Guideline No.1 on modification of agricultural land categories and land resources categorization
صدر في 2006-02-20 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- اللغة
- Albanian
- النوع
- لائحة
- المنظمة
- European Union
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Land and soil
- الكلمات المفتاحية
- agricultural land, soil conservation/soil improvement, classification/declassification
أين تقرؤه
لا يوجد رابط مصدر مسجل لهذا القانون.
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
UDHËZIM Nr. 1, datë 20.2.2006 PËR NDRYSHIMIN E KATEGORISË SË TOKËS BUJQËSORE DHE KATEGORIZIMIT TË RESURSEVE Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe nenit 7 të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës” me propozim të Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave dhe të Ujërave, UDHËZOJ: I. PËR NDRYSHIMIN E KATEGORISË SË TOKËS NË RASTET E DËMTIMIT TË CILËSIVE TË TOKAVE SI REZULTAT I VEPRIMIT TË FAKTORËVE FUQI MADHORE. 1. Pronari i tokës bujqësore dhe posedues të ligjshëm të saj, në sipërfaqen e të cilit kanë vepruar faktorë natyrorë të fuqisë madhore si tërmete, rrëshqitje masive të sipërfaqes së tokës, përmbytje masive etj. të kësaj natyre mund të ushtrojnë kërkesë pranë strukturave shtetërore të ngarkuara me ligj për administrimin dhe mbrojtjen e tokës për verifikimin dhe ndryshimin e kategorisë së tokës. Veprimi i faktorëve natyrorë të fuqisë madhore duhet të jetë i dokumentuar me procesverbalin e kohës së dëmtimit dhe i konfirmuar nga ekspertë të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit, si dhe përfaqësuesi i Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës (ZMMT) në komunë dhe/ose bashki. 2. Në kërkesë duhet të pasqyrohet: a) Pozicioni gjeografik i parcelës (genplani ose harta treguese, nr.parcelës, emërtimi). b) Dokumentacioni i pronësisë (tapi, certifikatë nga zyra e regjistrimit). c) Shkaqet e dëmtimit të cilësive të tokës, shoqëruar me procesverbalin e mbajtur në kohën e veprimit të faktorëve fuqi madhore. 3. Kërkesa konfirmohet nga kryetari komunës dhe/ose bashkisë dhe drejtohet për ndjekjen e procedurave në Seksionin e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (SAMT) në qark. 4. SAMT, mbasi verifikon elementet e kërkesës, i propozon Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për ndryshimin e kategorisë së tokës. 5. Drejtoria e Menaxhimit të Tokës dhe të Ujërave, në MBUMK krijon grupin e ekspertëve me përbërje: dy specialistë të Institutit të Studimit të Tokave, (IST), një specialist i SAMT dhe një specialist i ZMMT në komunë dhe/ose bashki. 6. IST harton dhe miraton procedurat teknike dhe analizat kimike të domosdoshme për vlerësimin e tokës bujqësore. 7. Grupi i ekspertëve brenda një muaji verifikon në parcelë elementet e kërkesës, hap profile dhe merr mostra toke sipas procedurave të miratuara. 8. Pronari ose posedues të tjerë të ligjshëm që kanë bërë kërkesën, i përballojnë shpenzimet e punës para fillimit të procedurave dhe paguajnë në llogari të Institutit të Studimit të Tokave, vlerën e analizave kimike që do të kryhen. 9. Mbas përfundimit të analizave, grupi i ekspertëve bën llogaritjet, harton raportin teknik dhe i dërgon mendimin Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave dhe të Ujërave për miratim ose jo të kërkesës. 10. Drejtoria e Menaxhimit të Tokave dhe të Ujërave shqyrton materialin dhe, nëse e gjen të plotë, ia paraqet për miratim Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Kur materialit të paraqitur i mungojnë argumentet e duhura, DMTU urdhëron riverifikimin dhe rivlerësimin me një grup tjetër specialistësh. 11. Ndryshimi i kategorisë së tokës bujqësore në regjistrat e bonitetit bëhet vetëm mbas miratimit nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. II. PËR NDRYSHIMIN E KATEGORIZIMIT TË RESURSEVE 1. Pronari ose institucioni që e ka në administrim ose pronësi resursin, duhet të bëjë kërkesë me shkrim për ndryshimin e kategorizimit të resursit, bazuar në procedurat e parashikuara në pikën 1 dhe 6 të kreut të III-të të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.532, datë 30.10.2002 “Për mënyrat e ushtrimit të funksioneve në seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark dhe zyrat e menaxhimit të mbrojtjes së tokës në komunë dhe/ose bashki”. 2. Kërkesa për ndryshimin e kategorizimit të resursit duhet të përmbajë: a) pozicionin gjeografik të parcelës (hartën, numrat e parcelave, emërtimin); b) Gjendjen aktuale të zërit kadastral; c) Dokumentin e pronësisë ose vërtetimin nga SAMT ose ZRPP mbi gjendjen e pronësisë; d) Studimin i cili argumenton kërkesën dhe ndikimin në fushën mjedisore, ekonomike e sociale të zonës; e) Miratimin nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe e Ushqimit, Drejtoria e Shërbimit Pyjeve dhe Kullotave dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit. 3. Pas miratimit në parim nga këshilli i komunës, kërkesa i përcillet për miratim SAMT në qark. 4. Këshilli i qarkut në orientim të strategjisë së zhvillimit të qarkut, shqyrton kërkesën dhe në rast se e miraton atë në parim, e përcjell të miratuar dhe argumentuar në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 5. MBUMK me urdhër të veçantë krijon grupin e ekspertëve në përbërje të të cilit janë dy specialistë nga IST, një specialist nga SAMT dhe një specialist nga ZMMT në komunë dhe/ose bashki. 6. IST në bashkëpunim me DPPK përcaktojnë procedurat teknike dhe llojin e analizave të domosdoshme për realizimin e ndryshimit të kategorizimit të resurseve. 7. Grupi i ekspertëve brenda një muaji nga data e marrjes së kërkesës zbaton procedurat teknike dhe verifikon elementet e kërkesës. 8. Në përfundim të analizave grupi i ekspertëve, në bashkëpunim me specialistin e ZMMT në komunë dhe/ose bashki dhe specialistin e SAMT në qark, harton raportin teknik dhe shpreh mendimin për miratim ose jo të kërkesës në Drejtorinë e Menaxhimit të Tokave dhe të Ujërave. 9. DMTU propozimin ia paraqet për miratim Ministrit. 10. Ndryshimi i kategorizimit të resursit pasqyrohet në librin kadastral të SAMT, vetëm mbas miratimit nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 11. Pronari ose institucioni që paraqet kërkesën paraprakisht bën likuidimin pranë IST-së të shpenzimeve për punën e grupit të ekspertëve dhe vlerën e analizave sipas tarifave të përcaktuara në rregulloren e IST-së. III PËR KRYERJEN E ANALIZAVE TË TOKËS BUJQËSORE, PËR RASTET KU NUK KANË TË DHËNA PËR SHKALLËN E BONITETIT. 1. Komunat dhe/ose bashkitë, për efekt të ushtrimit të veprimtarisë së tyre funksionale, siç janë praktikat e taksimit, të shpronësimit për interes publik etj., përcaktojnë të gjitha sipërfaqet, tokës bujqësore, për të cilat mungojnë të dhënat për shkallën e bonitetit, si rezultat i mospërfshirjes së tyre në studimin përkatës, bëjnë paraqitjen grafike të tyre dhe e dërgojnë në SAMT në qark, me kërkesën për përcaktimin e bonitetit. 2. SAMT në qark shqyrtojnë kërkesën duke e verifikuar me të dhënat që ka në librin e bonitetit 3. Pas verifikimit dhe kur rezulton që nuk ekzistojnë të dhënat e studimit për shkallën e bonitetit i drejtohen IST për të kryer analizat. Kur sipërfaqja e përgjithshme e personave në një komunë që kërkojnë studimin e bonitetit është nën 50 ha kërkesa i paraqitet direkt IST. Kur sipërfaqet janë mbi 50 ha, përgjegjësi i SAMT në qark dhe kryetari i komunës hartojnë aktmarrëveshje të përbashkët me IST për kohën e kryerjes së studimit dhe kushteve të tjera. 4. IST pas marrëveshjes së arritur organizon grupin e ekspertëve, për kryerjen e studimit sipas metodikës së miratuar. 5. Pas daljes së rezultateve të analizave, nga grupi i ekspertëve, përpunohen të dhënat dhe hartohet aktvlerësimi. 6. Komunat dhe/ose bashkitë kryejnë likuidimin paraprak të shpenzimeve për vlerën e kryerjes së analizave sipas tarifave të përcaktuara në rregulloren e IST. 7. Pas daljes së rezultatit përfundimtar, nga përpunimi i të dhënave, përshkrimi fushor dhe përpilimi i aktvlerësimit, IST i dërgon zyrtarisht në Seksionin e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në qark dhe Zyrat e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në komunë dhe/ose bashki. Kopja tjetër e të dhënave ruhet në arkivin e IST. 8. Seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark dhe zyrat e menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës në komunë dhe/ose bashki hedhin të dhënat në librin e bonitetit. Udhëzimi nr.1315, datë 14.4.2004 “Për ndryshimin e kategorizimit të tokës bujqësore dhe kategorizimit të resurseve”, shfuqizohet. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I BUJQËSISË,USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT Jemin Gjana