Instruction No.4 dated 22.4.2013 determining the criteria and the procedures for leasing areas of public forest and pastures
صدر في 2013-04-22 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- اللغة
- Albanian
- النوع
- لائحة
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Livestock, Forestry, Land and soil
- الكلمات المفتاحية
- grazing, pastoralism, animal production, public forest, forest management/forest conservation, lease, public land, contracts, land tenure
أين تقرؤه
لا يوجد رابط مصدر مسجل لهذا القانون.
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
UDHËZIM Nr. 4, datë 22.4.2013 PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË KONKURRIMIT DHE PROCEDURËN E DHËNIES NË PËRDORIM ME KONTRATË QIRAJE TË FONDIT PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës, të pikës 3 të nenit 19 të ligjit nr. 9385 datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të nenit 17 të ligjit nr. 9693, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, të ndryshuar UDHËZOJ: 1. Sipërfaqe të fondit pyjor/kullosor publik jepen në përdorim me kontratë qiraje nëpërmjet procedurës së konkurrimit publik. 2. Sipërfaqe të fondit pyjor/kullosor që jepen në përdorim sipas përcaktimit të pikës 1 janë: sipërfaqe me pyje; sipërfaqe me bimësi pyjore; sipërfaqe inproduktive; sipërfaqe kullosore/livadh; si dhe infrastruktura përkatëse. 3. DSHP-të vlerësojnë dhe propozojnë në ministri, sipërfaqet e fondit pyjor dhe kullosor, si dhe infrastrukturën përkatëse që mund të jepen në përdorim. Në vlerësimin e fondit pyjor e kullosor, që propozohen të jepen në përdorim, DSHP-të mbajnë parasysh që: a) sipërfaqet mund të jepen vetëm për ushtrimin e veprimtarive të parashikuara në nenin 19 të ligjit nr. 9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe në nenin 17 të ligjit nr. 9693, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, të ndryshuar; b) veprimtaritë që do të ushtrohen në këto sipërfaqe, të jenë në harmoni me parimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në përputhje me planet e tyre të mbarështimit; c) afati i dhënies në përdorim të jetë në përputhje me afatin e planit 10-vjeçar të mbarështimit. Kontrata, pavarësisht kohëzgjatjes së saj, rinovohet çdo vit nga DSHP-ja përkatëse pasi verifikohet zbatimi i kushteve kontraktuale; d) projektet e veprimtaritë që do të ushtrohen duhet: të sjellin përmirësime të dukshme në mbarështimin e florës dhe faunës që ndodhen në këto sipërfaqe; të realizojnë investime që përmirësojnë tregues biologjikë dhe të infrastrukturës së zonës; të mos cenojnë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike; të jenë në përputhje me investimet publike që janë planifikuar të bëhen në zonë në 10 vitet e ardhshme. 4. Për çdo sipërfaqe që propozohet të jepet në përdorim, DSHP-ja propozon edhe llojin e veprimtarisë që mund të ushtrohet në të dhe përgatit studimin, i cili përmban: a) sipërfaqen e fondit pyjor ose kullosor e shprehur në (ha), me kufij të përcaktuar qartë në harta të shkallës 1:10000 ose 1:25000 (koordinatat gjeografike, metrike); b) treguesit identifikues (kadastralë) të ngastrave ose nënngastrave; c) karakteristikat silvikulturale të grumbullit pyjor; d) treguesit tekniko-ekonomikë për kullotat dhe livadhet; e) treguesit e vlerës për çdo njësi kadastre të pyjeve dhe kullotave që parashikohet të jepen me qira; f) vlerën dysheme të qirasë për ha/vit, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave; g) sipërfaqja e propozuar për t’u dhënë në përdorim të mos jetë objekt pretendimi për rikthimin e pronës ish-pronarëve; h) sipërfaqja e propozuar të mos jetë objekt tjetërsimi në një afat 10-vjeçar në rastet kur në to janë planifikuar investime publike; i) sipërfaqja që propozohet të jepet në përdorim për mbarështim flore të mos jetë më e vogël se madhësia limit e një nënngastre pyjore/kullosore. 5. Kur sipërfaqe të fondit pyjor propozohen që të ushtrohen veprimtari pushimi, DSHP-të përgatisin studimet sipas kërkesave të pikës 4 të këtij udhëzimi dhe në muajin janar të fillimit të vitit kalendarik i paraqesin këto studime në ministri për të marrë miratim për vazhdimin e procedurave të konkurrimit për dhënie në përdorim me kontratë qiraje, për një periudhë sezonale jo më shumë se 3 deri 4 muaj. 6. Pas shqyrtimit të propozimeve të DSHP-ve, drejtoria përkatëse teknike në ministri, në qoftë se plotësohen kërkesat, përgatit urdhrin, të cilin e përcjell te ministri për miratim. Pas miratimit, njoftohet drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor për të vazhduar procedurat e konkurrimit publik. 7. Subjektet publike ose private që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari në sipërfaqet e fondit pyjor ose kullosor, mund të paraqesin kërkesën në formën e propozimit të pakërkuar në çdo kohë. Kjo sipërfaqe do të përdoret vetëm për ushtrimin e veprimtarive të parashikuara në nenin 19 të ligjit nr. 9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar dhe në nenin 17 të ligjit nr. 9693, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, të ndryshuar. Propozimi duhet të plotësojë kërkesat e këtij udhëzimi. 8. Për administrimin e kërkesave në këto raste, DSHP-ja kryen këto detyra: a) përgatit raportin teknik për sipërfaqen e kërkuar; b) dërgon në ministri për shqyrtim dhe miratim kërkesën së bashku me raportin teknik; c) pas miratimit nga ministri, DSHP-ja, edhe në këtë rast, vazhdon procedurat e mëtejshme të prokurimit publik. 9. Pas marrjes së miratimit, titullari i DSHP-së urdhëron ngritjen e komisionit të përgatitjes së dokumenteve të prokurimit, i miraton ato dhe i dërgon për njoftim në Agjencinë e Prokurimit Publik. 10. Konkurrimi publik për dhënien me qira të sipërfaqes së fondit pyjor/kullosor bëhet: a) nëpërmjet shpalljes së njoftimit për konkurrim publik për dhënien me qira të sipërfaqes së fondit pyjor/kullosor; b) njoftimi bëhet nëpërmjet Buletinit të Prokurimit Publik, i cili përmban të dhënat për sipërfaqen, vendin dhe adresën ku mund të tërheqin dokumentacionet e nevojshme dhe vendin, datën e orën e paraqitjes së dokumentacionit; c) data e konkurrimit të jetë jo më parë se 10 ditë kalendarike nga data e botimit të fundit. 11. Subjektet që marrin pjesë në konkurrim duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme: a) kërkesë së bashku me të dhënat për gjeneralitetet e kompanisë; b) ekstraktin e regjistrimit në QKR për objektin e veprimtarisë; c) projektin teknik të hartuar nga specialistë të licencuar dhe që trajton të gjitha elementet e nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së kërkuar; d) planbiznesin dhe investimet që do të bëhen; e) të dhëna për kapacitet teknike, stafin, makineritë dhe pajisjet që zotëron; f) planin e rehabilitimit të sipërfaqes dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme; g) nivelin e punësimit në veprimtari; h) çmimin e qirasë së ofruar për ha/vit; i) adresën subjektit, si dhe tel. dhe faks. 12. Kushtet e pjesëmarrjes në konkurrim janë: a) garanci financiare të mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes; b) të ketë të kontraktuar një specialist të fushës, ku në CV-në profesionale të tregohet përvoja në fushën e veprimtarisë; c) vërtetim nga organet përkatëse shtetërore se subjekti nuk ka procese gjyqësore në ngarkim, detyrime tatimore ose detyrime të tjera ndaj MMPAU-së. 13. Pas shpalljes së njoftimit, titullari i DSHP-së urdhëron ngritjen e komisionit të vlerësimit. Urdhri për ngritjen e këtij komisioni përmban, gjithashtu, dhe: a) të dhënat e zonës: emërtimi, sipërfaqja, koordinatat, qëllimi i përdorimit, çmimi dysheme, afati; b) veprimtarinë që mund të ushtrohet në këtë sipërfaqe; c) pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, të përcaktuara sipas pikës 14 të këtij udhëzimi; d) vendin, datën dhe orën ku paraqiten dokumentet; e) përbërjen e komisionit të shqyrtimit të ofertave të konkurrentëve, i cili në çdo rast përbëhet nga jo më pak se pesë anëtarë, specialistë të drejtorisë; f) dokumentacionin që do të paraqitet në konkurrim nga konkurrentët. 14. Komisioni i vlerësimit ka këto detyra: a) hap në prani të konkurrentëve zarfet me dokumentacionin e paraqitur prej tyre, duke bërë të njohura të dhënat kryesore për çdo ofertë të paraqitur. Kur dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë, ai skualifikon subjektin konkurrues në prani të tij; b) harton procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit, ku përshkruan pjesëmarrësit, konkurrentët e skualifikuar dhe shkakun, konkurrentët e kualifikuar dhe listën e dokumenteve të paraqitura prej tyre; c) brenda 10 ditëve bën shqyrtimin e ofertave të paraqitura dhe vlerëson me pikë çdo element konkurrimi; d) në përfundim, rendit konkurruesit në bazë të pikëve të përfituara; e) paraqet, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c” të kësaj pike, te drejtori, një informacion për zhvillimin e konkurrimit, së bashku me procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit dhe listën e konkurruesve të renditur sipas pikëve të fituara. 15. Vlerësimi i ofertës mbështetet në grumbullimin e pikëve si më poshtë: a) projekti teknik i veprimtarisë që do të ushtrohet që përmban planimetrinë e sipërfaqes së kërkuar në hartë topografike të digjitalizuar dhe të gjeoreferuar me shkallë 1:10000 ose 1:25000, ku të jenë evidentuar elementet kryesore, si: kufijtë natyrorë, relievi, objektet aktuale, si dhe çdo planimetri tjetër në shkallë më të detajuar, hartuar konform kërkesave të projektit ………. 20 pikë; b) planbiznesi dhe investimet që do të bëhen ........................................................... 15 pikë; c) planin e rehabilitimit të sipërfaqes ......................................................................... 25 pikë; d) nivelin e punësimit në veprimtari ............................................................................ 5 pikë; e) masën e qirasë për ha/vit ........................................................................................ 35 pikë. 16. Komisioni vendos për subjektin fitues të konkurrimit. Njofton për shpalljen e fituesit në këndin e njoftimeve të DSHP-së. 17. Subjektet konkurruese, brenda 5 ditëve nga shpallja e subjektit fitues, kanë të drejtën e ankimimit te titullari, i cili, brenda 10 ditëve, i përgjigjet ankuesit me shkrim. 18. Pas përfundimit të procedurave të mësipërme, me fituesin lidhet brenda 10 ditëve kontrata e qirasë tip e miratuar nga ministri. Nëse fituesi nuk e lidh kontratën brenda këtij afati, kontrata lidhet me subjektin që është renditur i dyti në listën e konkurrimit. 19. Sipërfaqja dorëzohet me procesverbal dhe në përfundim të përdorimit merret në dorëzim nga DSHP-ja po me procesverbal. 20. Kontrata e qirasë, veç të tjerash, përmban detyrimin e qiramarrësit: a) për të zbatuar projektin, planin e investimeve dhe të rehabilitimit të sipërfaqes së përdorur; b) për të ruajtur mjedisin rrethues nga ndotjet dhe dëmtimet që mund të shkaktojë veprimtaria e tij; c) për të siguruar mbrojtjen nga zjarri dhe angazhimin në shuarjen e tij; d) për të informuar me shkrim në MMPAU ose DSHP për ecurinë e veprimtarisë e problemet që dalin. 21. Pagesa e qirasë është vjetore, duke u llogaritur nga data e lidhjes së kontratës dhe shlyhet në momentin e lidhjes së kontratës dhe në të njëjtën datë në vitet pasardhëse. 22. Të ardhurat e siguruara nga dhënia me qira e sipërfaqeve pyjore e kullosore, administrohen sipas shkronjës “b” të pikës 1 të vendimit nr. 432, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijojnë institucionet buxhetore”. 23. Përjashtohen nga konkurrimi, pavarësisht madhësisë së sipërfaqes, dhënia me qira e sipërfaqeve dhe e infrastrukturës ndihmëse kur subjektet juridike janë të pajisura me leje përkatëse për veprimtaritë e mëposhtme: që janë pajisur me lejet, licencat dhe dokumentet e nevojshme në plotësim të kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse (sipas ligjit nr. 10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, sipas ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, ligjit nr. 9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, ligjit nr. 9396, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, si dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tyre, ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”. a) për shfrytëzim të pasurive natyrore minerare (sipas ligjit nr. 10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij); b) për peshkim dhe akuakulturë (ligji i peshkimit); c) për përdorimin e ujërave; d) për ndërtim të veprave hidroteknike (për shtrirje tubacionesh dhe ndërtim kanalesh për HEC-e (sipas kërkesave të ligjit nr. 9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, ligjit nr. 9396, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, të ndryshuar + koncesionet); e) për ndërtimin e antenave të komunikimit radiotelevizive dhe telefonisë celulare (ligji nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”); f) për ndërtim të linjave elektrike e kabllove optikë, instalimeve të naftës apo gazsjellës; g) për vendosje kullash të ndryshme vrojtimi/sinjalizimi (ligji i planifikimit të territorit); h) ndërtim të kullave për parqe eolike dhe infrastrukturën ndihmëse (sipas ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”); i) dhënia me qira e sipërfaqeve dhe infrastrukturës ndihmëse në rastet kur me ligj, me vendimin e Këshillit të Ministrave, me vendim të KKT-së ose me marrëveshje koncesionare, subjektit të licencuar i është dhënë leja e ushtrimit të veprimtarisë; j) dhënia me qira e sipërfaqeve deri në 0.1 ha, të cilat jepen me afat deri në 1 (një) vit pa të drejtë rinovim kontrate; k) sipërfaqe të fondit pyjor që do të përdoren për rehabilitim (pyllëzim dhe ripyllëzim). 24. Për të lidhur kontratën e qirasë në rastet sipas pikës 23 të këtij udhëzimi, subjekti paraqet pranë DSHP-së dokumentacionin e mëposhtëm: a) kërkesën për marrjen me qira të sipërfaqes; b) projektin teknik, të shoqëruar me planimetrinë e sipërfaqes së kërkuar në hartë topografike të digjitalizuar dhe të gjeoreferuar me shkallë 1:10000 ose 1:25000, ku të jenë evidentuar elementet kryesore, si: kufijtë natyrorë, relievi, objektet eventuale, si dhe çdo planimetri tjetër në shkallë më të detajuar, hartuar konform kërkesave të studimit apo projektit, kopje origjinale të miratuara; c) vendimin e institucionit që ka miratuar projektin e zbatimit (ministër, këshilli mbikëqyrës, këshilli drejtues, bordi drejtues etj.); d) planbiznesin dhe investimet për zhvillimin e aktivitetit; e) planin e rehabilitimit të sipërfaqes dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme; f) lejet, licencat apo autorizimet për ushtrimin e aktivitetit; g) lejen mjedisore, pëlqimin apo autorizimin mjedisor, nëse veprimtaria që do të ushtrojë ka ndikime negative në mjedis. 25. Për të lidhur kontratën sipas kërkesës në pikës 3 të këtij udhëzimi, subjekti paraqet në DSHP; kërkesën; projektin teknik, të shoqëruar me planimetrinë e sipërfaqes së kërkuar në hartë topografike të digjitalizuar dhe të gjeoreferuar me shkallë 1:10000 ose 1:25000, ku të jenë evidentuar elementet kryesore, si: kufijtë natyrorë, relievi, objektet eventuale, si dhe çdo planimetri tjetër në shkallë më të detajuar, hartuar konform kërkesave të studimit apo projektit, kopje origjinale të miratuara; lejet, licencat apo autorizimet për ushtrimin e aktivitetit. 26. Për kërkesat, sipas pikës 23 të këtij udhëzimi, DSHP-ja e shqyrton dosjen brenda 15 ditëve dhe, kur e gjen të rregullt, harton raportin teknik dhe e paraqet dosjen për miratim te ministri. Pas miratimit të ministrit, DSHP-ja dhe kërkuesi nënshkruajnë procesverbalin e dhënies së sipërfaqes dhe kontratën e qirasë tip të miratuar nga ministri. 27. Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, udhëzimi nr. 1, datë 2.7.2012 “Për kriteret e konkurrimit dhe procedurën e dhënies në përdorim me kontratë qiraje të fondit pyjor dhe kullosor publik”, shfuqizohet. 28. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtoritë dhe sektorët përkatës në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe DSHP-së. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I MJEDISIT, PYJEVE DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE Fatmir Mediu