkaktuar nga nitratet me origjinë bujqësore; x. habitatet; xi. emetimet industriale. b) masat për rikuperimin e kostove për shërbimet e ujit në përputhje me nenin 29 të këtij ligji; c) masat për nxitjen e përdorimit efektiv dhe të qëndrueshëm të ujit, me qëllim që të mos cenohet arritja e objektivave të cilësisë mjedisore të përcaktuara në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji; ç) masat për të përmbushur detyrimet që lidhen me përdorimin e burimeve ujore për ujë të pijshëm, në përputhje me nenin 39 të këtij ligji, përfshirë masat për ruajtjen e cilësisë së ujit, me qëllim uljen e nivelit të trajtimit të tij; d) kontrollet për shfrytëzimin dhe grumbullimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, përfshirë një regjistër të autorizimeve dhe lejeve të dhëna për shfrytëzimin e burimeve ujore. Këto kontrolle rishikohen periodikisht dhe përditësohen kur është e nevojshme; dh) shfrytëzimi dhe grumbullimi i burimit ujor, që nuk ka ndikim domethënës në statusin e ujit përjashtohet nga këto kontrolle. Neni 46 Masat themelore për burimet pikësore dhe jopikësore (difuze) dhe ndikime të tjera negative të pakthyeshme 1. Për shkarkimet nga burime pikësore që mund të shkaktojnë ndotje, masat themelore lidhen me ndalimin e shkarkimit në ujë të ndotësve të caktuar, kontrollin e shkarkimeve përmes lëshimit të autorizimit paraprak ose krijimin e një regjistri të shkarkuesve, të cilat përfshijnë kontrollet e emetimeve për këta ndotës, si dhe kontrollet në përputhje me qasjen e kombinuar sipas nenit 43 të këtij ligji dhe dispozitave të këtij ligji, që përcaktojnë standardet e cilësisë mjedisore për substancat prioritare dhe ndotësit e tjerë. 2. Për burimet jopikësore që mund të shkaktojnë ndotje, masat themelore lidhen me ndalimin e shkarkimit në ujë të ndotësve të caktuar, kontrollin e shkarkimeve përmes lëshimit të autorizimit paraprak. 3. Për çdo ndikim tjetër negativ të pakthyeshëm në statusin e trupit ujor të identifikuar sipas karakterizimit fillestar të kryer në përputhje me nenin 27 të këtij ligji, identifikohen masa për të garantuar që kushtet hidro-morfologjike të trupave ujorë të shpallur si artificialë ose tepër të modifikuar të jenë në përputhje me arritjen e statusit të kërkuar ekologjik ose potencialin e mirë ekologjik për trupat ujorë. Kontrollet për këtë qëllim mund të marrin formën e një kërkese për autorizim paraprak ose regjistrim bazuar në rregulla të përgjithshme detyruese në përputhje me këtë ligj. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore rishikon masat e përcaktuara në këtë nen në mënyrë periodike çdo 6 vjet dhe i përditëson, kur është e nevojshme, si pjesë e planit të menaxhimit të basenit lumor përkatës. Neni 47 Masat themelore për eliminimin e ndotjes dhe parandalimin e emetimeve të konsiderueshme të ndotësve 1. Për eliminimin e ndotjes dhe parandalimin e emetimeve të konsiderueshme të ndotësve, masat themelore përbëhen nga masat për eliminimin e ndotjes së ujërave sipërfaqësore nga ato substanca të përfshira në listën e substancave prioritare të identifikuara sipas përcaktimeve në nenin 67 të këtij ligji dhe për të zvogëluar në mënyrë progresive ndotjen nga substanca të tjera, të cilat do të pengonin arritjen e objektivave për trupat ujorë sipërfaqësorë, të përcaktuar në nenet 20 dhe 21 të këtij ligji. 2. Do të konsiderohen si masa themelore të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar emetimet e ndotësve në mjedis nga instalimet industriale dhe për të parandaluar ose për të zvogëluar ndikimin e ndotjes aksidentale, për shembull si rezultat i përmbytjeve, si dhe masat e ndërmarra përmes sistemeve të paralajmërimit të hershëm të ngjarjeve të tilla, duke përfshirë rastet e aksidenteve, të cilat nuk mund të parashikoheshin për të marrë të gjitha masat e duhura për të zvogëluar riskun në ekosistemet ujore. 26 Neni 48 Masat plotësuese 1. Masat plotësuese janë masat e hartuara dhe zbatuara përveç masave themelore, me qëllim arritjen e objektivave sipas përcaktimeve në nenet 20, 21, dhe 56 të këtij ligji. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për çdo rajon baseni lumor, baseni ndërkufitar lumor ose baseni ndërkufitar liqenor, mund të përfshijë masa plotësuese, si pjesë e programit të masave të kërkuara, në zbatim të nenit 44 të këtij ligji, të cilat ndër të tjera konsistojnë në: a) masa legjislative; b) masa administrative; c) masa ekonomike ose fiskale; ç) marrëveshje mjedisore të negociuara; d) kontrolle të emetimeve; dh) kodet e praktikave të mira; e) rikrijim dhe restaurim të zonave ligatinore; ë) kontroll të shfrytëzimit të burimeve ujore; f) masa të menaxhimit të kërkesës, ndër të tjera, promovimin e prodhimit bujqësor të përshtatur siç janë kulturat me kërkesë të ulët për ujë në zonat e prekura nga thatësira; g) masa të efikasitetit dhe ripërdorimit, ndër të tjera, promovimin e teknologjive me efikasitet në përdorimin e ujit në industri dhe teknikat e ujitjes që kursejnë ujë; gj) projekte ndërtimi; h) impiante shkripëzimi; i) projekte rehabilitimi; j) ripërtëritje artificiale të akuiferëve; k) projekte edukative; l) projekte kërkimi, zhvillimi dhe demonstrimi. Neni 49 Masat shtesë në rast të mosarritjes së objektivave të cilësisë mjedisore 1. Kur nga të dhënat e monitorimit konstatohet se objektivat e cilësisë mjedisore, të përcaktuara në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji, nuk arrihen për një trup ujor të caktuar, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore kryen: a) hetimin e shkaqeve të mundshme; b) shqyrtimin dhe rishikimin rast pas rasti të lejeve dhe autorizimeve përkatëse; c) rishikimin dhe përshtatjen e duhur të programeve të monitorimit; dhe ç) përcaktimin e masave shtesë, sipas nevojës, për të arritur këto objektiva, përfshirë sipas rastit, përcaktimin e standardeve më shtrënguese të cilësisë mjedisore, sipas përcaktimeve në nenin 67, pika 2, të këtij ligji. 2. Kur mosarritja e objektivave sipas pikës 1 të këtij neni, vjen si rezultat i shkaqeve natyrore ose forcës madhore, të cilat nuk mund të parashikoheshin, në veçanti, në rastin e përmbytjeve ekstreme dhe thatësirave të tejzgjatura, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të deklarojë se masat plotësuese nuk janë të zbatueshme praktikisht, në varësi të nenit 46 të këtij ligji. Neni 50 Masat për parandalimin e shtimit të ndotjes Gjatë zbatimit të masave sipas neneve 45, 46 dhe 47 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ndërmerr hapa të përshtatshëm që të mos shtohet ndotja e ujërave detare. Zbatimi i masave të marra sipas neneve 45, 46 dhe 47 të këtij ligji nuk mund të çojë në asnjë mënyrë në shtimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të ndotjes së ujërave sipërfaqësore. 27 Neni 51 Afatet për programet e masave 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton programet e masave të përmendura në nenin 44 të këtij ligji brenda 9 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe sigurohet që të gjitha masat vihen në zbatim brenda 12 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore rishikon programet e masave të përcaktuara në përputhje me pikën 1 të këtij neni dhe, nëse është e nevojshme, i përditëson ato brenda 15 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe çdo 6 vjet pas këtij afati. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të gjitha masat e rishikuara, të përcaktuara në programin e përditësuar, të vihen në zbatim brenda 3 vjetësh nga përcaktimi i tyre. Neni 52 Raportimi i problematikave dhe dhënia e rekomandimeve Nëse Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon një problematikë, e cila ndikon në menaxhimin e burimeve ujore, por që nuk mund të zgjidhet, mund të japë rekomandime lidhur me zgjidhjen për të cilën informon Këshillin e Ministrave, me synim përcjelljen e çështjes në Komisionin Evropian. Neni 53 Planet e menaxhimit të baseneve lumore 1. Planet e menaxhimit të baseneve lumore dhe, kur është rasti, planet e menaxhimit të baseneve liqenore, miratohen dhe publikohen në përputhje me këtë ligj. 2. Në rastin e menaxhimit të baseneve lumore ndërkufitare dhe rajoneve ndërkufitare të menaxhimit të baseneve liqenore që ndodhen brenda territorit të Shqipërisë, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron bashkërendimin me shtetet e tjera ku ndodhen këto basene, me qëllim hartimin e një plani të vetëm të menaxhimit të basenit lumor nëse është e mundur edhe nga shteti apo shtetet ndërkufitare. 3. Kur bashkërendimi në përputhje me pikën 2 të këtij neni nuk ka sjellë hartimin e një plani të vetëm të menaxhimit të basenit lumor, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton planin e menaxhimit të basenit lumor të paktën për atë pjesë të basenit ndërkufitar lumor dhe liqenor që ndodhet në territorin e Shqipërisë, me qëllim arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuara në përputhje me nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton elementet që përmban një plan menaxhimi të basenit lumor dhe të gjitha elementet që duhet të përfshihen në të gjithë përditësimet e planeve të menaxhimit të baseneve lumore. 5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton elementet e përcaktuara në pikën 4 të këtij neni jo më vonë se 90 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon planet e menaxhimit të baseneve lumore të hartuara në përputhje me këtë nen, brenda 9 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore rishikon dhe përditëson planet e menaxhimit të baseneve lumore brenda 15 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe çdo 6 vjet në vijim. KREU VII INFORMIMI PUBLIK DHE RAPORTIMI 28 Neni 54 Informimi dhe konsultimi publik 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore garanton përfshirjen aktive të të gjitha palëve të interesuara për zbatimin e këtij ligji, veçanërisht sa i përket hartimit, rishikimit dhe përditësimit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për çdo rajon baseni lumor publikon dhe vë në dispozicion për komente nga publiku, përfshirë përdoruesit, si më poshtë: a) afatet dhe programin e punës për hartimin e planit, përfshirë deklaratën lidhur me masat që do të ndërmerren për konsultim, të paktën 3 vjet përpara fillimit të periudhës së cilës i referohet plani; b) deklaratën e problematikave të rëndësishme të menaxhimit të burimeve ujore në basenin lumor, të paktën 2 vjet përpara fillimit të periudhës së cilës i referohet plani; c) projektplanin e menaxhimit të basenit lumor, të paktën 1 vit përpara fillimit të periudhës së cilës i referohet plani. Sipas kërkesës, publikut i jepet akses në dokumentacionin dhe informacionin bazë që është përdorur për hartimin e projektplanit të menaxhimit të basenit lumor. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore vë në dispozicion të publikut informacionet sipas pikës 2 të këtij neni për një periudhë kohore prej të paktën 6 muajsh për komente me shkrim. 4. Pikat 2 dhe 3 të këtij neni zbatohen edhe për përditësimet e planeve të menaxhimit të baseneve lumore. Neni 55 Raportimi për planet e menaxhimit të baseneve lumore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore u dërgon kopje të planeve të menaxhimit të baseneve lumore dhe të gjitha përditësimeve të tyre vijuese vendeve fqinje të përfshira, Agjencisë Evropiane të Mjedisit dhe organeve të tjera të interesuara të Bashkimit Evropian dhe i vë ato në dispozicion të publikut në faqen zyrtare të internetit brenda 3 muajve nga miratimi dhe publikimi i tyre. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon raportet përmbledhëse të analizave të kërkuara sipas neneve 27 dhe 28 të këtij ligji dhe të programeve të monitorimit të hartuara sipas nenit 41, të këtij ligji, të përgatitura në kuadër të hartimit të planit të parë të menaxhimit të basenit lumor, brenda 3 muajve nga përfundimi i tyre. 3. Brenda 3 vjetësh nga publikimi ose përditësimi i çdo plani menaxhimi të baseneve lumore në përputhje me këtë ligj, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i paraqet publikut një raport të ndërmjetëm që përshkruan ecurinë e zbatimit të programeve të masave të planifikuara. KREU VIII MBROJTJA E UJËRAVE NËNTOKËSORE NGA NDOTJA DHE PËRKEQËSIMI Neni 56 Objektivat e cilësisë mjedisore për ujërat nëntokësore 1. Për arritjen e statusit të mirë të ujërave nëntokësore zbatohen dispozitat e neneve 23, 24, 25, 26, si dhe nenit 65 të këtij ligji. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ndjek zbatimin e programeve të masave për ujërat nëntokësore të përcaktuar në planet e menaxhimit të baseneve lumore, duke siguruar: a) zbatimin e masave të nevojshme për parandalimin ose kufizimin e futjes së ndotësve në ujërat nëntokësore dhe për parandalimin e përkeqësimit të statusit të trupave të ujërave nëntokësore, në përputhje me nenet 58 dhe 65 të këtij ligji; b) mbrojtjen, përmirësimin dhe rehabilitimin e të gjithë trupave ujorë nëntokësorë, si dhe ruajtjen e ekuilibrit midis sasisë që shfrytëzohet dhe rimbushjes së ujërave nëntokësore, me qëllim arritjen e statusit të mirë të ujërave nëntokësore, brenda 15 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me nenet 36 dhe 62 të këtij ligji; 29 c) zbatimin e masave të nevojshme për përmbysjen e të gjitha prirjeve rritëse të konsiderueshme dhe të qëndrueshme lidhur me përqendrimin e çdo ndotësi që vjen si pasojë e ndikimit të aktivitetit njerëzor, me qëllim uljen progresive të ndotjes në ujërat nëntokësore. Masat për të arritur përmbysjen e prirjes zbatohen në përputhje me nenet 45 dhe 46 të këtij ligji, si dhe përcaktimet sipas nenit 64 të këtij ligji, duke marrë në konsideratë standardet e zbatueshme të përcaktuara në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin tjetër përkatës. 3. Dispozitat e nenit 20 të këtij ligji, kur është e përshtatshme, zbatohen edhe për ujërat nëntokësore. Neni 57 Karakteristikat e rajoneve të baseneve lumore dhe vlerësimi i ndikimit të aktivitetit njerëzor në ujërat nëntokësore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për çdo rajon të basenit lumor apo për pjesë të një baseni lumor apo liqenor ndërkufitar që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë siguron kryerjen e: a) analizës së karakteristikave të tij lidhur me ujërat nëntokësore; b) vlerësimit të ndikimit të aktivitetit njerëzor për statusin e trupave ujorë nëntokësorë; c) vlerësimit të ndikimit të ndryshimeve në nivelet e ujërave nëntokësore; dhe ç) vlerësimit të ndikimit të ndotjes në cilësinë e ujërave nëntokësore. 2. Analiza dhe vlerësimi i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni do të kryhen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me institucionet monitoruese për ujërat nëntokësore brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me institucionet monitoruese për ujërat nëntokësore, përditëson analizën dhe vlerësimet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, çdo 6 vjet, në kuadër të rishikimit dhe përditësimit të planit të menaxhimit të basenit lumor. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton specifikimet teknike për kryerjen e analizës dhe vlerësimeve, të listuara në pikën 1 të këtij neni, brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 58 Masat themelore për kontrollin e shfrytëzimit të ujërave nëntokësore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për ujërat nëntokësore ndjek zbatimin e masave themelore të përcaktuara në programin e masave, me qëllim arritjen e objektivave mjedisorë në çdo rajon baseni lumor dhe pjesë të rajoneve baseneve ndërkufitare lumore që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat ndër të tjera përfshijnë: a) kontrollin për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore përmes pajisjes me leje apo autorizim, si dhe krijimin e një regjistri të shfrytëzimit të ujërave nëntokësore. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të përjashtojë nga ky kontroll nxjerrjet që nuk kanë ndikim domethënës në statusin e ujit; b) kontrollin për rimbushjen dhe furnizimin artificial të trupave ujorë nëntokësorë përmes pajisjes me leje apo autorizim. Uji i përdorur për rimbushje apo furnizimin artificial merret nga çdo trup ujor sipërfaqësor dhe nëntokësor, me kusht që përdorimi i burimit të mos vërë në rrezik arritjen e objektivave mjedisorë të përcaktuar për këtë burim dhe për trupin ujor nëntokësor që rimbushet. 2. Kontrollet e cituara në pikën 1 të këtij neni rishikohen dhe përditësohen periodikisht kur është e nevojshme. Neni 59 Monitorimi i ujërave nëntokësore për vlerësimin e statusit sasior dhe kimik 30 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në vijim të vlerësimit të statusit sasior dhe kimik të ujërave nëntokësore, identifikon trupat ujorë të cilët duhet të monitorohen. 2. Institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave nëntokësore merr masa për ngritjen e rrjetit të monitorimit të ujërave nëntokësore për kryerjen e monitorimit sasior dhe kimik të trupave ujorë nëntokësorë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore bën interpretimin dhe paraqitjen e statusit sasior dhe kimik të ujërave nëntokësore. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton specifikimet teknike për kryerjen e monitorimeve të statusit sasior dhe kimik për ujërat nëntokësore brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 4. Monitorimi i ujërave nëntokësore është pjesë integrale e planit kombëtar të monitorimit të burimeve ujore që hartohet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe zbatohet nga institucionet përkatëse monitoruese. Neni 60 Standardet e cilësisë për ujërat nëntokësore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me institucionin përgjegjës për monitorimin e ujërave nëntokësore, me qëllim arritjen e statusit të mirë kimik për trupat ujorë nëntokësorë, në përputhje me objektivat e cilësisë mjedisore sipas nenit 56 të këtij ligji, përcakton standardet e cilësisë për ujërat nëntokësore. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton standardet e cilësisë për ujërat nëntokësore, në zbatim të pikës 1 të këtij neni, brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 61 Vlerat prag 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton vlerat prag për ndotësit, grupet e ndotësve dhe treguesit e ndotjes që zbatohen për statusin e mirë kimik dhe që bazohen në mbrojtjen e trupit ujor nëntokësor, duke pasur në konsideratë të veçantë ndikimin mbi dhe ndërveprimin me ujërat përkatëse sipërfaqësore dhe ekosistemet tokësore, që varen drejtpërsëdrejti prej tyre dhe tokat moçalore, si dhe, ndër të tjera, merr në konsideratë njohuritë për toksikologjinë njerëzore dhe toksikologjinë ekologjike. 2. Vlerat prag sipas pikës 1 të këtij neni mund të përcaktohen në nivel të një trupi apo grupi trupash ujorë nëntokësorë në nivelin e rajonit të basenit lumor ose të pjesës së rajonit të basenit lumor, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë ose në nivel kombëtar. 3. Në rastin e ujërave ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që vlerat prag për trupat ujorë nëntokësorë, që ndahen midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje, të përcaktohen përmes bashkërendimit me vendet fqinje përkatëse. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton vlerat e para prag në përputhje me pikën 1 të këtij neni brenda 2 vjetësh pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. 5. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që të gjitha vlerat prag të përcaktuara të publikohen në planet e menaxhimit të baseneve lumore, që miratohen dhe publikohen në përputhje me nenin 53 të këtij ligji. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore propozon ndryshimin e listës së vlerave prag sa herë që informacioni i ri për ndotësit, grupet e ndotësve ose treguesit e ndotjes tregon se duhet të përcaktohet vlerë prag për një substancë shtesë, kur vlera prag ekzistuese duhet të ndryshohet ose kur vlera prag e hequr më parë duhet të rifutet në listë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit. Vlerat prag mund të hiqen nga lista kur trupi ujor nëntokësor në fjalë nuk është më në risk nga ndotësit, grupet e ndotësve apo treguesit e ndotjes përkatëse. Këto ndryshime të vlerave prag në listë raportohen në kuadër të shqyrtimit periodik të planeve të menaxhimit të baseneve lumore. Neni 62 Vlerësimi i statusit kimik të ujërave nëntokësore 31 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për vlerësimin e statusit kimik të një trupi apo grupi trupash ujorë nëntokësore bazohet në: a) standardet e cilësisë për ujërat nëntokësore, të përcaktuara në përputhje me nenin 60 të këtij ligji; b) vlerat prag të përcaktuara në përputhje me nenin 61 të këtij ligji. 2. Nëse një trup ujor nëntokësor, pas vlerësimit sipas pikës 1 të këtij neni, klasifikohet me status të mirë kimik, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr masat e nevojshme në përputhje me këtë ligj për mbrojtjen e ekosistemeve ujore, ekosistemeve tokësore dhe përdorimit njerëzor të ujërave nëntokësore që varen nga pjesa e trupit ujor nëntokësor, të përfaqësuar nga pika apo pikat e monitorimit, ku vlera për standardin e cilësisë së ujërave nëntokësore apo vlera standard është tejkaluar. Neni 63 Procedura për vlerësimin e statusit kimik të ujërave nëntokësore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton procedurën për vlerësimin e statusit kimik të ujërave nëntokësore. Për qëllim të kësaj procedure, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund t’i grupojë trupat ujorë nëntokësorë sipas rajoneve të baseneve lumore, të përcaktuara sipas nenit 13 këtij ligji. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përfshin informacion për vlerësimin e statusit kimik të ujërave nëntokësore në planet e menaxhimit të baseneve lumore në përputhje me këtë ligj. Ky informacion përfshin edhe një shpjegim lidhur me mënyrën sesi janë marrë në konsideratë tejkalimet e standardeve të cilësisë së ujërave nëntokësore apo vlerat prag në pika individuale monitorimi. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton procedurën për vlerësimin e statusit kimik të ujërave nëntokësore brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 64 Identifikimi i prirjeve rritëse të qëndrueshme të përqendrimeve të ndotësve 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon të gjitha rastet kur përqendrimi i ndotësve, grupeve të ndotësve, ose treguesve të ndotjes në trupat ujorë nëntokësorë apo grupime të tyre të identifikuar me risk, ka prirje rritëse të qëndrueshme dhe përcakton pikën fillestare për përmbysjen e kësaj prirjeje. 2. Me qëllim uljen progresive të ndotjes dhe parandalimin e përkeqësimit të ujërave nëntokësore përmes programeve të masave të ndërmarra, në përputhje me nenin 51 të këtij ligji, sigurohet përmbysja e prirjeve që paraqesin risk për cilësinë e ekosistemeve ujore apo tokësore, për shëndetin njerëzor ose përdorimeve të burimeve ujore. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton pikën fillestare për përmbysjen e prirjes rritëse si përqindje të nivelit të standardeve të cilësisë së ujërave nëntokësore dhe të vlerave kufi të përcaktuara, bazuar në prirjen e identifikuar dhe riskun mjedisor të lidhur me të. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përfshin në planet e menaxhimit të baseneve lumore informacion për: a) mënyrën në të cilën vlerësimi i prirjes nga pikat individuale të monitorimit në një trup apo një grup trupash ujorë nëntokësorë ka kontribuuar në identifikimin, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, se këta trupa janë të ndikuar nga një prirje rritëse e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e përqendrimit të ndotësve apo të përmbysjes së kësaj prirje; dhe b) arsyet për përcaktimin e këtyre pikave fillestare në përputhje me pikën 3 të këtij neni. 5. Kur identifikohen ndotje të përqendruara, që mund të rrezikojnë arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuar në përputhje me nenin 61 të këtij ligji, është e nevojshme të vlerësohet ndikimi i tyre në trupat ujorë nëntokësorë dhe në veçanti për ato ndotje të përqendruara, që vijnë si pasojë e burimeve pikësore të ndotjes dhe tokave të ndotura, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ndërmerr vlerësime shtesë të prirjeve për ndotësit e identifikuar, me qëllim verifikimin që ndotjet e përqendruara të mos përhapen, të mos përkeqësojnë statusin kimik të trupit apo të trupave ujorë nëntokësorë dhe të 32 mos paraqesin risk për shëndetin njerëzor dhe mjedisin. Rezultatet e këtyre vlerësimeve përfshihen në planet e menaxhimit të baseneve lumore. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton metodologjinë për identifikimin e prirjeve rritëse të qëndrueshme dhe përcaktimin e pikës fillestare për përmbysjen e prirjes. 7. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton metodologjinë e hartuar sipas pikës 6 të këtij neni brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 65 Ndalimi i injektimit të ndotësve në ujërat nëntokësore 1. Injektimi i ndotësve në ujërat nëntokësore si rregull është i ndaluar, përveçse në rastet e parashikuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni. 2. Organet e menaxhimit të burimeve ujore mund të autorizojnë riinjektimin në të njëjtin akuifer të ujërave që përdoren për qëllime gjeotermale. 3. Organet e menaxhimit të burimeve ujore, duke specifikuar kushtet përkatëse, mund të autorizojnë, gjithashtu: a) injektimin e ujërave që përmbajnë substanca, që vijnë si pasojë e veprimtarive për eksplorimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve ose veprimtarive minerare dhe injektimin e ujërave për arsye teknike në formacione gjeologjike nga të cilat janë nxjerrë hidrokarbure dhe substanca të tjera ose në formacione gjeologjike, të cilat për arsye natyrore nuk janë më asnjëherë të përshtatshme për qëllime të tjera. Këto ujëra nuk duhet të përmbajnë substanca të tjera përveç atyre që vijnë si pasojë e veprimtarive të mësipërme; b) riinjektimin e ujërave nëntokësore të marra me pompa nga minierat dhe guroret ose që lidhen me ndërtimin apo mirëmbajtjen e veprave të punimeve civile; c) injektimin e gazit natyror ose gazit të lëngëzuar të naftës për qëllime të magazinimit në formacione gjeologjike, të cilat për arsye natyrore nuk mund të përdoren asnjëherë për qëllime të tjera; ç) injektimin e rrjedhave të dyoksidit të karbonit për qëllime magazinimi në formacione gjeologjike, të cilat për arsye natyrore nuk mund të përdoren më për qëllime të tjera, me kusht që ky injektim të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit; d) injektimin e gazit natyror ose gazit të lëngëzuar të naftës për qëllime depozitimi në formacione të tjera gjeologjike kur ka nevojë të madhe për sigurinë e furnizimit me gaz dhe kur injektimi parandalon çdo rrezik aktual apo të ardhshëm lidhur me përkeqësimin e cilësisë së ujërave nëntokësore pritëse; dh) ndërtimin, veprat e punimeve civile dhe punimet ndërtimore dhe veprimtari të ngjashme mbi ose në tokë, të cilat krijojnë kontakt me ujërat nëntokësore. Për këto qëllime, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të përcaktojë se këto veprimtari duhet të trajtohen si veprimtari të autorizuara, me kusht që ato të kryhen në përputhje me rregullat e përgjithshme detyruese të hartuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ose autoritete të tjera kompetente lidhur me këto veprimtari; e) shkarkimin e sasive të vogla të substancave për qëllime shkencore lidhur me karakterizimin, mbrojtjen ose korrigjimin e trupave ujorë, të kufizuar rreptësisht në sasinë e nevojshme për qëllimet përkatëse, me kusht që këto shkarkime të mos vënë në rrezik arritjen e objektivave mjedisorë të përcaktuara për atë trup ujor nëntokësor. Neni 66 Masat për parandalimin ose kufizimin e depërtimit të ndotësve në ujërat nëntokësore 1. Me qëllim arritjen e objektivit për parandalimin apo kufizimin e depërtimit të ndotësve në ujërat nëntokësore, të përcaktuar në përputhje me nenin 56 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në programin e masave të përcaktuar në nenin 44 të këtij ligji përfshin: a) të gjitha masat për të parandaluar depërtimin e substancave të përcaktuara si të rrezikshme sipas pikës 4 të këtij neni në ujërat nëntokësore, përveç atyre rasteve sipas parashikimeve të pikave 5 dhe 6 të këtij neni; b) të gjitha masat e nevojshme për të kufizuar depërtimin në ujërat nëntokësore të atyre substancave të cilat nuk janë të rrezikshme, duke siguruar shmangien e përkeqësimit ose prirjen rritëse 33 të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të përqendrimeve të ndotësve në ujërat nëntokësore për substancat e përcaktuara si jo të rrezikshme, sipas pikës 4 të këtij neni, dhe për ndotësit e tjerë jo të rrezikshëm, që nuk janë të përfshirë në listën indikative sipas pikës 3 të këtij neni, për të cilat Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore vlerëson se paraqesin ose mund të paraqesin risk për ndotje. 2. Për përcaktimin e masave të parashikuara në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr në konsideratë praktikën e mirë të krijuar, përfshirë praktikat më të mira mjedisore, atëherë kur është e mundur. Për qëllimet e përcaktimit të masave të cituara në pikën 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përpara identifikimit të listës indikative të ndotësve sipas pikës 3 të këtij neni, vlerëson rrethanat në të cilat këta ndotës, veçanërisht metalet kryesore dhe komponimet e tyre, identifikohen si të rrezikshëm ose jo. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon listën indikative të ndotësve, ku përfshihen substancat që konsiderohen të rrezikshme dhe ato jo të rrezikshme për të cilat duhet të parandalohet ose kufizohet depërtimi në ujërat nëntokësore. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton listën indikative të ndotësve të identifikuar sipas pikës 3 të këtij neni brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 5. Ndikimi nga depërtimi i ndotësve nga burimet e shpërndara të ndotjes, që kanë ndikim në statusin kimik të ujërave nëntokësore, merret në konsideratë kur kjo gjë është e mundur nga pikëpamja teknike. 6. Pa shkelur asnjë nga kërkesat më shtrënguese të parashikuara në akte të tjera ligjore, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të përjashtojë nga masat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni depërtimin e ndotësve që: a) gjenerohen nga shkarkimet e drejtpërdrejta në përputhje me nenin 65 të këtij ligji; b) janë në sasi dhe përqendrim aq të vogël sa konsiderohen të mos përbëjnë rrezik për përkeqësimin e cilësisë së ujërave nëntokësore pritëse; c) janë pasojë e aksidenteve ose rrethanave të jashtëzakonshme për shkaqe natyrore që nuk mund të parashikoheshin, të shmangeshin apo të zbuteshin në mënyrë të arsyeshme; ç) janë rezultat i rimbushjes apo shtimit artificial të trupave ujorë nëntokësorë, të autorizuar në përputhje me nenin 58 të këtij ligji; d) për arsye teknike, nuk mund të parandalohen apo të kufizohen vetëm përmes masave: i. që do të rrisnin riskun ndaj shëndetit njerëzor ose cilësisë së mjedisit në tërësi; ose ii. me kosto të larta dhe të papërligjura për të larguar sasitë e ndotësve ose për të kontrolluar depërtimin e tyre në tokën apo nënshtresën e ndotur të tokës; dh) vijnë si pasojë e kryerjes së ndërhyrjeve në ujërat sipërfaqësore, me qëllim zbutjen e efekteve të përmbytjeve dhe thatësirave, menaxhimin e ujërave dhe të rrjedhave ujore, përfshirë edhe ujërat ndërkufitare. Këto ndërhyrje, përfshirë gërryerjen, gërmimin, zhvendosjen dhe depozitimin e sedimenteve në ujëra sipërfaqësore kryhen në përputhje me rregullat e përgjithshme detyruese dhe, kur gjen zbatim, me lejet dhe autorizimet e lëshuara nga organet e menaxhimit të burimeve ujore për këtë qëllim, me kusht që këto depërtime të mos vënë në rrezik arritjen e objektivave mjedisorë të përcaktuara për trupat ujorë në fjalë, në përputhje me nenin 20 të këtij ligji. 7. Përjashtimet e përcaktuara në pikën 6 të këtij neni gjejnë zbatim vetëm në ato raste kur kryhet monitorim efektiv i statusit kimik të trupave ujorë nëntokësorë, në përputhje me nenin 65 të këtij ligji apo veprimtari të tjera monitorimi. 8. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mban një inventar të përjashtimeve të bëra në përputhje me pikën 6 të këtij neni me synim informimin publik. KREU IX KONTROLLI I NDOTJES 34 Seksioni 1 Standardet e cilësisë mjedisore për ujërat sipërfaqësore Neni 67 Standardet e cilësisë mjedisore 1. Me qëllim arritjen e statusit të mirë kimik në të gjithë trupat ujorë sipërfaqësorë, në përputhje me objektivat e cilësisë mjedisore të përcaktuara sipas neneve 20 dhe 21 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me institucionin përgjegjës për monitorimin e ujërave sipërfaqësore, harton listën e substancave prioritare, substancave të rrezikshme prioritare dhe disa ndotësve të caktuar dhe përcaktojnë standardet e cilësisë mjedisore për këto substanca. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton listën e substancave dhe standardet e cilësisë mjedisore të tyre të përmendura në pikën 1 të këtij neni brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 68 Ekspozimi ndaj riskut akut Në rastet e një risku të mundshëm në mjedisin ujor apo përmes tij nga ekspozimi akut, i identifikuar si rezultat i përqendrimeve ose emetimeve të matura ose të përllogaritura ose gjatë zbatimit të standardit të cilësisë mjedisore të biotës apo sedimenteve, institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave sipërfaqësore sigurohet që të kryhet edhe monitorimi i ujërave sipërfaqësore dhe që të zbatohet përqendrimi apo standardet e cilësisë mjedisore maksimale të lejueshme, kur këto standarde të cilësisë mjedisore janë përcaktuar sipas nenit 67, të këtij ligji. Neni 69 Rastet kur nuk merren në konsideratë rezultatet e matjeve Për qëllimet e vlerësimit të statusit të përgjithshëm kimik të një trupi ujor, rezultati i matjes së substancës nuk merret në konsideratë kur, sipas pikës 2 të nenit 42 të këtij ligji, vlera e mesme e përllogaritur e një matjeje të përcaktuar duke përdorur teknikën më të mirë të disponueshme pa kosto shumë të larta konsiderohet si “më e ulët se kufiri i përcaktimit të sasisë” dhe kufiri i përcaktimit të sasisë për këtë teknikë është më i lartë se standardi i cilësisë mjedisore. Neni 70 Monitorimi i sedimentit dhe biotës Për substancat për të cilat zbatohet një standard cilësie për sedimentin ose biotën, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron monitorimin e substancës në matricën përkatëse të paktën një herë në vit, përveç rasteve kur teknikisht justifikohet një interval tjetër kohor. Neni 71 Informacioni që do të përfshihet në planet e menaxhimit të baseneve lumore 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që në planet e menaxhimit të baseneve lumore ose përditësimet e tyre, të hartuara në përputhje me nenin 53 të këtij ligji, të përfshihet edhe informacioni lidhur me: a) kufijtë e përcaktimit sasior të metodave të analizës së zbatuar dhe informacionin për performancën e këtyre metodave në lidhje me kriteret minimale të performancës të përcaktuara në përputhje me nenin 41 të këtij ligji; b) arsyet për frekuencën e aplikuar të monitorimit në përputhje me nenin 70 të këtij ligji, në rastet kur intervalet e monitorimit zgjasin më tepër se një vit. 35 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që informacioni i përfshirë në planet e menaxhimit të baseneve lumore ose përditësimet e tyre, të cilat paraqesin rezultatet dhe ndikimet e masave të ndërmarra për parandalimin e ndotjes kimike të ujërave sipërfaqësore dhe raporti i ndërmjetëm që përshkruan ecurinë e zbatimit të programit të planifikuar të masave, në përputhje me pikën 3 të nenit 55 të këtij ligji, të publikohen edhe në faqen e saj të internetit, në mënyrë që të vihen lehtësisht në dispozicion të publikut, në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit. Neni 72 Analiza e përqendrimit afatgjatë të substancave prioritare në sedimente dhe biotë 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore kryen analizën e tendencës afatgjatë të përqendrimeve të substancave prioritare, të përcaktuara sipas nenit 67 të këtij ligji, që kanë prirjen të grumbullohen në sedimente ose biotë, duke u bazuar në rezultatet e monitorimit të statusit të ujërave sipërfaqësore të kryer në përputhje me nenin 41 të këtij ligji. 2. Me qëllim arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore në përputhje me nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që përqendrimet e substancave prioritare të përmendura në pikën 1 të këtij neni të mos rriten në mënyrë të konsiderueshme në sedimentet ose biotën përkatëse. 3. Institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave sipërfaqësore kryen çdo 3 vjet monitorimin e substancave prioritare në sedimente ose biotë, në mënyrë që të ofrojë të dhëna të mjaftueshme për kryerjen e analizës së tendencës afatgjatë, përveçse kur nga ana teknike justifikohet një tjetër interval kohor. Neni 73 Hartat shtesë 1. Krahas paraqitjes së statusit të përgjithshëm kimik dhe objektivave të cilësisë mjedisore në PMBL, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në nenet 53 dhe 71 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, përveç informacionit për substancat prioritare, substancat e rrezikshme prioritare, të përcaktuara sipas nenit 67 të këtij ligji, mund të sigurojë harta shtesë që paraqesin informacion për statusin kimik për një apo më shumë prej substancave të tjera të përcaktuara sipas nenit 67 të këtij ligji. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, mund të vendosë të përfshijë në planet e menaxhimit të baseneve lumore shkallën e devijimit nga vlera e standardit të cilësisë mjedisore për substancat e tjera, të përcaktuara sipas nenit 67 të këtij ligji. 3. Në rastet kur gjen zbatim pika 2 e këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron përputhshmërinë mes hartave të siguruara në nivel baseni lumor dhe në nivel baseni ndërkufitar. Neni 74 Monitorimi më pak intensiv Për substancat e përcaktuara në pikën 1 të nenit 72 të këtij ligji, institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave sipërfaqësore, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, mund të vendosë të ushtrojë monitorim më pak intensiv se ai që kërkohet për substancat prioritare, në përputhje me nenin 70 të këtij ligji, me kusht që ky monitorim të sigurojë një informacion të mjaftueshëm statistikor lidhur me praninë e atyre substancave në mjedisin ujor. Neni 75 Lista e vëzhgimit të substancave për t’u prioritizuar 36 dhe i substancave farmaceutike 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të sigurojë të dhëna lidhur me substancat që përfshihen në listën e vëzhgimit të substancave të Komisionit Evropian, të cilat mblidhen me qëllim prioritizimin në të ardhmen, duke shërbyer si të dhëna plotësuese për analizat dhe rishikimet, në kuadër të nenit 27 të këtij ligji, dhe programeve të monitorimit të përcaktuara në nenin 41 të këtij ligji. 2. Referuar pikës 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton listën kombëtare të vëzhgimit dhe mund të vendosë ta përditësojë atë duke përfshirë substancat e reja të identifikuara nga Komisioni Evropian. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton listën kombëtare të vëzhgimit, të hartuar sipas pikës 2 të këtij neni, brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 4. Për substancat e përfshira në listën kombëtare të vëzhgimit në përputhje me pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përmes institucionit përgjegjës për monitorimin e ujërave sipërfaqësore, sigurohet që monitorimi të fillojë brenda 6 muajve nga përfshirja e tyre në këtë listë. 5. Nëse për një substancë të caktuar të listës kombëtare të vëzhgimit sigurohen të dhëna të mjaftueshme, të krahasueshme dhe aktuale nga programet ekzistuese të monitorimit, institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave sipërfaqësore në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të vendosë të mos kryejë monitorim shtesë për atë substancë, me kusht që substanca të jetë monitoruar sipas një metodologjie që plotëson kërkesat e udhëzimeve përkatëse teknike të hartuara nga Komisioni Evropian. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron marrjen e masave për të trajtuar ndikimet e mundshme mjedisore të substancave farmaceutike, veçanërisht ato të përfshira në listën e vëzhgimit të substancave prioritare, në përputhje me masat e ndërmarra nga Komisioni Evropian, me qëllim reduktimin e shkarkimeve, emetimeve dhe humbjeve të substancave në mjedisin ujor, duke marrë parasysh nevojat e shëndetit publik dhe efikasitetin e masave të ndërmarra nga pikëpamja e kostove. Neni 76 Zonat e përziera 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të shpallë zonat e përziera në afërsi të pikave të shkarkimit të ujërave të ndotura në një trup ujor atëherë kur përqendrimet e një apo më shumë substancave prioritare ose substancave të rrezikshme, të përcaktuara sipas nenit 67 të këtij ligji, nuk cenojnë përputhshmërinë e pjesës tjetër të trupit ujor sipërfaqësor me ato standarde. 2. Në rastin e shpalljes së zonave të përziera në përputhje me pikën 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që në planet e menaxhimit të baseneve lumore të hartuara në përputhje me nenin 53 të këtij ligji të përfshihen: a) metodologjia e zbatuar për përcaktimin e këtyre zonave; b) masat e ndërmarra, me qëllim zvogëlimin e sipërfaqes së zonave të përziera në të ardhmen, si ato të parashikuara në nenet 47, 83 dhe 105 të këtij ligji. 3. Në rastin e shpalljes së zonave të përziera në përputhje me pikën 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që shtrirja e këtyre zonave të jetë: a) e kufizuar në afërsi të pikës së shkarkimit; b) proporcionale, duke pasur parasysh përqendrimet e ndotësve në pikën e shkarkimit dhe kushtet e emetimeve të ndotësve që parashikohen, sipas legjislacionit në fuqi, në përputhje me zbatimin e teknikave më të mira të disponueshme. Neni 77 Inventari i emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore krijon një inventar të emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve, ku përfshihen nëse janë të disponueshme hartat e emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve të të gjitha substancave prioritare dhe ndotësve, të përcaktuar sipas nenit 67 të këtij ligji, për çdo rajon të basenit lumor dhe për ato pjesë të rajonit ndërkufitar të basenit lumor që bie brenda territorit të 37 Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe përqendrimet e tyre në sedimente dhe biotë, duke u bazuar në informacionin e mbledhur, në përputhje me nenet 27 dhe 41 të këtij ligji, por edhe në të dhëna të tjera. 2. Periudhat përkatëse të referencës për vlerësimin e vlerave të ndotësve, sikurse edhe lista e substancave prioritare të parashikuara nga legjislacioni për produktet e mbrojtjes së bimëve, përfshihen në inventarin sipas pikës 1 të këtij neni. Inventari i krijuar në përputhje me pikën 1 të këtij neni përfshihet në planin e menaxhimit të basenit lumor përkatës. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron përditësimin e inventarit të hartuar në përputhje me këtë nen, si pjesë e rishikimeve dhe analizave të parashikuara në nenet 27 dhe 57 të këtij ligji. 4. Periudha e referencës për caktimin e vlerave në inventarin e përditësuar është viti që paraprin vitin e përfundimit të asaj analize, ndërsa për substancat prioritare të parashikuara në legjislacionin për produktet e mbrojtjes së bimëve, hyrjet në inventar mund të llogariten si mesatarja e 3 viteve përpara vitit të përfundimit të asaj analize. 5. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron përfshirjen e inventarit të përditësuar në planet e menaxhimit të baseneve lumore të përditësuara në përputhje me nenin 53 të këtij ligji. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i vë në dispozicion publikut dhe i përcjell Komisionit Evropian inventarët e hartuar sipas pikës 1 të këtij neni, përfshirë edhe periudhat përkatëse të referencës. Neni 78 Ndotja ndërkufitare 1. Mosarritja e standardeve të cilësisë së mjedisit nuk konsiderohet shkelje e dispozitave të këtij ligji, nëse Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore arrin të provojë se: a) mospërmbushja vjen si pasojë e burimit të ndotjes jashtë territorit të Shqipërisë; b) nuk ishte në gjendje që të merrte masa efikase për të siguruar plotësimin e standardit përkatës të cilësisë mjedisore për shkak të kësaj ndotjeje ndërkufitare, dhe c) ka zbatuar mekanizmin e koordinimit të përcaktuar në këtë ligji dhe i ka zbatuar dispozitat e neneve 23 dhe 24 të këtij ligji për ato ujëra që janë prekur nga ndotja ndërkufitare. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përdor mekanizmin e përcaktuar në nenin 52 të këtij ligji për të njoftuar Komisionin Evropian lidhur me rrethanat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni dhe përmbledhjen e masave të ndërmarra lidhur me ndotjen ndërkufitare në planet e menaxhimit të burimeve ujore përkatëse, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në nenin 53 të këtij ligji. Seksioni 2 Kontrolli i emetimeve të ujërave të ndotura nga burimet industriale Neni 79 Koordinimi i veprimtarive me autoritetet e tjera 1. Për arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuara sipas neneve 20 dhe 21 të këtij ligji, veçanërisht për të zbatuar programin e masave të përcaktuara në përputhje me nenin 44 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore: a) koordinon veprimtaritë e saj me veprimtaritë e autoriteteve të tjera përgjegjëse për lëshimin e lejeve mjedisore, të cilat ndikojnë në burimet ujore në rajonin e basenit lumor; b) merr pjesë në çdo procedurë të vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe vlerësimit të ndikimit strategjik mjedisor, që përfshin burimet ujore. 2. Për arritjen e statusit të mirë mjedisor të trupave ujorë, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr pjesë në procedurat e lëshimit të lejeve, të cilat ndikojnë në burimet ujore, që synojnë: a) parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes së trupave ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë nga burimet industriale; b) parandalimin, reduktimin dhe kontrollin e ndotjes së trupave ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë që vjen nga burime të tjera, të cilat nuk përfshihen në përkufizimin e veprimtarive industriale të përmendura në pikën 2 të nenit 80 të këtij ligji. 38 3. Për sa i përket zbatimit të pikës 2 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr pjesë, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionet e tjera përkatëse, në procedura dhe paraqet kërkesat e veta për t’u përfshirë në lëshimin e çdo leje mjedisore sa i përket përdorimit të trupave ujorë në çdo rajon të basenit lumor për: a) shfrytëzim për qëllime të ndryshme përdorimi; b) shkarkimin e ujërave të ndotura; c) shkarkimin e mbetjeve në apo mbi tokë, që ndikon ose mund të ndikojë në cilësinë e ujit të trupit ujor. Neni 80 Burimet industriale të ndotjes dhe ndotësit industrialë 1. Burimet industriale të përmendura në pikën 2 të nenit 79 të këtij ligji janë ato burime të përcaktuara në legjislacionin mjedisor për sa u përket kategorive të veprimtarive industriale dhe vlerave kufi të atyre instalimeve dhe veprimtarive industriale që në përgjithësi lidhen me produktin e kapaciteteve prodhuese. 2. Lista e substancave ndotëse që gjenerohen nga burimet industriale dhe ujërat e ndotura, e përmendur në pikën 2 të nenit 79 të këtij ligji, përcaktohet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, të cilat do të mbahen në konsideratë gjatë procesit të dhënies së lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burimet ujore lidhur me parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes së ujërave nga veprimtaritë industriale, duke përjashtuar shkarkimet e ujërave të ndotura urbane. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, miraton listën e substancave ndotëse, si dhe vlerat kufi të emetimeve të ujërave të ndotura nga burimet industriale jo më vonë se 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 81 Detyrimi për informim në rast aksidentesh 1. Në rast aksidentesh, të cilat kanë ndikim në burimet ujore, autoriteti përgjegjës për dhënien e lejeve mjedisore, të cilat ndikojnë në burimet ujore për operimin e një instalimi të caktuar, informon menjëherë Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore pasi është njoftuar nga subjekti për një ngjarje të tillë. 2. Informacioni i përcjellë në përputhje me pikën 1 të këtij neni duhet të përfshijë edhe masat e nevojshme që janë ndërmarrë ose planifikohen të ndërmerren për të kufizuar pasojat mjedisore në trupin ujor të prekur, si dhe masat që janë ndërmarrë apo planifikohen të ndërmerren për të parandaluar aksidente të tjera të mundshme. 3. Bazuar në informacionin e marrë sipas pikës 2 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të propozojë ndërmarrjen e masave plotësuese, të nevojshme për të kufizuar pasojat mjedisore të trupit ujor të prekur nga aksidenti dhe për të parandaluar aksidente të tjera të mundshme. Neni 82 Shkelja e kushteve të lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore 1. Në rast shkeljesh të kushteve të autorizimeve, lejeve, licencave dhe koncesioneve mjedisore të lidhura me burimet ujore, autoriteti përgjegjës për dhënien e autorizimit, lejes, licencës apo koncesionit mjedisor apo të lidhur me mjedisin, të cilat ndikojnë në burime ujore, për operimin e një instalimi të caktuar e informon menjëherë Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, pasi ka konstatuar një shkelje të tillë apo ka marrë dijeni nga burime të tjera. 2. Bazuar në informacionin e marrë sipas pikës 1 të këtij neni Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të propozojë ndërmarrjen e masave të përshtatshme, të cilat i konsideron si të nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me kushtet e autorizimit, lejes, licencës apo koncesionit. 3. Nëse shkelja e kushteve të autorizimeve, lejeve, licencave dhe koncesioneve mjedisore ose lidhur me mjedisin, siç përcaktohet në pikën 1 të këtij neni, rrezikon shëndetin e njerëzve ose të shkaktojë efekte negative të menjëhershme dhe të konsiderueshme në burime ujore dhe deri kur të sigurohet 39 përputhshmëria me kushtet e lejes, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i kërkon autoritetit përgjegjës për dhënien e lejes pezullimin e lejes së operimit të instalimit apo të një pjese të këtij instalimi. Neni 83 Parimet e përgjithshme për sa u përket burimeve ujore për dhënien e lejeve mjedisore për instalime të cilat kanë ndikim në burime ujore Lejet mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore për instalimet dhe veprimtaritë e përmendura në pikën 1 të nenit 79 të këtij ligji dhe burimet e tjera të ndotjes të përmendura në pikën 2 të nenit 79 të këtij ligji jepen vetëm me kusht që operimi i tyre të bazohet ndër të tjera në parimet e mëposhtme: a) janë ndërmarrë të gjitha masat e përshtatshme parandaluese kundër ndotjes së ujërave; b) është përdorur teknika më e mirë e disponueshme për sa i përket ndotjes së ujërave të prekura; c) nuk është shkaktuar asnjë ndotje e konsiderueshme e ujërave; ç) janë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e aksidenteve që prekin ujërat dhe për kufizimin e pasojave të tyre në mjedisin ujor; d) janë ndërmarrë masat e nevojshme pas përfundimit të veprimtarisë për të shmangur rrezikun e ndotjes së ujërave. Neni 84 Raporti teknik bazë - kërkesat për sa u përket burimeve ujore 1. Autoriteti përgjegjës për dhënien e lejeve mjedisore për një instalim të caktuar, veprimtaria e të cilit përfshin përdorimin, prodhimin ose çlirimin e substancave përkatëse të rrezikshme, të përcaktuara sipas nenit 67 të këtij ligji, dhe kur ka rrezik të kontaminimit të tokës dhe ujërave nëntokësore në vendndodhjen e instalimit, i përcjell Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore një kopje të raportit teknik të dorëzuar nga subjekti përpara fillimit të operimit. 2. Për sa i përket tokës dhe ujërave nëntokësore, raporti teknik bazë i dorëzuar nga subjekti përfshin, ndër të tjera, ku është e mundur, informacionin aktual për cilësinë e tokës dhe ujërave nëntokësore që pasqyrojnë gjendjen e tyre në kohën që është hartuar raporti ose matjet e reja të tokës dhe ujërave nëntokësore, duke marrë në konsideratë rrezikun e kontaminimit të tokës dhe ujërave nëntokësore nga substancat e rrezikshme që do të përdoren, prodhohen apo çlirohen nga instalimi përkatës. 3. Bazuar në raportin teknik bazë, të marrë sipas këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të kërkojë ndryshime të raportit teknik bazë. Neni 85 Përfundimi i veprimtarisë 1. Kur pas përfundimit të operimit të instalimit apo veprimtarisë, sipas përcaktimeve në pikën 1 të nenit 79 të këtij ligji, kontaminimi i tokës dhe ujërave nëntokësore në vendndodhjen e instalimit, krahasuar me gjendjen e paraqitur në raportin teknik të subjektit, përbën rrezik për jetën e njerëzve apo për burimet ujore, si pasojë e veprimtarive të kryera nga operatori, autoriteti përgjegjës për dhënien e lejes ka detyrimin ta informojë Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore për veprimet e ndërmarra apo që do të ndërmerren nga subjekti, me qëllim largimin, kontrollin, kufizimin apo reduktimin e substancave përkatëse të rrezikshme, duke pasur parasysh edhe përdorimin aktual apo të ardhshëm të vendndodhjes, në mënyrë që ajo të mos paraqesë më një rrezik të tillë. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore pas marrjes së informacionit, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të propozojë ndërmarrjen e veprimeve shtesë. 3. Kur subjekti nuk ka detyrim të përgatisë raport teknik, mund të kërkojë mendimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore për marrjen e masave të nevojshme me synim largimin, kontrollin, kufizimin ose reduktimin e substancave përkatëse të rrezikshme pas përfundimit të veprimtarisë. Masat merren duke pasur parasysh që përdorimi aktual apo i ardhshëm të mos paraqesë më një rrezik për shëndetin e njerëzve apo për mjedisin si pasojë e kontaminimit të tokës dhe ujërave nëntokësore nga veprimtaritë e kryera nga subjekti dhe duke marrë parasysh kushtet e vendndodhjes së instalimit. 40 Neni 86 Elementet për sa u përket burimeve ujore në kërkesën për leje mjedisore Kërkesa për marrjen e lejeve mjedisore, ndër të tjera, për sa u përket ujërave, duhet të përmbajë: a) burimet e emetimeve në burime ujore nga instalimi; b) natyrën dhe sasitë e emetimeve të parashikuara nga instalimi në burime ujore dhe identifikimin e efekteve në mjedisin ujor; c) teknologjinë e propozuar dhe teknika të tjera për parandalimin ose, kur nuk është e mundur, reduktimin e emetimeve nga instalimet në burime ujore; ç) masat e planifikuara për sigurimin e përputhshmërisë me kërkesat e përgjithshme të lejeve mjedisore, të përcaktuara në nenin 83 të këtij ligji; d) masat e planifikuara për monitorimin e emetimeve në burime ujore. Neni 87 Kërkesat specifike lidhur me burimet ujore të lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore Pas përfundimit të kontrollit formal të elementeve të kërkesës lidhur me ujërat, në përputhje me nenin 86 të këtij ligji, autoriteti përgjegjës për dhënien e lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore, ka detyrimin të përfshijë në lejen mjedisore edhe kërkesat specifike, të hartuara nga institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, të lidhura me: a) vlerat kufi të emetimeve për të gjitha substancat e përcaktuara sipas nenit 80 të këtij ligji, të cilat mund të emetohen në sasi të konsiderueshme në burime ujore nga instalimi përkatës, duke pasur parasysh natyrën dhe potencialin e tyre për ta transferuar ndotjen nga një zonë mjedisore në tjetrën; b) masat e përshtatshme që synojnë mbrojtjen e tokës dhe ujërave nëntokësore dhe masat e lidhura me monitorimin dhe menaxhimin e mbetjeve të gjeneruara nga instalimi; c) monitorimin e vlerave kufi të emetimeve për sa i përket: i. metodologjisë së matjes, frekuencës së matjeve dhe vlerësimit të rezultateve të matjeve; dhe ii. në rast se caktohen vlera kufi për emetimet, të ndryshme nga ato të parashikuara nga teknikat më të mira të disponueshme për sa u përket vlerave, periudhave kohore dhe kushteve referencë, duhet që rezultatet e monitorimit të emetimeve të jenë të disponueshme për të njëjtat periudha kohore dhe kushte reference, si për nivelet e emetimeve të parashikuara nga teknikat më të mira të disponueshme. ç) detyrimin e subjektit që t’i ofrojë rregullisht dhe të paktën mbi baza vjetore autoritetit përgjegjës për lejet mjedisore: i. informacion për rezultatet e monitorimit të emetimeve në burime ujore dhe tokë; dhe ii. në rast se vlerat kufi të emetimeve janë të ndryshme, përmbledhjen e rezultateve të monitorimit të emetimeve që mundëson krahasimin me nivelet e emetimeve të parashikuara nga teknikat më të mira të disponueshme. d) kërkesat e përshtatshme: i. për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e rregullt të masave të ndërmarra për parandalimin e emetimeve në tokë dhe ujëra nëntokësore, sipas shkronjës “b” të kësaj pike; dhe ii. lidhur me monitorimin periodik të tokës dhe ujërave nëntokësore për sa u përket substancave të rrezikshme përkatëse që mund të gjenden në terren, duke marrë parasysh mundësinë e kontaminimit të tokës dhe ujërave nëntokësore në vendndodhjen e instalimit. dh) masat lidhur me mbrojtjen e burimeve ujore për sa u përket kushteve të tjera, përveç kushteve të operimit normal, si aktiviteti fillestar dhe ndërprerja e punës, rrjedhjet, avaritë, pezullimet e çastit dhe ndërprerja përfundimtare e veprimtarisë; e) kushtet për vlerësimin e përputhshmërisë me vlerat kufi të emetimeve në burime ujore ose referenca ndaj kërkesave të zbatueshme, të përcaktuara në legjislacionin përkatës; 41 ë) kërkesa të tjera përkatëse lidhur me vlerat kufi të emetimeve në burime ujore, parametrat ekuivalent dhe masat teknike, sipas rastit, të nevojshme për arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore për burimet ujore, të përcaktuara në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji. Neni 88 Kërkesat e lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore lidhur me monitorimin Gjatë përcaktimit të kërkesave specifike lidhur me monitorimin e vlerave kufi të emetimeve në përputhje me shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 87 të këtij ligji, institucionet përgjegjëse për monitorimin e ujërave, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore: a) bazohen në përshkrimin e përfundimeve përkatëse të teknikave më të mira të disponueshme; b) përcaktojnë kërkesat periodike për secilin instalim; c) përcaktojnë frekuencat e monitorimit të detyrueshëm, i cili kryhet të paktën një herë në 5 vjet për ujërat nëntokësore dhe një herë në 10 vjet për tokën, përveçse kur monitorimi bazohet në vlerësimin sistematik të riskut të kontaminimit; ç) përcaktojnë masat shtesë që synojnë mbrojtjen e burimeve ujore dhe tokës që do të përfshihen në leje në rast se standardi i cilësisë së mjedisit kërkon kushte më shtrënguese se ato të parashikuara nga teknikat më të mira të disponueshme. Neni 89 Ndryshimi i kushteve të lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore Kushtet dhe kërkesat e lejeve mjedisore të përcaktuara në nenet 87 dhe 88 të këtij ligji gjejnë zbatim edhe në rastet kur: a) subjektet bëjnë ndryshime të instalimit; b) autoriteti përgjegjës për dhënien e lejeve mjedisore bën rishikimin dhe përditësimin e kushteve të lejes. Neni 90 Kërkesat specifike të lejeve për impiantet e incenerimit dhe bashkincenerimit të mbetjeve në lidhje me burimet ujore Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me parashikimet e nenit 80 të këtij ligji, përcakton kërkesat specifike lidhur me kushtet e lejeve mjedisore për kontrollin e emetimeve, monitorimin e emetimeve, përputhshmërinë me vlerat kufi të emetimeve, ndryshimin e funksionimit dhe çështje të tjera lidhur me burimet ujore, të cilat autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre i përfshin ato në lejen përkatëse. Neni 91 Kërkesat specifike në lidhje me burimet ujore të lejeve për instalimet dhe veprimtaritë që përdorin tretës organikë Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me parashikimet e nenit 80 të këtij ligji, përcakton kërkesat specifike lidhur me kushtet e lejeve që synojnë mbajtjen nën kontroll të emetimeve aksidentale lidhur me burimet ujore, të cilat autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre i përfshin në lejen përkatëse. Neni 92 Kërkesat specifike në lidhje me burimet ujore për instalimet që prodhojnë dyoksid titani 42 Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me parashikimet e nenit 80 të këtij ligji, përcakton kërkesat specifike lidhur me kushtet e lejeve që synojnë mbajtjen nën kontroll të shkarkimit të ujërave të ndotura në burime ujore, mbajtjen nën kontroll të emetimeve në ujëra dhe monitorimin e emetimeve, të cilat autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre i përfshin në lejen përkatëse. Neni 93 Rregullat e përgjithshme të detyrueshme Në rastet kur autoriteti përgjegjës për dhënien e lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore, në përputhje me këtë ligj, vendos të hartojë dhe miratojë rregulla të përgjithshme të detyrueshme, të cilat synojnë standardizimin e kushteve të lejes për disa veprimtari apo instalime të caktuara, i kërkon Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore të përcaktojë kërkesat specifike në lidhje me burimet ujore për t’u përfshirë në këto rregulla. Neni 94 Inspektimi për mbrojtjen e mjedisit Struktura përgjegjëse për inspektimin në mjedis për kushtet e lejeve mjedisore sipas legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit bashkërendon punën me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore për përcaktimin e të gjitha elementeve të tilla, si: objektin, planifikimin, zbatimin e programeve, lidhur me inspektimet për mbrojtjen e mjedisit që gjejnë zbatim për burimet ujore, duke u bazuar në planet, vlerësimet sistematike të risqeve mjedisore, shkeljet e kushteve dhe kërkesave të autorizimeve, lejeve, licencave dhe koncesioneve, inspektimeve të paplanifikuara, të kryera me qëllim hetimin e shkeljeve të rënda mjedisore, aksidenteve të rënda mjedisore, si dhe ngjarjeve të tjera të kësaj natyre. Neni 95 Pjesëmarrja e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në procedurat e vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe vlerësimit strategjik mjedisor 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr pjesë përmes dhënies së mendimit në çdo procedurë për vlerësimin e ndikimit mjedisor kur veprimtaria, instalimi i propozuar ka ndikim në burime ujore, në përputhje me legjislacionin për vlerësimin e ndikimit mjedisor. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore merr pjesë përmes dhënies së mendimit në çdo procedurë për vlerësimin strategjik mjedisor kur plani apo strategjia e propozuar ka ndikim në burime ujore në përputhje me legjislacionin për vlerësimin strategjik mjedisor. Seksioni 3 Kontrolli i ndotjes nga shkarkimet e ujërave të ndotura urbane Neni 96 Kompetenca e autoriteteve Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore dhe autoritete të tjera, përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, furnizimin me ujë dhe kanalizime, si dhe për bujqësinë janë përgjegjëse për veprimtaritë e përcaktuara në nenet 97-126 të këtij ligji, me qëllim mbrojtjen e mjedisit nga efektet negative të shkarkimit të ujërave të ndotura urbane, të grumbulluara dhe të trajtuara, si dhe të shkarkimit të ujërat e ndotura industriale të trajtuara. Neni 97 Detyrimi i ofrimit të sistemeve të kanalizimeve për trajtimin e ujërave të ndotura urbane 43 1. Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore kanë detyrimin të sigurojnë se për të gjitha aglomeratet të ketë një sistem kanalizimesh për ujërat e ndotura urbane: a) jo më vonë se 15 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji për ato me njëvlerës popullsie (nj.p.) më të madh se 15.000; dhe b) jo më vonë se 10 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji për ato me nj.p. nga 2.000 deri në 15.000. 2. Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore sigurohen që sistemi i kanalizimeve i ujërave të ndotura urbane që shkarkohen në ujërat pritëse, të cilat konsiderohen si “zona të ndjeshme”, në kuptim të këtij ligji, është funksional për aglomerate me nj.p. më të madh se 10.000, jo më vonë se 8 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 3. Kur ndërtimi i sistemit të kanalizimeve nuk justifikohet pasi nuk do të kishte përfitime mjedisore ose do të kërkonte kosto shtesë, autoritetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore sigurohen që do të përdoren sisteme individuale apo sisteme të tjera të përshtatshme që arrijnë të njëjtin nivel mbrojtjeje mjedisore. 4. Kërkesat dhe standardet për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve, sipas këtij neni, përcaktohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ujësjellës-kanalizimet. 5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton kërkesat dhe standardet për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve, sipas pikës 4 të këtij neni, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 98 Detyrimi për të siguruar trajtimin dytësor 1. Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore sigurohen që ujërat e ndotura urbane, të cilat hyjnë në sistemet e kanalizimeve t’i nënshtrohen përpara shkarkimit trajtimit dytësor apo një prej trajtimeve të barasvlershme: a) jo më vonë se 20 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji për të gjitha shkarkimet nga aglomeratet me nj.p. më të madh se 15.000; b) jo më vonë se 15 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji për të gjitha shkarkimet nga aglomeratet me nj.p. nga 10.000 deri në 15.000; c) jo më vonë se 10 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji për të gjitha shkarkimet nga aglomeratet me nj.p. nga 2.000 deri në 10.000. 2. Shkarkimet e ujërave të ndotura në trupa ujorë, që ndodhen në rajone të larta malore mbi 1.500 m mbi nivelin e detit, ku është e vështirë të kryhet trajtimi biologjik për shkak të temperaturave të ulëta, mund t’u nënshtrohen trajtimeve më pak shtrënguese se ato të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, me kusht që studimet e detajuara të provojnë se këto shkarkime nuk ndikojnë negativisht në mjedis. 3. Kriteret e shkarkimit të ujit të trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane të përshkruara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, hartohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ujësjellës-kanalizimet. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton kriteret e shkarkimeve nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane, sipas pikës 3 të këtij neni, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 99 Zonat e ndjeshme 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon të gjitha zonat e ndjeshme në çdo rajon baseni lumor apo liqenor në territorin e Shqipërisë. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që identifikimi i zonave të ndjeshme të rishikohet në intervale kohore jo më të gjata se 4 vjet. 44 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që zonat e identifikuara si zona të ndjeshme, sipas rishikimit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, të plotësojnë kërkesat e pikave 2, 4 dhe 5 të këtij neni brenda 7 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 4. Autoritetet kompetente të njësisë së vetëqeverisjes vendore sigurohen që ujërat e ndotura urbane që hyjnë në sistemet e kanalizimeve, përpara se të shkarkohen në zonat e ndjeshme, t’u nënshtrohen trajtimeve më shtrënguese se ato të parashikuara në nenin 98 të këtij ligji, jo më vonë se 15 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji, për të gjitha shkarkimet nga aglomerate me nj.p. më të madh se 10.000. 5. Shkarkimi i ujit të trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane, të cilat kryhen në ujëra pritëse, që konsiderohen si zona të ndjeshme, në përputhje me parashikimet e pikës 2 të nenit 97 duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në përputhje me nenin 98 të këtij ligji. 6. Kërkesat për impiantet individuale të përcaktuara sipas pikave 1 dhe 2 të nenit 97 të këtij ligji mund të mos zbatohen për ato zona të ndjeshme për të cilat tregohet se përqindja minimale e reduktimit të ngarkesës së përgjithshme që hyn në të gjitha impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në atë zonë është të paktën 75% e fosforit total dhe të paktën 75% e azotit total. 7. Shkarkimi i ujit të trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane, të cilat ndodhen në zonën përkatëse ujëmbledhëse të zonave të ndjeshme dhe që kontribuojnë në ndotjen e këtyre zonave janë subjekt i pikave 2 deri në 4 të këtij neni. 8. Kriteret për identifikimin e zonave të ndjeshme përcaktohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 9. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, shpall zonat e ndjeshme për çdo rajon baseni lumor apo liqenor, brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 10. Identifikimi i zonave të ndjeshme për qëllimet e këtij kreu nuk është i nevojshëm nëse trajtimi i ujërave të ndotura, sipas përcaktimeve nga pikat 2 deri në 5 të këtij neni, kryhet në të gjithë territorin e Shqipërisë. Neni 100 Zonat më pak të ndjeshme 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon zonat më pak të ndjeshme në çdo rajon baseni lumor apo liqenor në territorin e Republikës së Shqipërisë. Identifikimi i zonave më pak të ndjeshme rishikohet në intervale kohore jo më të gjata se 4 vjet. 2. Ujërat e ndotura urbane të shkarkuara nga aglomerate me nj.p. midis 10.000 dhe 150.000 në ujërat bregdetare dhe ato të shkarkuara nga aglomerate me nj.p. midis 2.000 dhe 10.000 në estuare që ndodhen në zonat e identifikuara sipas pikës 1 të këtij neni, mund t’i nënshtrohen një trajtimi më pak shtrëngues se ai që parashikohet në nenin 98 të këtij ligji, me kusht që: a) këto shkarkime t’i nënshtrohen të paktën trajtimit parësor; b) studimet të tregojnë se këto shkarkime nuk ndikojnë negativisht në mjedis. 3. Për ato zona të cilat nuk identifikohen më si zona më pak të ndjeshme, ujërat e ndotura urbane të shkarkuara u nënshtrohen kërkesave të parashikuara në nenin 98 të këtij ligji brenda 7 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 4. Kriteret për identifikimin e zonave më pak të ndjeshme përcaktohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Kryeministrit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, shpall zonat më pak të ndjeshme për çdo rajon baseni lumor apo liqenor brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 101 Detyrimi për të siguruar trajtimin e përshtatshëm Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore sigurohen që, brenda 10 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ujërat e ndotura urbane që hyjnë në sistemet e kanalizimeve, përpara shkarkimit, t’i nënshtrohen trajtimit të përshtatshëm, në rastet e mëposhtme: a) për shkarkime në ujëra të ëmbla dhe estuare nga aglomeratet me nj.p. më të vogël se 2.000; 45 b) për shkarkime në ujëra bregdetare nga aglomeratet me nj.p. më të vogël se 10.000. Neni 102 Zgjatja e afateve 1. Në raste përjashtimore, afatet kohore të përcaktuara sipas pikës 1, të nenit 98, të këtij ligji, mund të zgjaten për shkak të problemeve teknike dhe për aglomerate të caktuara, por në çdo rast, jo më shume se 10 vjet nga afati i parashikuar sipas nenit 98, të këtij ligji. 2. Në çdo rast, zgjatja e afateve sipas përcaktimeve të nenit 1, të këtij ligji, duhet të shoqërohet me një raport të përgatitur nga ministria përgjegjëse për ujësjellës-kanalizimet, i cili përmban arsyet e vështirësive teknike të hasura dhe propozimin e një programi veprimi me një afat kohor të rishikuar. 3. Në rrethana të jashtëzakonshme, kur provohet se trajtimi më i avancuar nuk do të sillte përfitime mjedisore, shkarkimet e ujërave të ndotura nga aglomeratet me nj.p. më të vogël se 150.000 në zonat më pak të ndjeshme mund t’i nënshtrohen trajtimit të parashikuar në nenin 116, të këtij ligji, për ujërat e ndotura nga aglomerate me nj.p. midis 10.000 dhe 150.000. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i vë në dispozicion publikut të gjithë informacionin përkatës lidhur me zgjatjet e afateve kohore në përputhje me këtë nen. Neni 103 Efektet negative ndërkufitare 1. Kur burimet ujore në juridiksionin territorial të Republikës së Shqipërisë janë ndikuar negativisht nga shkarkimet e ujërave urbane të një shteti tjetër, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i kërkon ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme që ta njoftojë shtetin tjetër për këtë fakt ose t’i kërkojë bashkëpunim për identifikimin e shkarkimeve në fjalë dhe të masave që duhen ndërmarrë në burim për mbrojtjen e ujërave që janë ndikuar. 2. Pika 1 e këtij neni gjen zbatim edhe në rastet e shkarkimit të ujit të trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane, të cilat ndodhen plotësisht ose pjesërisht në një shtet tjetër në zonën përkatëse ujëmbledhëse të zonës së ndikuar dhe kontribuojnë në ndotjen e këtyre zonave. Neni 104 Kërkesat e përgjithshme për impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane 1. Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore sigurohen që impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane, të ndërtuara në zbatim të neneve 98-101, të këtij ligji, të jenë projektuar, ndërtuar dhe të operojnë e mirëmbahen për të siguruar funksionim të kënaqshëm në kushte normale klimatike të zonës. 2. Gjatë projektimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura merren parasysh edhe prurjet nga luhatjet e stinës. Neni 105 Shkarkimi i ujërave të ndotura industriale në sistemet e kanalizimeve të ujërave të ndotura urbane Veprimtaria e shkarkimit të ujërave të ndotura industriale në sistemet e kanalizimeve dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane është subjekt i dhënies së lejes mjedisore nga autoriteti përgjegjës, e cila përfshin edhe kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me dispozitat e neneve 79–95, të këtij ligji, lidhur me vlerat kufi të emetimeve. 46 Neni 106 Shkarkimi i ujit të trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane 1. Uji i trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane do të ripërdoret kurdo që shihet e përshtatshme. Mënyrat dhe proceset mbetëse si efekt i ripërdorimit duhet të minimizojnë efektet negative në mjedis. 2. Uji i trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane lejohet të shkarkohet në mjedis pritës vetëm me leje apo autorizim nga organet e menaxhimit të burimeve ujore. Gjithashtu, gjatë miratimit të lejeve apo të autorizimeve mjedisore, për operimin e këtyre impianteve, organet kompetente duhet të përfshijnë edhe kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore lidhur me vlerat kufi të shkarkimeve, në përputhje me dispozitat e neneve 79–95 të këtij ligji. 3. Leja apo autorizimi mjedisor, i përmendur në pikën 2 të këtij neni, që ka të bëjë me shkarkimet e ujit të trajtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane, në ujëra të ëmbla dhe estuare për aglomerate me nj.p. nga 2.000 deri në 10.000 në rast dhe shkarkime te të gjitha llojet e mjediseve pritëse për aglomerate më të mëdha ose të barabartë me 10.000 nj.p. duhet të përmbushë kërkesat e përcaktuara sipas neneve 97 deri në 101 të këtij ligji. Neni 107 Shkarkimi i ujërave të ndotura industriale me ngarkesë organike 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, përcakton listën e industrive që gjenerojnë ujëra të ndotura me ngarkesë organike. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton listën e industrive sipas pikës 1 të këtij neni brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 3. Ujërat e ndotura industriale me ngarkesë organike më të madhe ose të barabartë me 4000 nj.p., që nuk trajtohen në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe që gjenerohen nga industritë e përcaktuara sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, veprimtaria e shkarkimit të tyre duhet të respektojë kushtet e lejes apo autorizimit mjedisor, ku përfshihen edhe kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore lidhur me vlerat kufi të emetimeve në përputhje me dispozitat e neneve 79-95 të këtij ligji. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetin përgjegjës për dhënien e lejes apo autorizimit mjedisor, sipas pikës 3 të këtij neni, sigurohet që të gjitha subjektet e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura industriale të pajisen me lejet ose autorizimet nga organet e menaxhimit të burimeve ujore dhe ato mjedisore përkatëse. 5. Kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore lidhur me vlerat kufi të emetimeve duhet t’i përshtaten natyrës së industrisë përkatëse. Neni 108 Llumi nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane 1. Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore sigurohen që llumi i gjeneruar nga trajtimi i ujërave të ndotura urbane të ripërdoret kurdo që shihet e përshtatshme. 2. Autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore sigurohen që largimi i llumit të ketë sa më pak ndikime negative në mjedis. 3. Veprimtaria e largimit të llumit të gjeneruar nga trajtimi i ujërave të ndotura rregullohet sipas legjislacionit për menaxhimin e mbetjeve. Neni 109 Monitorimi i shkarkimit të ujërave të ndotura dhe largimit të llumit 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përmes informacionit të marrë nga institucioni përgjegjës për monitorimin e mjedisit merr masa për kontrollin e: 47 a) shkarkimeve nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë me kërkesat e lejes përkatëse, në zbatim të neneve 97–108 të këtij ligji; b) sasive dhe përbërjes së llumit që shkarkohet në sipërfaqe ujore. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron ushtrimin e kontrollit të shkarkimeve nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe shkarkimet e drejtpërdrejta, në përputhje me nenin 107 të këtij ligji, në rastet kur pritet që mjedisi pritës do të ndikohet në mënyrë të konsiderueshme. 3. Në rast shkarkimesh që janë subjekt i dispozitave të nenit 116 të këtij ligji, dhe në rast të shkarkimit të llumit në sipërfaqe ujore, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron kontrollin e shkarkimeve dhe kryerjen e studimeve relevante për të verifikuar që llumi nuk ndikon negativisht në mjedis. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore duhet të vendosë në dispozicion të publikut informacionin e mbledhur në përputhje me pikat 1-3 të këtij neni. Neni 110 Detyrimi për të raportuar Ministria përgjegjëse për mjedisin harton raportin përmbledhës për gjendjen aktuale të shkarkimit të ujërave të ndotura dhe largimin e llumit në territorin e Shqipërisë, e publikon atë dhe e dërgon pranë Agjencisë Evropiane të Mjedisit çdo 2 vjet, duke filluar nga botimi i raportit të parë. Seksioni 4 Kontrolli i ndotjes nga burimet jopikësore (difuze) Neni 111 Zonat vulnerabël 1. Me qëllim reduktimin e ndotjes së burimeve ujore, të shkaktuar nga nitratet me origjinë bujqësore dhe parandalimin e mëtejshëm të kësaj ndotjeje, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon burimet ujore të ndikuara apo që mund të ndikohen nga ndotja, nëse nuk ndërmerren veprimet në zbatim të neneve 114 dhe 115 të këtij ligji. 2. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit shpall si zona vulnerabël të gjitha zonat tokësore në territorin e Republikës së Shqipërisë, që drenojnë në burimet ujore të identifikuara, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, dhe që kontribuojnë në ndotje. 3. Zonat vulnerabël të shpallura sipas pikës 2 të këtij neni, të shoqëruara me hartat përkatëse për çdo basen lumor apo liqenor, publikohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore brenda 6 muajve pas shpalljes së tyre. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore duhet të rishikojë dhe përditësojë zonat e shpallura vulnerabël, sipas nevojës të paktën çdo 4 vjet dhe duke marrë parasysh ndryshimet dhe faktorët e paparashikueshëm në kohën e shpalljes fillestare. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon informacionin për çdo rishikim apo përditësim lidhur me shpalljen brenda 6 muajve nga shpallja e përditësimit. 5. Nëse programi apo programet e veprimit të përmendura në pikën 2 të nenit 114 të këtij ligji janë hartuar dhe zbatohen aktualisht për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nuk është i nevojshëm identifikimi i zonave vulnerabël në përputhje me parashikimet e këtij neni. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, harton kriteret dhe kërkesat për mbrojtjen e ujërave nga nitratet me origjinë bujqësore. 7. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton kriteret dhe kërkesat për mbrojtjen e ujërave nga nitratet me origjinë bujqësore, jo më vonë se 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 112 Ndotja ndërkufitare Kur ndonjë prej burimeve ujore të identifikuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në përputhje me pikën 1 të nenit 111 të këtij ligji, ndikohet nga burimet ujore të një shteti tjetër që 48 shkarkohen drejtpërdrejt apo tërthorazi në to, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore informon Komisionin e Posaçëm për Menaxhimin e Ujërave Ndërkufitare që të njoftojë shtetin përkatës për këtë fakt, duke i kërkuar ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta për identifikimin e burimeve të ndotjes në fjalë dhe masave për mbrojtjen e burimeve ujore të prekura. Neni 113 Kodi i praktikave të mira bujqësore 1. Ministria përgjegjëse për bujqësinë, me qëllim parashikimin e nivelit të përgjithshëm të mbrojtjes kundër ndotjes për të gjitha burimet ujore, brenda 2 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji: a) harton kodin apo kodet e praktikave të mira bujqësore, që do të zbatohen nga fermerët në mënyrë vullnetare; b) krijon, kur është e nevojshme, një program që përfshin ofrimin e trajnimeve dhe informacioneve për fermerët, promovimin e zbatimit të kodit apo kodeve të praktikave të mira bujqësore. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, përcakton elementet minimale që duhet të përmbajë kodi i praktikave të mira bujqësore. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton elementet minimale, të përcaktuara sipas pikës 2 të këtij neni, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 114 Programet e veprimit 1. Me qëllim arritjen e objektivave të përcaktuar në pikën 1 të nenit 111 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, harton dhe publikon programet e veprimit lidhur me zonat e shpallura vulnerabël: a) brenda një periudhe prej 2 vjetësh pas shpalljes fillestare të zonave vulnerabël, në përputhje me pikat 1 dhe 2 të nenit 111 të këtij ligji; ose b) brenda 1 viti nga secila shpallje, në përputhje me pikën 4 të nenit 111 të këtij ligji. 2. Programi i veprimit, i përmendur në pikën 1 të këtij neni, mund të lidhet me të gjitha zonat vulnerabël në territorin e Shqipërisë ose, kur është e përshtatshme, mund të hartohen programe të ndryshme për zona të ndryshme vulnerabël apo pjesë të ndryshme të këtyre zonave. 3. Programi i veprimit i përmendur në pikën 1 të këtij neni merr parasysh: a) të dhënat e disponueshme shkencore dhe teknike lidhur kryesisht me kontributin e azotit në ndotje, me origjinë bujqësore apo burime të tjera; b) kushtet mjedisore në rajonet përkatëse të Republikës së Shqipërisë. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, përcakton elementet udhëzuese për identifikimin e masave, të cilat do të përfshihen në programet e veprimit. 5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton elementet udhëzuese për identifikimin e masave, të përcaktuara sipas pikës 4 të këtij neni, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 115 Masat për zbatimin e programit të veprimit 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, sigurohet që programet e veprimit të përmendura në nenin 114 të këtij ligji, të zbatohen brenda një periudhe 4-vjeçare pas miratimit të tyre dhe të përmbajnë minimalisht: a) masat e përcaktuara në zbatim të pikës 5 të nenit 114 të këtij ligji; b) masat e përcaktuara në zbatim të pikës 3 të nenit 113 të këtij ligji, përveç atyre që janë përcaktuar në përputhje me nenin 129 të këtij ligji. 2. Në kuadër të programeve të veprimit të përmendura në nenin 114 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, sigurohet që 49 të merren të gjitha masat shtesë ose veprime përforcuese, kur është e nevojshme, në fillim ose gjatë zbatimit të programeve të veprimit, duke argumentuar se masat e përcaktuara sipas pikës 1 të këtij neni, janë të pamjaftueshme për arritjen e objektivit të përmendur në pikën 1 të nenit 111 të këtij ligji. 3. Gjatë përcaktimit të këtyre masave apo veprimeve, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe ministria përgjegjëse për bujqësinë marrin parasysh efikasitetin dhe koston e tyre, krahasuar me masa të tjera të mundshme parandaluese. Neni 116 Programet e monitorimit për vlerësimin e programeve të veprimit 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit dhe ujërave nëntokësore, harton, miraton dhe ndjek zbatimin e programeve të përshtatshme të monitorimit, që ndihmojnë për vlerësimin e efikasitetit të programeve të veprimit të hartuara sipas nenit 114 të këtij ligji. 2. Nëse një program veprimi, i përmendur në pikën 2 të nenit 114 të këtij ligji, lidhet me të gjitha zonat vulnerabël në territorin e Shqipërisë, institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit dhe ujërave nëntokësore monitorojnë përmbajtjen e nitrateve në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore në pikat e përzgjedhura të matjes, të cilat mundësojnë përcaktimin e normës së ndotjes së ujërave nga nitratet me origjinë bujqësore. Neni 117 Monitorimi parapërgatitor që synon rishikimin dhe shpalljen e zonave vulnerabël 1. Për qëllimet e shpalljes dhe rishikimit të shpalljes së zonave vulnerabël, të identifikuara në përputhje me nenin 111 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit dhe ujërave nëntokësore siguron: a) monitorimin e përqendrimeve të nitrateve në ujërat e ëmbla për një periudhë 1-vjeçare; b) përsëritjen e programit të monitorimit të përmendur në shkronjën “a” të kësaj pike të paktën çdo 4 vjet, përveç atyre stacioneve të kampionimit, ku përqendrimet e nitrateve në të gjitha kampionet e mëparshme kanë qenë nën 25 mg/l dhe nuk ka dalë asnjë faktor i ri që mund të rrisë përmbajtjen e nitrateve, rast ky për të cilin programi i monitorimit duhet përsëritur vetëm një herë në 8 vjet; c) shqyrtimin e gjendjes eutrofike të ujërave të ëmbla sipërfaqësore, estuariale dhe bregdetare të Shqipërisë çdo 4 vjet. 2. Për qëllimet e matjeve në përputhje me pikën 1 të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit dhe ujërave nëntokësore përcakton metodat referencë të matjeve. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton metodat referencë të përcaktuara sipas pikës 2 të këtij neni brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. KREU X VLERËSIMI DHE MENAXHIMI I RISKUT NGA PËRMBYTJET DHE MBROJTJA NGA PËRMBYTJET Neni 118 Parimi bazë Vlerësimi dhe menaxhimi i riskut nga përmbytjet bazohet në parimin e solidaritetit dhe duhet të koordinohet në nivel baseni lumor, me qëllim minimizimin e pasojave negative për shëndetin e njerëzve, mjedisin, trashëgiminë kulturore, veprimtarinë ekonomike dhe infrastrukturën. 50 Neni 119 Vlerësimi paraprak i riskut nga përmbytjet 1. Për çdo basen lumor apo liqenor apo pjesë të një rajoni lumor ndërkufitar që bie në territorin e Shqipërisë, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore kryen vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet në përputhje me pikat 2 dhe 3 të këtij neni. 2. Vlerësimi paraprak i riskut nga përmbytjet kryhet bazuar në informacionin e disponueshëm, siç janë të dhënat dhe studimet për zhvillimet afatgjata dhe në veçanti ndikimet e ndryshimeve klimatike në rastin e ndodhjes së përmbytjeve. 3. Në rastin e rajoneve të baseneve lumore apo liqenore ndërkombëtare, të cilat ndahen me shtetet fqinje, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron shkëmbimin e informacionit me autoritetet kompetente përkatëse të atyre shteteve. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton dhe dërgon për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet në përputhje me këtë nen brenda 2 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 5. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet. Neni 120 Elementet e vlerësimit paraprak të riskut nga përmbytjet 1. Vlerësimi paraprak i riskut nga përmbytjet përfshin të paktën elementet e mëposhtme: a) hartat e rajonit të basenit lumor në shkallën e përshtatshme, duke përfshirë kufijtë e baseneve lumore, nënbaseneve dhe, kur është rasti, zonat bregdetare, si dhe topografinë e përdorimin e tokës; b) përshkrimin e përmbytjeve që kanë ndodhur në të shkuarën dhe që kanë pasur ndikime negative të konsiderueshme për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe veprimtarinë ekonomike dhe të cilat kanë gjasa të përsëriten në të ardhmen, duke përfshirë shkallën e përmbytjeve, rrugët e përhapjes dhe vlerësimin e ndikimeve negative që kanë sjellë; c) përshkrimin e përmbytjeve madhore që kanë ndodhur në të shkuarën, ku mund të parashikohen pasoja negative të konsiderueshme për ngjarje të ngjashme në të ardhmen. 2. Vlerësimi paraprak i riskut nga përmbytjet, në rastet kur ka një nevojë specifike për këtë, përfshin vlerësimin e pasojave të mundshme negative të përmbytjeve në të ardhmen për shëndetin e njerëzve, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe veprimtarinë ekonomike, duke marrë parasysh sa më shumë të jetë e mundur çështje të tilla, si: topografia, pozicioni i rrjedhave ujore dhe karakteristikat e tyre të përgjithshme hidrologjike dhe gjeomorfologjike, përfshirë edhe zonat e përmbytura, si zonat natyrore ujëmbajtëse, efikasitetin e infrastrukturës ekzistuese për mbrojtjen nga përmbytjet të ndërtuara nga njeriu, pozicionin e zonave të populluara, zonat e veprimtarisë ekonomike dhe zhvillimet afatgjata, përfshirë ndikimin e ndryshimeve klimatike në ngjarjet e përmbytjeve. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton elementet e metodologjisë për kryerjen e vlerësimit paraprak të riskut nga përmbytjet. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton elementet e metodologjisë për kryerjen e vlerësimit paraprak të riskut nga përmbytjet, të hartuara sipas pikës 3 të këtij neni, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 121 Identifikimi i risqeve nga përmbytjet 1. Në bazë të vlerësimit paraprak të riskut nga përmbytjet, të miratuar në zbatim të nenit 119 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për çdo rajon të basenit lumor apo pjesë të rajonit të basenit lumor ndërkufitar, që bie në territorin e Shqipërisë, identifikon ato zona për të cilat arrihet në përfundimin se ekziston një risk i konsiderueshëm nga përmbytjet ose për të cilat gjykohet se përmbytjet kanë shumë gjasa që të ndodhin. 2. Për identifikimin e zonave, sipas pikës 1 të këtij neni, që i përkasin rajonit të basenit lumor ndërkufitar, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore koordinon veprimtarinë e saj me shtetin përkatës. 51 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore identifikon zonat për të cilat ekziston risk i konsiderueshëm nga përmbytjet ose për të cilat gjykohet se përmbytjet kanë shumë gjasa që të ndodhin, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, dhe harton metodologjinë për përgatitjen e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të riskut nga përmbytjet brenda 3 muajve nga miratimi i vlerësimit paraprak të riskut nga përmbytja, sipas pikës 4 të nenit 119. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton zonat për të cilat ekziston risk i konsiderueshëm nga përmbytjet ose për të cilat gjykohet se përmbytjet kanë shumë gjasa që të ndodhin dhe metodologjinë për përgatitjen e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të riskut nga përmbytjet, në përputhje me pikën 3 të këtij neni, brenda 6 muajve nga miratimi i vlerësimit paraprak të riskut nga përmbytja, sipas pikës 4 të nenit 119. 5. Përgatitja e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të riskut nga përmbytjet për zonat e identifikuara sipas këtij neni, të cilat janë pjesë e një rajoni të basenit lumor ndërkufitar duhet të realizohet në vijimësi të bashkëpunimit me autoritetet kompetente të shtetit përkatës. Neni 122 Hartat e rrezikut nga përmbytjet 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bazë të vlerësimit të riskut nga përmbytjet, për çdo rajon të basenit lumor apo pjesë të rajonit të basenit lumor ndërkufitar, që bie në territorin e Shqipërisë, përgatit hartat e rrezikut nga përmbytjet për zonat e identifikuara sipas pikës 4 të nenit 121 të këtij ligji. 2. Hartat e rrezikut nga përmbytjet mbulojnë zonat gjeografike që mund të përmbyten sipas skenarëve të mëposhtëm: a) përmbytje me probabilitet të ulët ose skenarë të ngjarjeve ekstreme; b) përmbytje me probabilitet mesatar, me periudhë përsëritjeje prej ≥ 100 vjetësh; c) përmbytje me probabilitet të lartë, kur shihet e përshtatshme. 3. Për çdo skenar të përmendur në pikën 2 të këtij neni, merren parasysh elementet e mëposhtme: a) shtrirja e përmbytjes; b) thellësia e ujit ose niveli i ujit, kur është e përshtatshme; c) shpejtësia e prurjes apo rrjedha përkatëse e ujit, kur është e përshtatshme. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për zonat bregdetare, ku niveli i mbrojtjes është i përshtatshëm, mund të përgatisë hartat e rrezikut nga përmbytjet vetëm për skenarin e përmendur në shkronjën “a” të pikës 2 të këtij neni. 5. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për zonat ku përmbytjet vijnë nga burimet nëntokësore, mund të përgatisë hartat e rrezikut nga përmbytjet vetëm për skenarin e përmendur në shkronjën “a” të pikës 2 të këtij neni. 6. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me propozimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore miraton hartat e rrezikut nga përmbytjet. Neni 123 Hartat e riskut nga përmbytjet 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me autoritete të tjera, në bazë të vlerësimit të riskut nga përmbytjet për çdo rajon të basenit lumor apo pjesë të rajonit të basenit lumor ndërkufitar, që bie në territorin e Republikës së Shqipërisë, përgatit hartat e riskut nga përmbytjet për zonat e identifikuara, sipas pikës 4 të nenit 121 të këtij ligji. 2. Hartat e riskut nga përmbytjet tregojnë pasojat e mundshme negative, që sjellin skenarët e përmbytjeve të përmendur në pikën 2 të nenit 122 të këtij ligji, të shprehur në: a) numrin tregues të banorëve që mund të preken; b) llojin e veprimtarisë ekonomike të zonës që mund të preket; c) instalimet që mund të shkaktojnë ndotje aksidentale në rast përmbytjesh dhe zonat e mbrojtura ujore që mund të preken, të identifikuara sipas nenit 38 të këtij ligji; ç) informacione të tjera në përputhje me kërkesat e përcaktuara sipas pikës 4 të nenit 121 të këtij ligji, të tilla si identifikimi i zonave ku mund të ndodhin përmbytjet me përmbajtje të lartë sedimentesh dhe 52 mbetjesh të ngurta të transportuara nga uji dhe informacioneve për burime të tjera të konsiderueshme ndotjeje. 3. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me propozimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, miraton hartat e riskut nga përmbytjet. Neni 124 Afati kohor për publikimin e hartave Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore sigurohet që hartat e rrezikut nga përmbytjet dhe hartat e riskut nga përmbytjet të publikohen brenda 4 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 125 Planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet 1. Në bazë të hartave të përmendura në nenet 122 dhe 123, të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përgatit planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet dhe sigurohet që: a) këto plane të përgatiten për çdo rajon të basenit lumor apo pjesë të një rajoni të basenit lumor ndërkufitar, që bie brenda territorit të Shqipërisë. Në rast se është e pamundur përgatitja e një plani të vetëm të menaxhimit të riskut nga përmbytjet në nivel rajoni të basenit lumor, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore mund të përgatisë disa plane të menaxhimit të koordinuara në nivel rajoni të basenit lumor; b) në këto plane të jenë përcaktuar objektivat për menaxhimin e risqeve nga përmbytjet në zonat e mbuluara nga planet e menaxhimit të risqeve, duke u fokusuar te reduktimi i pasojave të pakthyeshme negative të përmbytjeve për shëndetin e njerëzve, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe veprimtarinë ekonomike, dhe, nëse shihen të përshtatshme, masat jostrukturore ose për reduktimin e probabilitetit të ndodhjes së përmbytjes; c) këto plane të përfshijnë masat për arritjen e objektivave të përcaktuar në përputhje me shkronjën “b” të kësaj pike, dhe elementet e metodologjisë, të përcaktuara në përputhje me pikën 3 të këtij neni; ç) këto plane marrin parasysh edhe aspekte të tjera, si: i. kostot dhe përfitimet; ii. shtrirja e përmbytjes, hapësirat ku kalon uji dhe zonat të cilat kanë potencial për të mbajtur ujin, sikurse zonat që përmbyten natyralisht; iii. objektivat mjedisorë, të përcaktuar në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji; iv. menaxhimin e tokës dhe ujërave; v. planifikimin hapësinor; vi. përdorimin e tokës; vii. ruajtjen e natyrës; viii. lundrimin dhe infrastrukturën portuale; d) këto plane të trajtojnë të gjitha aspektet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet, duke u fokusuar në: i. parandalim; ii. mbrojtje; iii. gatishmëri, përfshirë edhe sistemet e paralajmërimit të hershëm; iv. marrjen parasysh të karakteristikave të një baseni apo nënbaseni të caktuar lumor. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton elementet e metodologjisë për hartimin e planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton elementet e metodologjisë për hartimin e planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet, të përcaktuara sipas pikës 3 të këtij neni, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, pas miratimit paraprak nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, miraton planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet brenda 6 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 53 5. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përfshin palët e interesuara në hartimin, rishikimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet. 6. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet. Neni 126 Elementet shtesë të planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në raste të caktuara, përfshin në planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet: a) promovimin e praktikave të përdorimit të qëndrueshëm të tokës; b) përmirësimin e aftësisë ujëmbajtëse; dhe c) përmbytjen e kontrolluar në zona të caktuara në rast përmbytjesh. 2. Në zbatim të parimit të solidaritetit, planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet mund të mos përfshijnë masa të cilat për nga shkalla dhe ndikimi rrisin në mënyrë të ndjeshme riskun nga përmbytjet në rrjedhën e sipërme apo të poshtme të vendeve të tjera në po të njëjtin basen apo nënbasen lumor, përveçse kur këto masa janë koordinuar dhe është gjetur një zgjidhje e përbashkët me shtetin përkatës, në përputhje me nenin 127 të këtij ligji. Neni 127 Koordinimi i hartimit të planeve ndërkufitare të menaxhimit të riskut nga përmbytjet 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ndërmerr hapa që synojnë koordinimin e hartimit të një plani të vetëm ndërkufitar për menaxhimin e riskut nga përmbytjet apo disa planeve të harmonizuara për menaxhimin e riskut nga përmbytjet në nivelin e rajonit të basenit lumor ndërkufitar me autoritetet kompetente të shteteve fqinje për pjesën e rajonit të basenit lumor ndërkufitar, që bie në territorin e Shqipërisë. 2. Në rast se hartimi i një plani të vetëm ndërkufitar për menaxhimin e riskut nga përmbytjet është i pamundur, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet që mbulojnë të paktën pjesën e rajonit të menaxhimit të basenit lumor apo liqenor ndërkufitar, që bie në territorin e Shqipërisë, duke e koordinuar për aq sa është e mundur në nivel rajoni të menaxhimit të basenit lumor apo liqenor ndërkufitar. 3. Planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, kur konsiderohet e përshtatshme nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe shteti me të cilin ndajnë të njëjtin nënbasen, mund të plotësohen me plane të tjera të detajuara për menaxhimin e riskut nga përmbytjet në nivelin e nënbasenit ndërkufitar. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në rast se identifikon një problematikë që ndikon në menaxhimin e risqeve nga përmbytjet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe konstaton se zgjidhja e kësaj problematike nuk mund të zgjidhet vetëm përmes saj, informon për këtë problematikë Këshillin e Ministrave, së bashku me rekomandimet për zgjidhje. Këshilli i Ministrave merr masat për zgjidhjen e problematikës në konsultim me shtetet fqinje të interesuara. Neni 128 Koordinimi me planet e menaxhimit të basenit lumor Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ndërmerr hapat e nevojshëm për të koordinuar veprimtaritë e hartimit të planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytja me planet e menaxhimit të baseneve lumore, me fokus përmirësimin e efikasitetit, shkëmbimin e informacionit dhe sigurimin e sinergjive dhe përfitimeve të përbashkëta, duke pasur parasysh objektivat mjedisorë të përcaktuara në nenet 20, 21 dhe 56 të këtij ligji, veçanërisht si më poshtë: a) përgatitja e hartave të para të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të riskut nga përmbytjet, si dhe rishikimi dhe publikimi i tyre kryhet në përputhje me nenet 122, 123, 124 dhe me pikën 2 të nenit 129 të 54 këtij ligji, në mënyrë të tillë që informacioni që ato përmbajnë të jetë në përputhje me informacionin e paraqitur në planet e menaxhimit të baseneve lumore në përputhje me këtë ligj; b) përgatitja e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të riskut nga përmbytjet mund të koordinohet dhe të përfshihen në rishikimet e planeve të menaxhimit të basenit lumor, në përputhje me pikën 6 të nenit 53 të këtij ligji; c) hartimi e planeve të para të menaxhimit të riskut nga përmbytjet, në përputhje me nenet 125 dhe 128 të këtij ligji, dhe rishikimet e tyre vijuese në përputhje me nenin 135 të këtij ligji koordinohen dhe mund të përfshihen në rishikimin e planeve të menaxhimit të baseneve lumore të parashikuara në pikën 6 të nenit 53 të këtij ligji; ç) përfshirja aktive të të gjitha palëve të interesuara sipas këtij neni koordinohet, sipas rastit, me përfshirjen e palëve të interesuara për hartimin, rishikimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të baseneve lumore në përputhje me nenin 54 të këtij ligji. Neni 129 Afatet kohore për rishikimin 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që vlerësimi paraprak i riskut nga përmbytjet të rishikohet dhe, nëse është e nevojshme, të përditësohet brenda 8 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe çdo 6 vjet në vijim. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që hartat e rrezikut nga përmbytjet të rishikohen dhe, nëse është e nevojshme, përditësohen brenda 9 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe çdo 6 vjet në vijim. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet të rishikohen dhe, nëse është e nevojshme, përditësohen brenda 12 vjetësh pas hyrjes në fuqi të ligjit për burimet ujore dhe çdo 6 vjet në vijim. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që rishikimet dhe përditësimet e përmendura në pikat 1-3 të këtij neni të marrin parasysh ndikimin e mundshëm të ndryshimeve klimatike në ngjarjet e përmbytjeve. Neni 130 Veprimtaritë dhe masat për mbrojtje nga përmbytjet 1. Strukturat dhe organet e mbrojtjes civile marrin masat e nevojshme, brenda zonës së prekur nga përmbytja, për të garantuar sigurinë e njerëzve, gjësë së gjallë dhe pronës. Në rast përmbytjesh masive, në bashkëpunim me organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore, ata urdhërojnë ekzekutimin e punimeve të emergjencës, duke u kërkuar përdoruesve të burimeve ujore të vënë në dispozicion, sipas mundësive, të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme për këtë qëllim. 2. Çdo person fizik apo juridik, subjekt lejeje, autorizimi apo koncesioni ka detyrimin të ofrojë çdo lloj asistence apo informacioni kundrejt organeve përgjegjëse të përmendura në këtë nen, për të eliminuar pasojat e përmbytjes dhe efektet e tjera të dëmshme në burime ujore. 3. Niveli maksimal i shkarkimit nga përdoruesit e burimeve ujore duhet të jetë në përputhje me kushtet dhe kriteret e parashtruara në lejet dhe autorizimet e përdorimit të burimeve ujore, planet e menaxhimit të basenit lumor, si dhe në akte të tjera nënligjore. 4. Shkarkimet e detyruara për shkak të nivelit maksimal të ngarkesës apo prurjes përjashtohen nga parashikimet në pikën 4 të këtij neni. 5. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përcakton kushtet dhe kriteret për shkarkimet maksimale, në rastin e digave të mëdha këto kritere përcaktohen nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha. 6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton kushtet dhe kriteret për kryerjen e shkarkimeve maksimale. 55 Neni 131 Tokat e përmbytura 1. Tokat që mund të përmbyten gjatë daljes nga shtrati i liqeneve, pellgjeve, rezervuarëve, lumenjve, përrenjve apo rrjedhave të tjera ruajnë statusin e tyre të mëparshëm juridik. 2. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pas marrjes së mendimit nga autoritetet përkatëse të vetëqeverisjes vendore, si dhe nga organet përgjegjëse për mbrojtjen civile, në raste të veçanta, vendos kufizime për përdorimin e zonave të përmbytura ose të zonave që janë nën efektin e dëmshëm të ujit, kur ato rrezikojnë jetën e njerëzve, gjësë së gjallë apo pronën. 3. Ndalohet magazinimi i materialeve dhe substancave që mund të shpëlahen në ujë dhe ndërtimi i objekteve të reja brenda zonave të kërcënuara nga përmbytjet, sipas përcaktimeve të planeve të menaxhimit të përmbytjeve. KREU XI PËRDORIMI I BURIMEVE UJORE Neni 132 Qëllimet e përdorimit të burimeve ujore Burimet ujore përdoren për qëllimet e mëposhtme: a) furnizim me ujë, nevoja të komunitetit, përdorim bujqësor, përfshirë ujitjen, ujin për gjënë e gjallë dhe përdorimi në akuakulturë; b) prodhim i energjisë, industri, procese teknologjike, ftohje; c) ambalazhimi, tregtie, eksporti; ç) lundrim për qëllime transporti ujor; d) larje, turizëm, argëtimin, përfshirë edhe lundrimin për qëllime argëtimi; dh) kërkim shkencor; e) qëllime të tjera. Neni 133 Kontrolli administrativ i përdorimit të burimeve ujore 1. Përdorimi i burimeve ujore është subjekt i kontrollit administrativ nga organet e menaxhimit dhe të administrimit të burimeve ujore dhe i inspektimit nga inspektorët që mbulojnë fushën e kontrollit të veprimtarisë për përdorimin e burimeve ujore, nën koordinimin e përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. 2. Çdo përdorues i burimeve ujore është i detyruar që në rrjedhën natyrore të lejojë prurjen minimale ekologjike, duke mos e përfshirë atë në sasinë e ujit që është i autorizuar të përdorë. 3. Sasia e prurjes minimale ekologjike, për çdo trup ujor natyror, përcaktohet në përputhje me planet e menaxhimit të basenit lumor dhe aktet e tjera nënligjore, bazuar në karakteristikat e veçanta dhe në vlerat natyrore dhe ekologjike të basenit lumor. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për mjedisin, biodiversitetin dhe ato që kryejnë kërkime shkencore në fushën e ujërave, harton metodologjinë e llogaritjes së prurjes ekologjike. Kjo metodologji aplikohet në planet e menaxhimit dhe në të gjithë përdoruesit e burimeve ujore, përfshirë dhe ata që kanë një leje apo autorizim. 5. Nëse bazuar në të dhëna shkencore apo me propozimin e institucioneve përgjegjëse për mjedisin konkludohet se sasia e prurjes ekologjike, e miratuar më parë në kushtet e një leje apo autorizimi ekzistues, nuk është e mjaftueshme për arritjen e objektivave mjedisorë apo shkakton përkeqësimin e ekosistemit, me propozimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, organi i miratimit të lejes rishikon kushtet e kësaj të fundit. 56 6. Në rastet kur për arsye të justifikuara nuk është e mundur asnjë nga përcaktimet e mësipërme, prurja ekologjike nuk mund të jetë më pak se rrjedha mesatare e qëndrueshme për 355 ditë (Q355). 7. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore miraton metodologjinë e llogaritjes së prurjes ekologjike, të hartuar sipas pikës 4 të këtij neni. Neni 134 Përdorimi i lirë i burimeve ujore 1. Çdokush gëzon të drejtën e përdorimit të lirë të burimeve ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore për plotësimin e nevojave familjare dhe gjësë së gjallë, pa tejkaluar nevojat dhe sasitë e nevojshme për plotësimin e nevojave individuale dhe familjare të përdoruesit dhe në përputhje me këtë ligj dhe planet e menaxhimit të baseneve lumore, me kusht që përdorimi i burimeve ujore të mos realizohet përmes instalimeve artificiale. 2. Çdokush gëzon të drejtën e përdorimit të lirë të ujërave bregdetare për t’u larë dhe për të ushtruar sporte ujore. 3. Çdokush gëzon të drejtën e përdorimit të lirë të burimeve ujore në rastet e rënies se zjarreve dhe uji do të përdoret për shuarjen e tij. 4. Çdokush gëzon të drejtën e përdorimit të lirë të ujit të reshjeve të shiut në tokën e tij private, me kusht që ky ujë të mos mblidhet në instalime artificiale me kapacitet grumbullues më të madh se 20 m3. 5. Organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore gëzojnë të drejtën e kufizimit të përdorimit të lirë të burimeve ujore në të gjithë vendin apo në zona të caktuara gjatë periudhave të pamjaftueshmërisë së ujit apo thatësirës, ose kur cilësia e ujit është cenuar apo kur ka risk për përhapjen e sëmundjeve të caktuara përmes ujit. Neni 135 Përdorimi i burimeve ujore me leje 1. Veprimtaritë e mëposhtme që mund të kryhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ushtrohen në bazë të lejes së dhënë nga organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore: a) përdorimi i burimeve ujore për qëllime të ndryshme kur realizohet përmes instalimeve artificiale; b) përdorimi i burimeve ujore për ujitje; c) përdorimi i burimeve ujore për qëllime industriale dhe procese teknologjike; ç) përdorimi i burimeve ujore për prodhim energjie dhe ftohjeje; d) përdorimi i burimeve ujore për pishina; dh) përdorimi i burimeve ujore për ujë të ambalazhuar, tregtim dhe eksport; e) përdorimi i i burimeve ujore kurative, minerale, termo-minerale dhe gjeotermale; ë) përdorimi i burimeve ujore për hidroenergji; f) përdorimi i burimeve ujore për zhvillimin e akuakulturës; g) përdorimi i burimeve ujore për gjënë e gjallë kur shoqërohet me instalime artificiale. 2. Kërkohet leja përkatëse nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për këto raste: a) përdorimi i burimeve ujore për qëllime familjare kur shoqërohet me instalime artificiale; b) përdorimi i burimeve ujore për gjënë e gjallë kur shoqërohet me instalime artificiale; c) përdorimi i burimeve ujore për ujitje për sipërfaqe më të vogël apo të barabartë me 5 hektarë. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton formularët e kërkesës, dokumentet e nevojshme teknike, kriteret dhe standardet për pajisjen me leje apo autorizim për përdorimin e burimeve ujore. Neni 136 Përdorimi i ujit me autorizim 1. Vetëm kur pajisen me autorizim nga autoritetet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore, subjektet përkatëse do të mund të kryejnë veprimtaritë e mëposhtme: a) lundrimin për qëllime të ndryshme; 57 b) ndërtimin e strukturave ankoruese dhe portuale, veprat e mbrojtjes dhe ishujt artificialë në trupa ujorë; c) përdorimin dhe ripërdorimin e ujërave të ndotura, përfshirë edhe futjen e tyre në tokë; ç) përdorimin e burimeve ujore për turizëm dhe argëtim; d) kryerjen e shpimit nëntokësor për marrje uji; dh) injektimin dhe riinjektimin e ujërave të ndotura, sipas pikave 2 dhe 3 të nenit 65 të këtij ligji; e) rregullimin dhe përpunimin e volumit vjetor të rezervuarëve dhe ujëmbledhësve. 2. Kërkohet autorizimi përkatës nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit për ndërtimin e strukturave ankoruese dhe portuale në vijën bregdetare, veprat e mbrojtjes bregdetare dhe ishujt artificialë në det. 3. Kërkohet autorizimi përkatës nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për kryerjen e shpimit nëntokësor për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore. 4. Të gjitha llojet e kërkimeve, studimeve dhe eksplorimeve në ujërat sipërfaqësore e nëntokësore, edhe kur nuk kanë për objekt ujin, kryhen me autorizim nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për një zonë dhe për një afat të caktuar. 5. Autoritetet apo subjektet që kanë në pronësi apo menaxhim rezervuar apo ujëmbledhës miratojnë çdo fundviti pranë këshillit të basenit lumor përkatës planin vjetor të përpunimit të volumit të rezervuarit, ku përfshin përdorimin dhe shkarkimet e planifikuara. Nëse lind nevoja për shkarkime të paplanifikuara, njoftohet Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe shoqërohet me relacionin dhe arsyetimet përkatëse. Miratimi i këtij plani nuk përjashton nga detyrimi i pajisjes me leje dhe autorizim, sipas përcaktimeve ligjore për përdoruesit e burimeve ujore. 6. Përjashtohen nga kërkesa për t’u pajisur me autorizim, sipas pikës 3 të këtij neni, institucionet monitoruese të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, si dhe ato institucione shkencore, veprimtaritë e të cilave nuk ndikojnë në prishjen e ekuilibrave sasiorë dhe cilësorë të ujërave. 7. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton formularët e kërkesës për autorizim për përdorim të burimeve ujore. Neni 137 Shfrytëzimi i materialeve inerte 1. Organet e menaxhimit të burimeve ujore lëshojnë leje për shfrytëzimin e materialeve inerte, si: rërë, zhavorr, që nxirren nga shtretërit e lumenjve, përrenjve, liqeneve me ose pa ujë. 2. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit përcakton kushtet dhe kriteret për dhënien e lejeve për shfrytëzimin e materialeve inerte. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton formularin e kërkesës për leje dhe rinovim për shfrytëzim materialesh inerte nga shtretërit e lumenjve. Neni 138 Detyrimet e përdoruesve të burimeve ujore Përdoruesit e burimeve ujore duhet: a) të përdorin burimet ujore në mënyrë racionale dhe ekonomike; b) të respektojnë kushtet dhe detyrimet e përcaktuara lidhur me të drejtën e përdorimit të burimeve ujore; c) të respektojnë kushtet dhe detyrimet e përcaktuara lidhur me të drejtën e pronësisë; ç) të sigurojnë mbrojtjen e ujit nga ndotja, të mbajnë nën kontroll cilësinë e ujit dhe të mbrojnë mjedisin nga ndotësit e ndryshëm; d) të respektojnë të drejtat e përdoruesve të tjerë të ligjshëm të burimeve ujore dhe të palëve të treta. Neni 139 Thatësira dhe pamjaftueshmëria e ujit 58 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me autoritetet të tjera vlerëson dhe identifikon zonat me risk thatësire në nivel baseni lumor, të cilat përfshihen në planet përkatëse të menaxhimit të baseneve lumore. 2. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret për shpalljen e gjendjes së thatësirës. 3. Këshilli i Ministrave shpall gjendjen e thatësirës dhe përcakton masat e nevojshme që duhet të ndërmerren për thatësirën lidhur me: a) kufizimet në të gjitha apo në disa veprimtari që përfshijnë përdorimin e burimeve ujore; b) kufizimet për përdorimin e ujit sa u përket autorizimeve dhe lejeve për përdorimin e burimeve ujore të dhëna më parë. Neni 140 Menaxhimi i burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale 1. Menaxhimi i burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale ka të bëjë me krijimin e një kuadri për mbrojtjen e këtyre burimeve, me qëllim: a) monitorimin e cilësisë së burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave nëntokësore; b) promovimin e përdorimit racional e të qëndrueshëm të këtyre ujërave, i cili kryhet duke u bazuar në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale; c) reduktimin progresiv të ndotjes së burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale, me qëllim parandalimin e ndotjes së mëtejshme të tyre; ç) kontrollin e ndërtimeve rreth zonave të burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale përmes përcaktimit të zonave të mbrojtjes së këtyre burimeve, bazuar në studimet dhe konkluzionet shkencore të nxjerra nga institucioni përgjegjës për monitorimin e ujërave nëntokësore; d) kontrollin e shkarkimeve të ujërave kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale të përdorura dhe të patrajtuara në tokë, në ujë dhe në sistemin e kanalizimeve; dh) kontrollin rreth zonave të burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale; e) ndalimin e ndryshimit të destinacionit të përdorimit të burimeve ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale; ë) ndalimin e shpimeve dhe ndërhyrjeve në zonën e burimeve ujore kurative, termale, termominerale dhe gjeotermale; f) ndalimin e shfrytëzimit me pompa të burimeve ujore kurative, termale, termominerale dhe gjeotermale direkt nga burimi. 2. Çdo person fizik ose juridik, që kërkon të përdorë burimet ujore kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale, duhet të pajiset me leje pranë organeve të menaxhimit të burimeve ujore, e cila jepet në përputhje me planet e menaxhimit të baseneve lumore. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton tarifat e përdorimit të burimeve ujore kurative, termominerale dhe gjeotermale. KREU XII AUTORIZIMET DHE LEJET PËR PËRDORIMIN E BURIMEVE UJORE Seksioni 1 Dhënia e lejeve dhe autorizimeve Neni 141 Organet publike që lëshojnë autorizime dhe leje për përdorimin e burimeve ujore 1. Organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore, sipas kompetencave të parashikuara nga ky ligj, japin autorizime dhe leje për përdorimin e burimeve ujore, duke u bazuar në parimet e proporcionalitetit, eficiencës dhe deburokratizimit, si dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin për lejet dhe autorizimet dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të këtij kreu. 59 2. Këshilli i Basenit Lumor lëshon autorizimet dhe lejet sipas parashikimeve të këtij ligji në rastet kur veprimtaria do të kryhet brenda kufijve të një baseni lumor përkatës në territorin e Republikës së Shqipërisë. 3. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit lëshon leje dhe autorizime për përdorimin e burimeve ujore dhe për shkarkimet, në çdo rast kur veprimtaria për të cilën kërkohet leja, autorizimi, kërkon pajisjen me leje ndërtimi për miratimin e së cilës organ kompetent është Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, sipas parashikimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. 4. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore lëshon leje dhe autorizime për ato veprimtari sipas parashikimeve të këtij ligji. 5. Autorizimet dhe lejet për përdorimin e burimeve ujore: a) janë personale dhe i takojnë titullarit të autorizimit apo lejes përkatëse; b) nuk mund të transferohen pa miratimin e organeve të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore; c) janë të vlefshme për një afat të caktuar dhe rinovohen sipas një procedure të përcaktuar; ç) mund të ndryshohen, të pezullohen, të revokohen në bazë të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij; d) lëshohen pas pagimit të një tarife për shpenzimet administrative për ato veprimtari për të cilat aplikohet një tarifë e tillë; dh) regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Autorizimeve sipas akteve ligjore e nënligjore përkatëse; e) nuk mund të refuzohen pa një vendim të arsyetuar të organit administrativ që shqyrton kërkesën për autorizim ose leje. 6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, në zbatim të këtij ligji dhe të ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet, përcakton: a) kushtet e dhënies së autorizimit dhe lejes, si dhe dokumentet shoqëruese, të nevojshme për kërkesën, sipas veprimtarive përkatëse; b) afatin e vlefshmërisë së autorizimit dhe lejes; c) procedurat dhe afatet e shqyrtimit dhe të vendimmarrjes administrative; ç) procedurat e ndryshimit, të pezullimit, të revokimit nga organet përgjegjëse. Neni 142 Parimet e përgjithshme të dhënies së lejeve dhe autorizimeve Autorizimi ose leja jepet vetëm në rastet kur aktiviteti i personit fizik apo juridik, që është titullar i autorizimit apo lejes: a) nuk ndikon negativisht në burimin ujor përkatës; b) është në përputhje me planin e menaxhimit të basenit lumor përkatës; c) nuk cenon standardet e cilësisë mjedisore, të përcaktuara në përputhje me këtë ligj; ç) nuk cenon objektivat mjedisorë përkatës, të përcaktuar në përputhje me këtë ligj; d) nuk bie ndesh me programin e masave, të hartuar në përputhje me këtë ligj. Neni 143 Prioritetet në dhënien e lejeve dhe të autorizimeve Organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore për dhënien e lejeve dhe të autorizimeve bazohen në këto prioritete, si më poshtë: a) furnizimin me ujë të popullsisë, përfshirë edhe kërkesat për industritë brenda vijës kufizuese të qendrave të banuara dhe që kanë një nivel të ulët konsumi; b) përdorimet për ujitje, bujqësi dhe akuakulturë; c) përdorimet për prodhimin e hidroenergjisë; ç) përdorime të tjera industriale, që nuk përfshihen në kategoritë e lartpërmendura, përfshirë edhe përdorimet në miniera; d) peshkimin; 60 dh) transportin ujor; e) argëtimin dhe turizmin, përfshirë edhe lundrimin për qëllime argëtimi; ë) përdorime të tjera. Neni 144 Të dhënat dhe kushtet e përgjithshme të autorizimeve dhe lejeve për përdorimin e burimeve ujore 1. Autorizimi ose leja për përdorimin e burimeve ujore përmban këto të dhëna të përgjithshme: a) serinë, numrin dhe datën e miratimit dhe momentin e hyrjes në fuqi; b) të dhënat identifikuese të titullarit; c) llojin e veprimtarisë dhe qëllimin e përdorimit të burimit ujor; ç) sasinë e ujit që mund të përdoret duke iu referuar volumit apo një pjese të caktuar të rrjedhës; d) volumin e rrjedhës së kthyer, nëse ka, dhe pikën e shkarkimit të rrjedhës së kthyer; dh) prurjen ekologjike të nevojshme për t’u lënë e lirë në trupin ujor përkatës, në bazë vjetore apo sezonale, sipas rasteve specifike të përcaktuara; e) sipërfaqen e tokës të lidhur me përdorimin e burimit ujor, në rastin e përdorimit të ujit për ujitje; ë) vendndodhjen ku zhvillohet veprimtaria, shoqëruar me hartë bashkëlidhur; f) kufizimet në ushtrimin e veprimtarisë; g) afatin e vlefshmërisë së autorizimit ose lejes. 2. Autorizimi apo leja përmban detyrimisht kushtet e përgjithshme të mëposhtme, në bazë të të cilave subjekti detyrohet: a) të përdorë burimet ujore në mënyrë racionale, duke shmangur mbetjet dhe duke mos dëmtuar mjedisin; b) të përdorë burimet ujore vetëm për qëllimet për të cilat i është dhënë autorizimi apo leja; c) të paguajë të gjitha kostot dhe tarifat në lidhje me përdorimin e burimeve ujore; ç) të instalojë dhe mirëmbajë me shpenzimet e veta pajisjet për matjen e sasisë së ujit të përdorur, në përputhje me kërkesat e përcaktuara nga organi përkatës që ka lëshuar lejen apo autorizimin; d) të regjistrojë volumin e ujit të përdorur, përfshirë edhe rrjedhën e kthyer; dh) të japë të dhëna dhe informacion për përdorimin e burimit ujor, sipas specifikimeve të bëra nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në mënyrë periodike dhe sa herë që i kërkohet nga organet e ngarkuara për menaxhimin e burimeve ujore. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton kushtet e posaçme të lejeve dhe autorizimeve. 4. Leja apo autorizimi i dhënë për përdorim burimi ujor hyn në fuqi vetëm pas publikimit të saj në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, përveç rastit kur hyrja në fuqi e aktit që e miraton atë lidhet me botimin në Fletoren Zyrtare. 5. Lejet dhe autorizimet e përdorimit të burimeve ujore përfshihen në kategorinë përkatëse të ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet. Neni 145 Pezullimi i lejeve dhe autorizimeve dhe ndryshimi i përkohshëm i kushteve të tyre 1. Organi që ka dhënë autorizimin ose lejen mund të pezullojë ose ndryshojë kushtet në rastet e mëposhtme: a) kur ka një vendim të Këshillit të Ministrave për shpalljen e gjendjes së thatësirës; b) kur ka pasur ndryshime cilësore ose sasiore në burimet ujore për shkak të forcës madhore; c) me kërkesë të titullarit të autorizimit apo lejes. 2. Në rastet kur titullari nuk respekton kushtet e autorizimit apo lejes, organi që ka dhënë autorizimin apo lejen mund të vendosë pezullimin e tyre. Neni 146 Revokimi i autorizimeve dhe lejeve 61 Autorizimet dhe lejet mund të revokohen nga organi që i ka dhënë ato në rastet kur: a) në bazë të interesit publik dhe në përputhje me planin e menaxhimit të basenit lumor, përdorimi i burimeve ujore është jetik për një tjetër qëllim parësor, sipas klasifikimeve në përputhje me prioritetet e përcaktuara në nenin 143 të këtij ligji; b) titullari i autorizimit ose lejes nuk i respekton kushtet përkatëse edhe pas pezullimit për një periudhë gjashtëmujore; c) kur nuk paguan tarifat e përdorimit të burimeve ujore dhe detyrimet e tjera financiare për një periudhë më të gjatë se 1 vit; ç) titullari i autorizimit apo lejes bën kërkesë; d) burimet ujore për të cilat është dhënë autorizimi apo leja nuk janë përdorur për 3 vjet; dh) titullari ndërron jetë apo personi juridik nuk ekziston më. Neni 147 Shpuesit profesionistë 1. Shpuesi profesionist për ujë, që e ushtron veprimtarinë mbi bazë tregtare, duhet të jetë specialist i pajisur me licencën përkatëse sipas parashikimeve të ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet. 2. Kërkohet leje e veçantë për shkarkimin nga ajo e përdorimit të burimit ujor në rastet kur aktiviteti i shkarkimit nuk furnizohet drejtpërdrejt nga burimi ujor. Në rastet e tjera leja e shkarkimit është pjesë integrale e lejes së përdorimit të burimit ujor. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore jep autorizim për kryerjen e shpimit, pasi subjekti paraqet projektin teknik dhe hidrogjeologjik për shpimin, të hartuar nga subjekte juridike të licencuara, sipas legjislacionit në fuqi. 4. Subjekti, jo më vonë se një muaj pas përfundimit të shpimit, i paraqet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në dy kopje relacionin apo raportin hidrogjeologjik pas shpimit të hartuar nga shpuesi profesionist. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i dërgon një kopje Arkivit Qendror Gjeologjik. 5. Ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së shpimit për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore nga ana e subjekteve fizike, juridike apo personave të palicencuar pa autorizimin përkatës të shpimit nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore. Seksioni 2 Dhënia e lejeve dhe autorizimeve për shkarkimin e ujërave të ndotura Neni 148 Dispozita të përbashkëta për lejet dhe autorizimet 1. Kërkesa për leje dhe autorizim për shkarkimet duhet të përmbajë në hollësi kriteret që duhet të plotësohen nga shkarkuesi, siç parashikohet në aktet nënligjore në fuqi. Në to përfshihen një përshkrim i impiantit të trajtimit, i pajisjeve dhe i procedurave monitoruese për të siguruar funksionimin e tij korrekt, si dhe çdo përkufizim i vendosur për përmbajtjen kimike dhe bakterologjike të shkarkimit. 2. Të dhënat dhe kushtet e lejeve dhe autorizimeve të shkarkimit janë të njëjta me ato të përdorimit të ujit. Në çdo rast, ato përmbajnë kushtet lidhur me impiantet e trajtimit e të monitorimit, si dhe në bazë të tyre do të vendoset për standardet e ujërave të trajtuara. 3. Lejet dhe autorizimet për veprimtaritë e shkarkimit të lëngjeve që mund të shkaktojnë infiltrimin ose akumulimin me kohë në ujërat sipërfaqësore, shtretërit natyrorë ose artificialë, shtresat ujëmbajtëse ose ujërat nëntokësore do të jepen vetëm pas një studimi të bazuar shkencërisht të bërë brenda 1 viti nga data e kërkesës për leje shkarkimi. Studimi do të kryhet nga institucione të licencuara ose të akredituara, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 4. Ripërdorimi i ujërave të ndotura është objekt i lejeve administrative. Në rast se ripërdorimi i ujërave do të bëhet nga një subjekt i ndryshëm nga subjekti i parë, atëherë të dyja subjektet duhet të pajisen me leje të veçanta. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton rregullat për ripërdorimin 62 e drejtpërdrejt të ujërave të ndotura, duke u bazuar në proceset e trajtimit, cilësisë dhe qëllimin e përdorimit të këtyre ujërave pas trajtimit. Neni 149 Lejet administrative 1. Leja, autorizimi për shkarkimin nga subjektet, që bëjnë ose mund të bëjnë shkarkime ujërash të ndotura, jepen në bazë të akteve nënligjore në fuqi nga organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton formatet e kërkesës, dokumentet shoqëruese dhe kushtet, afatin e vlefshmërisë, procedurat e shqyrtimit dhe vendimmarrjes, formatet e zbardhjes së lejes apo autorizimit. Neni 150 Refuzimi i dhënies së lejeve dhe autorizimeve Organet e administrimit të burimeve ujore kanë të drejtë të refuzojnë dhënien e lejeve dhe të autorizimeve për veprimtaritë apo proceset industriale, kur shkarkimet e tyre, megjithëse janë trajtuar më parë, paraqesin risk serioz për ndotjen e burimeve ujore, sistemeve ekologjike dhe mjedisit. Neni 151 Ndryshimi i lejeve 1. Këshilli i Basenit Lumor ka të drejtë të vendosë në lidhje me pezullimin e përkohshëm ose ndryshimin e lejes dhe autorizimit, kur është në kompetencën e këtij organi, nëse rrethanat në të cilat është bazuar dhënia e tyre kanë ndryshuar ose kur krijohen rrethana të reja, të cilat, nëse do të kishin ekzistuar në kohën e dhënies, do të kishin çuar në refuzim të lejes ose lëshimin e lejes me kushte dhe afate të tjera. 2. Këshilli i Basenit Lumor, për rastet kur kompetencën për pezullimin ose ndryshimin e lejes dhe të autorizimit e ka Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, bën propozimet përkatëse me vendim formal, i cili i dërgohet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore për t’u shqyrtuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Neni 152 Ndërprerja e veprimtarisë së shkarkimeve të ujërave të ndotura Organet e administrimit të burimeve ujore kanë të drejtë të urdhërojnë ndërprerjen e menjëhershme të të gjithë veprimtarisë apo të pjesëve të veçanta të saj, të cilat lidhen me shkarkimin e ujërave të ndotura, kur ka shkarkime të paautorizuara që prekin interesin publik. Neni 153 Pagesat për kostot administrative Veprimtaritë e shkarkimeve të autorizuara janë subjekt i pagesave administrative në përputhje me kriteret dhe tarifat e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. 63 KREU XIII MBROJTJA E BRIGJEVE, VEPRAVE DHE OBJEKTEVE UJORE DHE SERVITUTET Seksioni 1 Mbrojtja e brigjeve Neni 154 Mbrojtja e brigjeve Mbrojtja e brigjeve është detyrë e organeve publike në përputhje me fushën e përgjegjësisë për sa u përket politikave apo administrimit të veprave ose strukturave që rrezikohen dhe realizohet përmes ndërtimit, rindërtimit dhe mirëmbajtjes së digave, veprave mbrojtëse dhe masave apo veprave të tjera infrastrukturore, përfshirë edhe ato biologjike. Neni 155 Mbrojtja e përkohshme Personat fizikë dhe juridikë, të huaj apo vendas, pas marrjes së autorizimit nga organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore ndërmarrin veprimtaritë e mbrojtjes së përkohshme në rast emergjence, përcaktuar sipas legjislacionit për mbrojtjen civile. Neni 156 Veprimtaritë ndërtimore në brigje 1. Organet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit pranë njësive të vetëqeverisjes vendore i japin lejet për ndërtimin, rindërtimin ose shembjen e objekteve të mbrojtjes së brigjeve të lumenjve, mureve, digave apo veprave të tjera në brigje vetëm nëse subjekti është pajisur me autorizim nga organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore. 2. Organet e menaxhimit të burimeve ujore japin autorizim për kryerjen e veprimtarive ndërtimore në brigje, për qëllime publike dhe në rastet e veprimtarive të ndërtimit të strukturave të përkohshme, të cilat ofrojnë shërbime për qëllime turizmi. Neni 157 Veprimtaritë e ndaluara në brigje dhe plazhe 1. Në brigje, plazhe dhe zonat me risk përmbytjeje ndalohen veprimtaritë e mëposhtme: a) ndryshimi ose zhvendosja e mbulesës bimore natyrale apo artificiale; b) nxjerrja e lëndëve të ngurta, rërës, zhavorrit, guralecëve apo lymit, me përjashtim të atyre të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit; c) krijimi i vendeve të thata për rrjetat; ç) hedhja apo depozitimi i lëndëve të ngurta si pasojë e shkatërrimit të objekteve të ndërtuara, gërmimeve apo veprimtarive të tjera që shkaktojnë mbetje; d) shkarkimi i ujërave të ndotura të patrajtuara urbane dhe industriale; dh) rrethimi, vendosja e gardheve, portave në brigjet e lumenjve dhe trupave ujorë; e) hapja e rrugëve të aksesit për në shtretërit e lumenjve dhe në trupa ujorë. 2. Me qëllim sigurimin dhe mirëmbajtjen e brigjeve, organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore, në bashkëpunim me organet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kanë të drejtë të kufizojnë apo ndalojnë përdorimin e plazheve, tabanit të detit, dunave, skarpateve apo çdo zone tjetër të caktuar për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e brigjeve. 64 Seksioni 2 Veprat dhe objektet ujore Neni 158 Ndërtimi në trupat ujorë 1. Ndërtimi i veprave dhe objekteve për shfrytëzimin e burimeve ujore dhe parandalimin e veprimeve të dëmshme të ujit, që bëhen për shërbime publike, është subjekt i autorizimeve apo lejeve në përputhje me këtë ligj. 2. Brenda 30 ditësh nga data e përfundimit të veprës apo objektit apo strukturës ujore, titullari i lejes apo autorizimit njofton organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore që kanë lejuar veprimtarinë për të kryer inspektimin përfundimtar të veprës apo objektit ujor. Neni 159 Kompetencat e organeve të menaxhimit dhe të administrimit të burimeve ujore për ndërtimet në trupat ujorë 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me organin përgjegjës për inspektimin e mjedisit, sipas legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit, me inspektoratin që mbulon fushën e kontrollit dhe mbrojtjes së territorit, sipas legjislacionit përkatës, dhe me organet e vetëqeverisjes vendore, ka të drejtë të mbikëqyrë dhe të detyrojë subjektet për instalimin e pajisjeve që mbajnë nën kontroll dhe të matin sasinë e ujit të përdorur në tokën private, si dhe të servituteve që nevojiten për hyrjen në instalime të tilla, për punën përgatitore dhe për ndërtimin. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me organin përgjegjës për inspektimin e mjedisit, sipas legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit, dhe me inspektoratin që mbulon fushën e kontrollit dhe mbrojtjes së territorit, sipas legjislacionit përkatës, ka të drejtë të kontrollojë funksionimin brenda kushteve të përcaktuara në leje apo autorizim dhe mirëmbajtjen e objekteve apo strukturave ujore, si dhe të vendosë sanksione dhe të detyrojë vendosjen e tubacioneve për transportin e ujit. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me organin përgjegjës për inspektimin e mjedisit, sipas legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit, kryen kontrolle periodike të punimeve dhe objekteve ujore. Për këtë qëllim personat e autorizuar prej tyre kanë të drejtë të inspektojnë veprat dhe objektet ujore, si dhe të kërkojnë të dhëna dhe dokumentacione lidhur me to. Seksioni 3 Servitutet Neni 160 Servitutet Për sa u përket çështjeve të servitutit lidhur me burimet ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore, pronarët e tokave zbatojnë dispozitat përkatëse të Kodit Civil. KREU XIV KADASTRA KOMBËTARE E BURIMEVE UJORE DHE REGJISTRI I LEJEVE, AUTORIZIMEVE PËR PËRDORIMIN E BURIMEVE UJORE Neni 161 Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore 65 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është institucioni përgjegjës për krijimin, administrimin dhe përditësimin e Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore. 2. Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore përmban të paktën të dhëna lidhur me: a) trupat ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, të klasifikuar sipas statusit të tyre kimik dhe ekologjik; b) zonat e mbrojtura ujore sipas nenit 31 të këtij ligji; c) trupat ujorë tepër të modifikuar dhe artificialë; ç) lejet mjedisore për ushtrimin e veprimtarive, si rrjedhojë e të cilave ujërat e ndotura të trajtuara shkarkohen në trupat ujorë; d) zonat që paraqesin risk shëndetësor. 3. Të dhënat parësore, dytësore, ndërveprimi, kërkesat, kushtet, procedurat dhe fondet e nevojshme për krijimin, administrimin dhe përditësimin e Kadastrës së Burimeve Ujore miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Kryeministrit. 4. Të gjitha institucionet, entet apo subjektet e tjera, qofshin publike apo private, të cilat gjenerojnë të dhëna lidhur me burimet ujore, kanë detyrimin të caktojnë një përfaqësues, i cili mban komunikimin me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe i dërgon të dhëna Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore, në përputhje me formatet, standardet dhe procedurat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, sipas pikës 3 të këtij neni. 5. Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore dhe të dhënat e saj ruhen, mirëmbahen, administrohen dhe përditësohen përmes sistemit dhe arkivit elektronik. 6. Sistemi i Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore është një sistem i teknologjisë së informacionit gjeografik qendror me shumë përdorues, i aksesueshëm nëpërmjet web-it, në të cilin ruhen dhe përpunohen të dhënat e burimeve ujore të Shqipërisë. Neni 162 Funksionet e Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore 1. Informacioni në Kadastrën Kombëtare të Burimeve Ujore organizohet sipas të dhënave të integruara elektronike për burimet ujore, në mënyrë të pavarur dhe në bashkëpunim me njëra-tjetrën. 2. Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore dhe të dhënat e saj publikohen në faqen zyrtare të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. 3. Të dhënat e Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore përdoren nga institucione e autoritete të tjera publike, kombëtare apo vendore, në përputhje me këtë ligj dhe akte të tjera nënligjore. 4. Çdo institucion duhet t’i hedhë të dhënat e tij në Kadastrën Kombëtare të Burimeve Ujore dhe i publikon ato në faqen e tij zyrtare elektronike. Neni 163 Regjistri i lejeve dhe autorizimeve për përdorimin e burimeve ujore 1. Zyra e Administrimit të Basenit Lumor mban regjistrin ku shënohen të gjitha autorizimet dhe lejet e lëshuara nga organet e menaxhimit të burimeve ujore në basenin përkatës, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. 2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore administron dhe përditëson regjistrin e lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore. 3. Të dhënat e regjistrit kategorizohen si të dhëna parësore e dytësore si më poshtë: a) të dhëna parësore konsiderohen: i. nr. i licencës; ii. nr. i vendimit. b) të dhëna dytësore konsiderohen: i. të dhënat e NUIS-it, të cilat merren nga Qendra Kombëtare e Biznesit; ii. të dhënat e NID-it, të cilat merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. 4. Zyra e Administrimit të Basenit Lumor i dërgon Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore të dhënat sipas regjistrave të tyre, sipas dispozitave të këtij ligji. 66 KREU XV DISPOZITAT FINANCIARE Neni 164 Tarifat e përdorimit të burimeve ujore 1. Tarifat e përdorimit të burimeve ujore përcaktohen duke u bazuar në metodologjinë e hartuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, duke referuar elementet e mëposhtme: a) analizën ekonomike të përdorimit të burimeve ujore në nivel baseni lumor, të hartuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore; b) kufijtë minimalë dhe maksimalë të tarifave në përputhje me përballueshmërinë për secilën kategori të përdoruesve. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton tarifat e përdorimit të burimeve ujore. 3. Përjashtohen nga pagimi i tarifave të përdorimit të burimeve ujore, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, qofshin këto subjekte publike apo private, të cilat e përdorin ujin me qëllim shuarjen e zjarrit. Neni 165 Kostot administrative 1. Çdokush që kërkon të kryejë veprimtari lidhur me përdorimin ose shkarkimin e ujërave, ndërtimin e veprave apo objekteve ujore, në përputhje me këtë ligj, duhet të paguajë kostot administrative sipas akteve nënligjore në fuqi. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton tarifat e kostove administrative. Neni 166 Mbledhja e tarifave dhe pagesave të kostove administrative 1. Fatura e përdorimit të burimeve ujore përbën titull ekzekutiv. 2. Tarifat dhe pagesat e kostove administrative mblidhen nga organet e menaxhimit të burimeve ujore. 3. Të ardhurat e mbledhura nga kostot administrative, penalitetet dhe tarifat e përdorimit të burimeve ujore i kalojnë buxhetit të shtetit. Neni 167 Organet përgjegjëse për zbatimin e ligjit 1. Organet e menaxhimit dhe të administrimit të burimeve ujore, njësitë e qeverisjes vendore, strukturat e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, shëndetësinë, bujqësinë, energjetikën, infrastrukturën dhe financën, strukturat dhe organet e mbrojtjes civile, planifikimit dhe zhvillimit të territorit ngarkohen me marrjen e masave dhe zbatimin e dispozitave të këtij ligji nën koordinimin e përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. 2. Organet përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit, shëndetësisë dhe bujqësisë ngarkohen me zbatimin e dispozitave të këtij ligji, nën koordinimin e përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. 3. Organi përgjegjës për inspektimin në fushën e mjedisit dhe agjencitë mjedisore rajonale ngarkohen me zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe në përputhje me dispozitat e ligjit për mbrojtjen e mjedisit. 67 4. Programet vjetore të inspektimit për sa u përket aktiviteteve lidhur me veprimtaritë e përdoruesve të burimeve ujore dhe aktiviteteve, objekt i këtij ligji, veç të tjerash, hartohen në koordinim me nevojat e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. 5. Përdoruesit e burimeve ujore për të cilët gjen zbatim ky ligj, u ofrojnë inspektorëve që mbulojnë fushën e mjedisit mbështetjen e nevojshme në mënyrë që të kryejnë inspektimet për atë veprimtari, të marrin, të analizojnë dhe të mbledhin informacionet e nevojshme, si dhe të kryejnë detyrat e tyre lidhur me këtë ligj dhe në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e mjedisit. 6. Inspektimi për verifikimin lidhur me respektimin e kërkesave ligjore bëhet në përputhje me këtë ligj, ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin për inspektimin në Republikën e Shqipërisë. KREU XVI SHKELJET ADMINISTRATIVE Neni 168 Inspektimi dhe identifikimi i kundërvajtjeve administrative 1. Kontrolli për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore bëhet nga inspektorati përgjegjës për kontrollin e mbrojtjen e territorit, organet përgjegjëse për inspektimin e mjedisit, në përputhje me këtë ligj, ligjin për inspektimin dhe aktet ligjore e nënligjore për funksionimin e tyre, kryesisht apo me kërkesë të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. 2. Kur konstaton shkeljen e dispozitave të këtij ligji, inspektorati përgjegjës vendos dënimin kryesor me gjobë, si dhe dënime të tjera plotësuese, duke përfshirë detyrimin për rregullimin e pasojave të ardhura te burimet ujore ose detyrimin për shpërblimin e dëmit përkatës apo kthimin në gjendjen e mëparshme. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton procedurën e vlerësimit të dëmit dhe rregullimit të pasojave të ardhura te burimet ujore. Neni 169 Sanksionet administrative 1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, nëse nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen si më poshtë: a) zhvillimi i veprimtarive pa lejet apo autorizimet përkatëse në zonat e mbrojtjes higjieno-sanitare, i përcaktuar në pikën 4 të nenit 32 të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; b) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 1 të nenit 65 të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; c) shkarkimet në ujëra, tokë, nëntokë apo gropa në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, sipas parashikimeve të nenit 80 të këtij ligji, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; ç) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me nenin 125 të këtij ligji, të cilat nuk kryhen sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet apo në grupin e planeve të menaxhimit të koordinuara në nivelin e rajonit të basenit lumor përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë; d) veprimet e kryera në kundërshtim me nenin 133 të këtij ligji lidhur me sasinë e prurjes minimale ekologjike për çdo trup ujor natyror përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë; dh) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikat 1 dhe 2 të nenit 135 të këtij ligji lidhur me përdorimin me leje të burimeve ujore, përbëjnë kundërvajtje administrative. Kur për veprimtarinë ligji parashikon dhënien e lejes nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, shkelja administrative ndëshkohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë. Kur për veprimtarinë ligji parashikon dhënien e lejes nga Këshilli i Basenit Lumor, shkelja administrative ndëshkohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë. Kur ligji parashikon dhënien e lejes nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, shkelja administrative ndëshkohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë; 68 e) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 1 të nenit 136 të këtij ligji, lidhur me përdorimin e burimeve ujore me autorizim, përbëjnë kundërvajtje administrative. Kur për veprimtarinë ligji parashikon dhënien e autorizimit nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, shkelja administrative ndëshkohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë. Kur për veprimtarinë ligji parashikon dhënien e lejes nga Këshilli i Basenit Ujor, shkelja administrative ndëshkohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë. Kur ligji parashikon dhënien e lejes nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, shkelja administrative ndëshkohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë; ë) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 2 të nenit 136 të këtij ligji lidhur me përdorimin e burimeve ujore me autorizim përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 1 500 000 lekë deri në 2 500 000 lekë; f) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 4 të nenit 136 të këtij ligji lidhur me përdorimin e burimeve ujore me autorizim, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 50 000 lekë deri në 200 000 lekë; g) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me nenin 137 të këtij ligji lidhur me shfrytëzimin e materialeve inerte që nxirren nga shtretërit e lumenjve, përrenjve dhe liqeneve, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë; gj) shpimet dhe ndërhyrjet në zonat e burimeve ujore natyrore kurative, minerale, termo-minerale dhe gjeotermale, si dhe pompimi direkt nga burimi ujor kurativ, minerale, termo-mineral dhe gjeotermal, në kundërshtim me shkronjat “e”, “ë” dhe “f” të pikës 1 nenit 140 të këtij ligji, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; h) përdorimi i burimeve ujore natyrore kurative, minerale, termo-minerale dhe gjeotermale pa lejen e organeve të menaxhimit të burimeve ujore në kundërshtim me pikën 2 të nenit 140 të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; i) veprimet e kryera nga përdoruesi, në kundërshtim me shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d” të pikës 2 të nenit 144 të këtij ligji lidhur me respektimin e kushteve të përgjithshme të lejes apo autorizimit përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 1 000 000 lekë deri 2 000 000 në lekë; j) veprimet e kryera nga përdoruesi në kundërshtim me shkronjën “dh” të pikës 2 të nenit 144 të këtij ligji lidhur me respektimin e kushteve të përgjithshme të lejes apo autorizimit përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; k) mosdorëzimi i raportit të përgjithshëm hidrogjeologjik në lidhje me shpimin nga ana e subjektit pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në kohë, të parashikuar në pikën 3 të nenit 147 të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë; l) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 4 të nenit 147 të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë; ll) ripërdorimi i ujërave të ndotura në kundërshtim me pikën 4 të nenit 148 të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë; m) shkarkimi i ujërave të ndotura industriale në mjedis, në kundërshtim me dispozitat e nenit 152, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë; n) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 3, të nenit 131, dhe të neneve 156 e 157, të këtij ligji, lidhur me depozitimin e materialeve dhe substancave, si dhe ndërtimin e objekteve të reja në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, ndërtimin, rindërtimin ose shembjen e objekteve të mbrojtjes së brigjeve apo veprave të tjera në brigje pa autorizimet përkatëse, si dhe veprimtaritë e ndaluara në brigje dhe plazhe përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë; nj) veprimtaritë e kryera në kundërshtim me pikën 1 të nenit 158 të këtij ligji lidhur me ndërtimin e veprave dhe objekteve për shfrytëzimin e burimeve ujore dhe parandalimin e veprimeve të dëmshme të ujit, që bëhen për shërbime publike pa lejen apo autorizimin përkatës, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë; o) mosnjoftimi i organeve të administrimit apo menaxhimit të burimeve ujore rreth përfundimit të ndërtimit të veprës apo objektit brenda afatit ligjor, të përcaktuar në pikën 2 të nenit 158 të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë; 69 p) krahas ndëshkimit përmes penalitetit, në varësi të nivelit të ndotjes apo dëmit, vendoset edhe pezullimi i veprimtarisë ose revokimi i lejes apo autorizimit, detyrimi për të përshtatur pasojat në burime ujore përmes kthimit në kushtet e mëparshme apo detyrimi për të rikuperuar dëmet përkatëse, në rast se rehabilitimi kryhet nga organet e menaxhimit të burimeve ujore, si dhe mjetet dhe pajisjet konfiskohen dhe i kalohen rezervave të shtetit. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton procedurën për rregullimin e pasojave të burimeve ujore dhe mënyrën e kompensimit të dëmit. Neni 170 Klasifikimi i masave administrative Masat e gjobës e pezullimit të veprimtarisë apo revokimit të lejes apo autorizimit, sipas parashikimeve në këtë ligj, janë dënime kryesore, ndërsa masat e tjera, si: konfiskimi i mjeteve dhe pajisjeve, materialeve inerte gjendje janë dënime plotësuese. Neni 171 Ankimimi 1. Kundër vendimit të organeve të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente në përputhje me legjislacionin në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. 2. Kundër vendimit të inspektoratit përgjegjës në fushën e kontrollit dhe mbrojtjes së territorit, mund të bëhet ankim, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e inspektimit. Neni 172 Ekzekutimi dhe kundërvajtjet administrative Ekzekutimi i masave administrative në zbatim të këtij ligji bëhet në përputhje me ligjin për kundërvajtjet administrative. KREU XVII DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT Neni 173 Nxjerrja e akteve nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 14, pika 4; 27, pika 3; 53, pika 5; 57, pika 4; 59, pika 3; 60, pika 2; 63, pika 3; 64, pika 7; 66, pika 4; 67, pika 2; 75, pika 3; 80, pika 3; 97, pika 5; 98, pika 4; 99, pikat 8 dhe 9; 100, pikat 4 dhe 5; 107, pika 2; 111, pika 7; 113, pika 3; 114, pika 5; 117, pika 3; 120, pika 4; 121, pika 4; 125, pika 4, dhe 175, pika 2, brenda afatit të parashikuar në këto dispozita. 2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”; 13, pika 3; 16, pika 6; 20, pika 2; 29, pika 3; 31, pika 3; 32, pika 3; 33, pika 2; 34, pika 2; 36, 40, pika 2; 41, pika 5; 130, pika 6; 135, pika 3; 136, pika 7; 137, pikat 2 dhe 3; 139, pika 2; 140, pika 3; 141, pika 6; 144, pika 3; 148, pika 4; 153, 161, pika 3; 164, pika 2; 165, pika 2; 168, pika 3, dhe 169, pika 2, të këtij ligji. Neni 174 Planet e para të menaxhimit të basenit lumor 1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është përgjegjëse për përgatitjen e PMBL-ve të para në përputhje me këtë ligj, në bazë të të dhënave, informacioneve dhe dokumentacionit të disponueshëm. 70 2. Në rast se nuk ka të dhëna, informacione dhe dokumentacion apo sigurimi i tyre është i pamundur për shkak të kushteve të arsyeshme, në planin e menaxhimit të baseneve lumore për rajonet e baseneve lumore përfshihet edhe shpjegimi i arsyetuar, ku të tregohet në mënyrë të veçantë se si këto të dhëna, informacione dhe dokumentacione do të ofrohen në rishikimin e parë të PMBL-së dhe si do të përfshihen më pas në të, në përputhje me pikën 6 të nenit 53 të këtij ligji. Neni 175 Procedura për funksionimin e programit të monitorimit 1. Për të vënë në funksion programet e monitorimit të përmendura në nenin 41 të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton programin pilot të monitorimit për një prej rajoneve të baseneve lumore, brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji. 2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton programin pilot të monitorimit të statusit të ujërave, të përcaktuar sipas pikës 1l të këtij neni, brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për monitorimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, si dhe për zonat e mbrojtura, harton planin vjetor të zbatimit të programit pilot të monitorimit brenda 2 muajve nga miratimi i programit pilot, sipas pikës 2 të këtij neni. 4. Plani Vjetor i Zbatimit të Programit Pilot të Monitorimit për Statusin e Ujërave përfshihet në Programin Vjetor Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit të vitit pasardhës. 5. Në bazë të rezultateve praktike dhe përvojës së fituar gjatë periudhës së zbatimit të programit pilot të monitorimit, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton programin e përgjithshëm të monitorimit për të gjitha rajonet e baseneve lumore. Neni 176 Lejet dhe autorizimet e dhëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji Në rast se leja apo autorizimi i dhënë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji bie ndesh me dispozitat e këtij ligji, titullari i lejes apo autorizimit duhet të marrë masat për përmbushjen e kushteve dhe të kritereve të reja brenda afateve kohore të përcaktuara nga aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, në rast të kundërt, shfuqizohet. Neni 177 Detyra për të raportuar për përdorimin e ujërave nëntokësore pa leje apo autorizim 1. Personat fizikë apo juridikë, që përdorin ujëra nëntokësore pa leje ose autorizim, sipas dispozitave të këtij ligji, janë të detyruar ta raportojnë veprimtarinë e tyre pranë organeve të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. 2. Personat që e deklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit kohor, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, nuk penalizohen për kundërvajtjen administrative. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton procedurën që do të ndiqet dhe dokumentacionin që subjektet vetëdeklaruese duhet të paraqesin brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 178 Aktet nënligjore para hyrjes në fuqi të këtij ligji 1. Procedurat për pajisjen me leje apo autorizim për përdorimin e burimeve ujore, të nisura përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, vijojnë të realizohen në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar. 71 2. Aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të ligjit nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar, që nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji. Çdo akt tjetër nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet. Neni 179 Shfuqizimet Ligji nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar, shfuqizohet. Neni 180 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 4.4.2024. Shpallur me dekretin nr. 158, datë 23.4.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj