Decision N. 475, dated 30 July 2021 on the cooperation of local self-government units with the veterinary service
صدر في 2021-07-30 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- العنوان الأصلي
- Vendim nr. 475, datë 30.7.2021 për bashkëpunimin e njësive të vetëqeverisjes vendore me shërbimin veterinar.
- اللغة
- Albanian
- النوع
- لائحة
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Livestock
- الكلمات المفتاحية
- animal health, pests/diseases, local government
أين تقرؤه
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
1 VENDIM Nr. 475, datë 30.7.2021 PËR BASHKËPUNIMIN E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE ME SHËRBIMIN VETERINAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 54, të ligjit nr. 10465, datë 29.1.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. ZBATIMI I MASAVE PROFILAKTIKE 1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkëpunojnë me drejtoritë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), me drejtoritë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe me strukturën përgjegjëse për veterinarinë (SPV) në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për zbatimin e masave profilaktike, me qëllim kufizimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë. 2. Në rast të dyshimit të një sëmundjeje infektive në territorin që mbulojnë, njësitë e vetëqeverisjes vendore raportojnë brenda 24 orëve në shërbimin veterinar në Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në drejtorinë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në qark, si dhe në strukturën përgjegjëse për veterinarinë (SPV), sipas formularit të raportimit të miratuar me urdhër të ministrit. 3. Struktura përgjegjëse për veterinarinë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, informon njësitë e vetëqeverisjes vendore për situatën epizootike në territorin e Republikës së Shqipërisë. 4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me AKVMB-në dhe strukturat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) në qarqe bëjnë përcaktimin e kullotave dhe të vendeve të pirjes së ujit nga kafshët, në varësi të situatës epidemiologjike dhe kur është e nevojshme marrin masa për ndalimin e përdorimit të tyre. Njësitë e vetëqeverisjes vendore njoftojnë zyrtarisht AKVMB-në në muajin janar të çdo viti lidhur me përcaktimin e kullotave si edhe vendet e pirjes së ujit nga kafshët. AKVMB-ja informon në lidhje me situatën epidemiologjike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe, kur është e nevojshme, bazuar në situatën epidemiologjike, marrin masa për ndalimin e përdorimit të kullotave dhe vendeve të pirjes së ujit. Strukturat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) lidhin kontrata me fermerë për përdorimin e kullotave nëpërmjet bagëtive që mbarështohen prej tyre për sipërfaqe kullosore që përfshihen në territorin e sistemit më të madh të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në vend. 5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë publike kullotat dhe vendet e pirjes së ujit nga kafshët, si dhe çdo masë tjetër ligjore të parashikuar në lidhje me to. II. FUNKSIONIMI I TREGJEVE TË KAFSHËVE TË GJALLA, THERTOREVE DHE KULLOTAVE 1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me AKVMB-në përcaktojnë dhe bëjnë publike zonat e përshtatshme për ngritjen dhe funksionimin e tregjeve të kafshëve të gjalla dhe thertoreve në territorin që ato mbulojnë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore përcaktojnë vendndodhjen e tyre duke mbajtur në konsideratë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi, lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis, si dhe atë për lejet e mjedisit. AKVMB-ja përcakton standardet sanitaro-veterinare dhe kriteret që do të zbatohen për mirëfunksionimin e tregjeve dhe të thertoreve. Gjatë këtij përcaktimi duhet të ruhet distanca e përshtatshme e vendndodhjes së tregjeve dhe thertoreve nga qendrat e banuara, si dhe lidhja e përshtatshme e tyre me rrugët nacionale, me qëllim mënjanimin e pengesave në qarkullimin rrugor. 2 2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë përcaktimin e vendit të tregjeve dhe të thertoreve. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është autoriteti përgjegjës për plotësimin e kushteve dhe standardeve të funksionimit të tregjeve të kafshëve të gjalla. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është autoriteti përgjegjës për funksionimin dhe licencimin e thertoreve, në zbatim të legjislacionit në fuqi në fushën e veterinarisë dhe të ushqimit. III. MBIKËQYRJA DHE MBAJTJA NËN KONTROLL E QENVE DHE MACEVE ENDACAKE PA PRONARË 1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mbajnë nën kontroll lëvizjen e qenve dhe maceve të rrugës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në lidhje me situatën epizotike të qenve dhe maceve të rrugës, në rast dyshimi, njoftojnë menjëherë drejtoritë rajonale të AKVMB-së. AKVMB-ja siguron zbatimin e programeve të profilaksisë veterinare në lidhje me kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve epizootike. 2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore identifikojnë të gjithë qentë dhe macet e rrugës në territorin që ata administrojnë, në një regjistër sipas modelit të hartuar nga SPV-ja. Njësitë e vetëqeverisjes vendore vënë në dispozicion të AKVMB-së të dhënat e regjistrit, sa herë që i kërkohet. 3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë hospitalizimin e qenve dhe të maceve të rrugës nëpërmjet organizimit, grumbullimit të tyre në vende të posaçme të miratuara nga autoritetet e vetëqeverisjes vendore. Shërbimi veterinar në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore kryejnë sterilizimin e tyre, me qëllim ndërprerjen e aktivitetit prodhues. Mbetjet e gjeneruara nga kryerja e sterilizimit të qenve dhe maceve të rrugës duhet të klasifikohen, etiketohen, grumbullohen, transportohen, trajtohen dhe të asgjësohen në përputhje me detyrimet e kërkesave të ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, si dhe me aktet e tjera ligjore në fuqi, në fushën e mjedisit. 4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore në çdo rast organizojnë dhe vënë në dispozicion mjetet për transportin e qenve dhe maceve në qendrat e grumbullimit. Shërbimi veterinar i AKVMB-së siguron që mjetet e vëna në dispozicion të plotësojnë standardet e mirëqenies së kafshëve. Në çdo rast këto mjete duhet të dezinfektohen me dezinfektantë të miratuar sipas legjislacionit në fuqi. 5. Në mjediset e qendrave të hospitalizimit ose të qendrave të grumbullimit të kafshëve të miratuara nga autoritetet e vetëqeverisjes vendore kryhet eliminimi i kafshëve me metodën e eutanazisë nga shërbimi veterinar, duke përdorur një nga produktet mjekësore veterinare të miratuara nga legjislacioni në fuqi. 6. Në të gjitha rastet kur ka braktisje të qenve dhe maceve nga pronarët përkatës, njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për strehimin e tyre në ambiente të përshtatshme dhe zbatimin e të gjitha masave të nevojshme për shëndetin dhe kushtet e mirëqenies së tyre. Njësitë e vetëqeverisjes vendore informojnë brenda 10 (dhjetë) ditësh shërbimin veterinar të AKVMB-së lidhur me masat e marra. 7. Njësitë e vetëqeverisjes vendore sigurojnë masat lidhur me vendosjen e sinjalistikës së nevojshme që në ambientet publike, si: rrugë, parqe, kënde lojërash etj., kafshët e shoqërimit të mos paraqesin rrezik për njerëzit ose kafshët e tjera. Formati i sinjalistës lidhur me përmasat, ngjyrat, simbolet përcaktohet nga AKVMB-ja. IV. PËRCAKTIMI I VENDEVE TË GRUMBULLIMIT DHE ASGJËSIMIT TË KADAVRAVE 1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me autoritetet mjedisore rajonale dhe shërbimin veterinar shtetëror përcaktojnë vendet e grumbullimit, eliminimit dhe asgjësimit apo të ndërtimit të krematoriumeve për kadavrat, duke mbajtur në konsideratë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi, lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis si dhe i bëjnë ato publike. Grumbullimi, eliminimi dhe asgjësimi, apo krematorizimi i kadavrave, bëhet në qendra apo instalime, administruesit e të cilave janë pajisur me leje mjedisore që parashikohen në legjislacionin për lejet e mjedisit në bashkëpunim me shërbimin veterinar shtetëror nga personel i kualifikuar dhe i trajnuar. 3 2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me AKVMB-në kryejnë verifikime të posaçme në terren për ekzistencën e kadavrave të pagroposura. Në rast të konstatimit të kadavrave të pagroposura njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për asgjësimin e tyre, në përputhje me pikën 1, të këtij kreu, në praninë e veterinerit zyrtar të AKVMB-së. 3. Grumbullimi dhe transportimi i kadavrave bëhet në mjete transporti të përshtatshme, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore që sigurojnë moskontaminimin e mjedisit, në praninë e veterinerit zyrtar të AKVMB-së. 4. Mjetet e transportit të kadavrave dezinfektohen pas çdo përdorimi me dezinfektantëve të miratuar. Njësitë e vetëqeverisjes vendore në bashkëpunim me AKVMB-në mbikëqyrin procesin e dizinfektimit të mjeteve që transportojnë kadavrat nga subjektet private. V. RRETHIMI DHE RUAJTJA E PIKAVE TË GRUMBULLIMIT TË UJËRAVE TË ZEZA DHE NDALIMI I HYRJES SË KAFSHËVE NË TO 1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore përcaktojnë vendet e grumbullimit të ujërave të zeza dhe sigurojnë rrethimin fizik të tyre me mjete solide e të pakalueshme, për të garantuar ndalimin e hyrjes së kafshëve dhe njerëzve në to. Autoritetet mjedisore rajonale sigurojnë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis si dhe atë për lejet e mjedisit. Njësitë e vetëqeverisjes vendore njoftojnë menjëherë shërbimin veterinar në rastet e konstatimit të hyrjes së kafshëve në vendet e grumbullimit të ujërave të zeza. 2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për pajisjen me sinjalistikën e nevojshme, të dallueshme dhe të qartë për publikun, të vendeve të grumbullimit të ujërave të zeza, sipas formatit të sinjalistës. Formati i sinjalistës lidhur me përmasat, ngjyrat, simbolet përcaktohet nga AKVMB-ja. VI. DISPOZITA TË FUNDIT 1. Vendimi nr. 230, datë 20.3.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, detyrave specifike dhe standardeve të shërbimit veterinar të vetëqeverisjes vendore”, shfuqizohet. 2. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTËR Erion Braçe